Kuvendi firmos eurobondin, 400 milionë euro me interes 7.5%
Komisioni parlamentar i Ekonomisë aprovoi marrëveshjen e qeverisë për emetimin përmes dy bankave ndërkombëtare të eurobondit prej 400 milionë eurosh. I pranishëm në komision ishte dhe zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda, i cili foli me superlativa për marrjen e borxhit, duke e quajtur sukses të qeverisë shqiptare. Sipas marrëveshjes miratuar dje nga komisioni, huaja do të merret nga bankat ndërkombëtare në bursat e tregtimit të bonove. Qeveria ka rënë dakord me dy bankat “Jp Morgan” dhe “Deustche Bank” për një interes jo më të madh se 7.5 për qind në vit dhe me normë fikse, ndërsa afati i shlyerjes do të jetë pesë vjet.
Qëllimi i borxhit të ri prej 400 milionë eurosh është mbulimi i kostos së krijuar nga interesi i lartë i kredisë së marrë vitin e kaluar për Durrës-Kukës. Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare hyn në tregun financiar të bonove, pas dy tentativave të para, që rezultuan me marrje kredish, gjithnjë për Durrës-Kukës.
“Dua të theksoj faktin se ky është moment historik për qeverinë shqiptare, e cila del për herë të parë në tregun ndërkombëtar të eurobondeve. Stadi aktual ekonomik i Shqipërisë lejon nisma të tilla që garantojnë ulje të borxhit dhe interesa të favorshme”, tha deputeti Sherefedin Shehu.
“E gjithë bota merr borxh për të larë borxhet dhe ne po marrim një pjesë të këtyre që do rezultojnë nga eurobonde dhe kështu po shlyejmë një financim më të shtrenjtë me një më të ulët. Të marrësh një borxh më të lirë për të shlyer një borxh më të shtrenjtë është gjëja më e zgjuar dhe më e pranueshme. Në këtë aspekt, pavarësisht nga teoritë e krizës, njerëzit që nuk e shikojnë kështu e shohin krizën në aspekte të tjera dhe jo në aspektin ekonomik”, u shpreh zv.ministri i Financave, Aldeda. Sipas anëtarit tjetër të komisionit, Syni Hida, bonoja prej 400 milionë eurosh do të zbusë kredinë e marrë vitin e kaluar.
#