E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, kërkohet zbatimi i Kushtetutës në mbarë vendin

PRISHTINE-Kuvendi i Kosovës po debaton sot në lidhje me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Propozuesi i kësaj pike të rendit të ditës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se tashmë është momenti kur institucionet e Kosovës duhet ta thonë fjalën e vet në lidhje me zbatimin e Kushtetutës në gjithë territorin e vendit.

“Kosova po zvogëlohet nga aspekti territorial. Në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, shteti ynë fqinj ushtron të vetmin rol të pushtetit në Kosovë, me praninë e të gjitha dikastereve të Qeverisë së Serbisë”, tha Daci.

Deputeti Nexhat Daci tha se mbajtja e pakontrolluar e kufirit në veri dhe funksionimi i strukturave paralele po i kushtojnë miliona euro buxhetit të Kosovës.

Në emër të Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi prezantoi planet e parapara për shtrirjen e pushtetit në veri, përmes zbatimit të strategjisë për integrimin e kësaj pjese.

Ai e siguroi Kuvendin se Qeveria tashmë është e gatshme të fillojë shtrirjen e pushtetit në veri, për t’i dhënë fund, siç tha kryeministri, kaosit 10-vjeçar atje.

Thaçi përjashtoi përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në veri, kurse mbështeti një shtrirje edhe më të gjerë të pranisë ndërkombëtare atje.

“Si kryeministër i Kosovës, dua të theksoj se Qeveria është përfundimisht e vendosur për shtrirje institucionale dhe kujdes institucional në veri”.

“Strategjia për veriun është e bazuar në katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, decentralizimi apo reformimi i pushtetit lokal dhe themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut, adresimi i qeverisjes në tri komunat e veriut, në Leposavic, Zubin Potok e Zveçan, dhe përmirësimi i situatës socio-ekonomike në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Parashtruesi i kërkesës për debat, LDD-ja, kërkoi që ky debat parlamentar të rezultojë në fund me miratimin e një rezolute, me të cilën do t’i kërkohej Qeverisë dhe institucioneve të tjera relevante të zbatojnë Kushtetutën në gjithë territorin e Kosovës dhe të pamundësojnë funksionimin e mëtutjeshëm të strukturave të pushtetit të Serbisë në Kosovë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›