Kuvend, diskutohet privatizimi i Albpetrol
TIRANË- Rend dite i ngjeshur me një sërë projektligjesh që presin miratimin në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Në rendin e ditës, publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit është parashikuar për shqyrtim pr/ligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë ‘Albpetrol’ sh.a. Patos”. Projektligji pritet të ndezë debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës, duke qenë se kjo e fundit e kundërshtoi gjatë mbledhjes së komisionit.
Në rend dite është edhe pr/ligjin “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore” dhe një shtesë në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”.
Pjesë e punimeve të sotme do të jenë edhe disa ndryshime në ligjin “Për noterinë”, si dhe disa shtesa në ligjin “Për arsimin e lartë.
Ndërkohë që në fund të seancës është planifikuar edhe një interpelancë me Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, e kërkuar nga deputetja e PS-së, Arta Dade.