Kuvend, pritet të shqyrtohet privatizimi i Albpetrolit

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare, pasi dita e enjte shënon 22 marsin, fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhje 20 vite më parë.
Në seancën e sotme pritet të ketë debate në lidhje me privatizimin e Albpetrolin për të cilën opozita ka deklaruar se do të votojë kundër.
Deputetët socialistë kundështojnë fort privatizimin e kompanisë së vetme të nxjerrjes së naftës në vend, pasi sipas tyre po bëhet në mungesë të plotë të transparencës.
Një tjetër projekligj që pritet të shqyrtohet sot është edhe ai “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i cili u miratua disa ditë më parë në komisionin e ekonomisë. Opozita është shprehur kundër ndryshimeve në ligj pasi sipas saj ndryshimet në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme i jep pushtet absolut qeverisë.
Ndërkohë, në rendin e ditës janë parashikuar për votim projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në fushën e përfaqësimit konsullor”; Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Malit të Zi”; Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)”; projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr.7811,datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim).”