Kuvend, debate për privatizimin e Albpetrolit

Seanca plenare e Kuvendit ka nisur sot me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës për privatizimin e kompanisë shtetërore Albpetrol. Deputetët e mazhorancës kërkuan që të diskutoheshin bashkë të dy projektligjet “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve” gjë që është kundërshtuar nga deputeti i PS-së Erjon Braçe. Në nisje të seancës, deputeti i PS-së Erion Braçe ka shtruar disa pyetje në lidhje me prvatizimin e Albpetrol ndërsa ka kërkuar sqarime nga ministri i ekonomisë Nasip Naço në lidhje me zonën c.
Braçe kërkoi të dijë sa është sasia e naftës që përfiton kompania Albpetrol në vit dhe vlera monetare të paktën për 3 vitet në vijim.
"Sa janë respektuar marëveshjet e hidrokarbureve të kompanisë albpetrol, dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur ministria?" i është drejtuar Braçe ministri Naço.
Kryetari i Komisionit të ekonomisë, Edmond Spaho në mbrojtje të privatizimit tha se Albpetrol nuk është ndonjë pasuri kaq e madhe saqë sapo ta nxjerrësh në treg të mund ti nxjerrësh një blerës potencial. "Kemi eksperienca që nuk kanë arritur të privatizohen pasi i ka rënë vlera e ndërmarrjes. Prandaj duhet që ndërmarrjen ta nxjerrim në vlera reale” ka theksuar më tej Spaho.
Deputetët socialistë kundështojnë fort privatizimin e kompanisë së vetme të nxjerrjes së naftës në vend, pasi sipas tyre po bëhet në mungesë të plotë të transparencës.
Një tjetër projekligj që pritet të shqyrtohet sot është edhe ai “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i cili u miratua disa ditë më parë në komisionin e ekonomisë. Opozita është shprehur kundër ndryshimeve në ligj pasi sipas saj ndryshimet në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme i jep pushtet absolut qeverisë.
Ndërkohë, në rendin e ditës janë parashikuar për votim projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, në fushën e përfaqësimit konsullor”; Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për zgjidhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Malit të Zi”; Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhim)”; projektligj “Për një ndryshim në ligjin nr.7811,datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim).”