E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më i fortë se Ronaldo

Mario Balotelli nuk e ka ndërmend të ndalet. Sulmuesi karakteristik italian, me prejardhje ganeze, dëshiron të bëhet futbollist më i mirë se Cristiano Ronaldo. 19 vjeçarit i kishte mbetur hatri vitin e kaluar ndaj yllit portugez, i cili nuk ia kishte plotësuar një dëshirë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.

“Pas ndeshjes me Manchester, unë ia kërkova fanellën Ronaldos, por ai më tha ‘ia kam premtuar dikujt tjetër’. E unë iu përgjigja: do të bëhem më i fortë se ti”, theksoi sulmuesi i Interit në një intervistë për emisionin Le Iene.

Balotelli e ka pranuar se shpesh ka zënka me trajnerin Jose Mourinho, por që në fund qartësohen dhe çdo gjë rregullohet. “Me Mourinhon grindemi shpesh, nuk shkon gjithmonë mirë, por ai ma do të mirën”, vazhdoi ai.

“Rebeli” Balotelli e ka qartësuar një herë e përgjithmonë se nuk është tifoz i Milanit, ashtu siç shkruajnë shpesh mediet italiane. “Si fëmijë bëja tifo për Milanin, kjo është e vërtetë. Tash nuk jam tifoz i askujt, dëshiroj të luaj dhe të fitoj për Interin. Dëshiroj ta qartësoj se kam shkuar për ta parë Milan-Manchester sepse ishte një ndeshje e madhe, jo për t’i mbështetur Rossonerët”, shpjegoi ai.

Balotelli është ndalur të flasë edhe për të shumëpërmendurin në Itali, racizmin. Ai është bërë shpesh objekt i thirrjeve raciste, por Mario ndihet evropian.
“Unë jam italian, të gjithë e dinë këtë. Unë jam pjesë e vogël e botës dhe nuk mund të ndryshoj asgjë. Nuk besoj se do të jetë gjithmonë kështu, mendoj se gjërat po përmirësohen. Edhe pse m’i bëjnë këto gjëra, unë nuk do të ndalem. Nëse ia bëjnë ndonjë futbollisti tjetër dhe ai nuk vazhdon të luajë, po të isha unë ai që vendos, do ta ndërprisja ndeshjen ose do të vendosja që loja të zhvillohet pa shikues”, vazhdoi 19 vjeçari.

Balotelli, i cili e ka refuzuar disa herë Kombëtaren e Ganës (ka prindër ganezë), ëndërron të luajë për Italinë. Ai njihet si futbollist i papjekur, por karakteristikë e tij është se nuk i gëzohet shumë golit. Por, premton se këtë do ta bëjë në rast të veçantë.

“E kam thënë se do të festoj në finale të Botërorit. Por, ia shtoj edhe këtë se do të festoja edhe në finale të Ligës së Kampionëve, sepse ëndërr e imja gjithmonë ka qenë që të shënoj gol në një garë të rëndësishme në minutën e fundit. Dhe ndoshta, duke mos luajtur që nga fillimi, duke hyrë në lojë, shënuar dhe fituar”, përfundoi sulmuesi Nerazzurr.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›