E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosin 19-vjeçarin, në kërkim dy autorët

LUSHNJË/ Policia ka identifikuar si autorë të ngjarjes 19-vjeçarin Mishel Veliu dhe 34-vjeçarin Gentian Shurdhi

Motivet e dobëta kanë qenë ato që kanë çuar në plagosjen e Ristan Kuqit, edhe ky banor i Lushnjës

LUSHNJË - Një grindje e cilësuar nga policia për motive banale ka përfunduar me plagosjen e njërit prej të rinjve të përfshirë në të. Fatmirësisht sherri ka përfunduar pa viktima. Një 19-vjeçar ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë, ndërkohë që dy autorët janë identifikuar nga policia, por ende nuk janë prangosur.


Ngjarja në fjalë ka ndodhur në qytetin e Lushnjës, rreth orës 17:30. Burimet e gazetës pohojnë se katër të rinj janë përfshirë në sherr në afërsi të Urës së Përroit në bulevardin kryesor. Sherri mes të rinjve ka nisur fillimisht me grushta dhe më pas është përdorur edhe arma e zjarrit.


Skena e përplasjes mes të rinjve është parë nga dhjetëra dëshmitarë okularë, të cilët kanë njoftuar policinë. Vendi i ngjarjes ndodhet vetëm rreth 50 metra nga komisariati i policisë së Lushnjës. Burimet nga qyteti i Lushnjës tregojnë se tre të rinjtë fillimisht janë fjalosur me njëri-tjetrin.


Ata kanë qenë në një makinë tip Fiat dhe janë larguar po me këtë makinë pasi kanë lënë të plagosur 19-vjeçarin Ristan Kuqi, lindur në Plyk dhe banues prej pak kohësh në Lushnjë. Mësohet se fillimisht ata e kanë qëlluar me shqelma dhe me grushte të riun dhe pasi e kanë shtrirë në tokë, njëri prej tyre ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante pa leje dhe ka shtënë në drejtim të 19-vjeçarit Kuqi.


Fatmirësisht plumbi e ka marrë këtë të fundit në këmbë. Më pas autorët kanë hipur në automjetin e tyre tip "Fiat" dhe janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka mbërritur për pak minuta në vendin e ngjarjes dhe pasi ka bërë administrimin e provave paraprake ka nisur procesin e identifikimit të autorëve.


Ndërkohë që Ristan Kuqi është transportuar për në spitalin civil të qytetit, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë pohuar për gazetën se brenda 30 minutash efektivat e policisë kriminale kanë mundur të identifikojnë autorët.


Zyrtarisht, policia ka deklaruar se janë dy autorët e ngjarjes së rëndë. "Autorët e identifikuar nga ana jonë janë Gentian Shurdhi, 34 vjeç, si dhe 19-vjeçari Mishel Veliu lindur dhe banues në Lushnjë. Jemi duke kërkuar autorët dhe pohojmë se brenda pak orësh ata do të vihen në pranga",- është shprehur shefi i komisariatit të policisë Lushnjë, Latif Kulla.


Motiv i kësaj plagosjeje të rëndë, sipas burimeve zyrtare të policies, mësohet se ka qenë një sherr banal. Megjithatë vijimi i hetimeve do të zbardhë përfundimisht ngjarjen që tronditi pasditen e së enjtes qytetin e Lushnjës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›