E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi dështon në realizimin e planit vjetor

Kuvendi i Kosovës as këtë vit nuk ka arritur ta përmbushë agjendën legjislative. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë dështim e bart edhe Qeveria, për shkak se as ajo nuk i ka proceduar në Kuvend të gjitha projektligjet që i kishte planifikuar se do t’i miratonte brenda vitit 2012.

Nga 109 projektligje sa kanë qenë në plan të Ekzekutivit, në Kuvend janë pranuar vetëm 92 sosh për shqyrtim. Nga to, 67 janë miratuar ndërsa 25 kanë mbetur duke u trajtuar nëpër komisionet funksionale.

Deputetët dhe Qeveria do ta përmbyllin këtë vit pa i miratuar as ligjet që e rregullojnë sistemin e funksionimit të tyre: Ligjin për deputetët dhe Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ky vit do të kalojë edhe pa Ligjin për përgjime, i cili qe miratuar me urgjencë nga Qeveria, pas skandalit të përgjimeve telefonike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe katër zyrtarëve tjerë të Qeverisë e të PDK-së.

Ligjvënësit nuk ia kanë dalë që ta bëjnë një ligj as për veten e tyre, ndonëse kanë punuar në këtë drejtim gjatë gjithë vitit.

Me përjashtim të deputetes së “Vetëvendosjes”, anëtarët e tjerë të nënkomisionit për Mandate dhe Imunitete, të cilët janë ngarkuar me hartimin e Ligjit për deputetë, janë përcaktuar që të mos heqin dorë nga pensioni “suplementar”, pavarësisht nga fakti që Gjykata Kushtetuese, një të tillë pension, e kishte cilësuar antikushtetues dhe “dhuratë pas punësimit”. Ata kanë pranuar të bëjnë lëshime vetëm në aspektin e moshës dhe në përqindjet e përfitimeve të mundshme nga pensionet e tilla, por esencialisht, thelbin e ligjit të mëhershëm, pretendojnë të mos e ndryshojnë.

Në draftin që është duke u punuar nga nënkomisioni parashihet që mosha e pensionimit të deputetit të jetë 60 vjeç.

Komisioni për mandate ka ngecur edhe në harmonizimin e Rregullores së re të punës së Kuvendit. Një nga anëtarët e këtij Komisioni ka thënë se ngecja është shkaktuar më tepër nga Kryesia e Kuvendit, për faktin se anëtarët e këtij organi druajnë se do të zhvishen nga shumica e kompetencave dhe përgjegjësive që i kanë aktualisht.

“Në Kryesi ka nënkryetarë që nuk duan të bien nën nivelin e shefave të grupeve parlamentare”, ka thënë ai.

Pesëshja e nënkryetarëve, që e përbën Kryesinë e Kuvendit, me Projektrregulloren e re, parashihet që më tepër të merret me çështje buxhetore dhe administrative, për sa kohë që barrën kryesore për vendosje të rendit punues në Kuvend planifikohet ta marrin shefat e grupeve parlamentare bashkë me kryeparlamentarin. shkruan "Koha Ditore".

Derisa përfaqësuesit e partive opozitare fajësojnë Qeverinë për ndikimin e saj në agjendën e Kuvendit, monitoruesit e këtij organi konsiderojnë se sivjet Kuvendi ka punuar me një dinamikë më të shtuar se në vitet paraprake. Por, edhe sipas tyre, arritja e realizimit të 100% të planifikimeve akoma mbetet vetëm një dëshirë dhe assesi një mundësi për t’u realizuar./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›