E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet çmimi dhe liberalizohet domain.al

AKEP Edhe privatët do të mund të rishesin adresat shqiptare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendosi të ulë çmimin e regjistrimit të adresave të internetit me prapashtesat .al, .com.al etj., si dhe të heqë kriteret për blerjen e një domaini të tillë duke liberalizuar tregun. Lajmi u dha nga vetë Autoriteti. “Kemi vendosur uljen e pagesës së regjistrimit vjetor të emrave të domain-eve në zonën “.al” dhe nën domain-et “.com.al”, “.org.al”, “.net.al”, nga 75 dollarë për çdo dy vjet, në 2000 lekë për çdo dy vjet”, njoftoi AKEP.
“Që sot (dje) mund të bëhet veprimi i regjistrimit, me 1 mijë lekë të reja në vit. Mjafton të futesh në adresën zyrtare të AKEP, ku gjenden formularët e regjistrimit, të cilët për momentin do të dorëzohen me postë, por me kalimin e kohës do bëhet elektronikisht”, tha për “Top Channel”, kreu i AKEP, Pirro Xhixho.

Ndryshimi i dytë i rëndësishëm është që tashmë çdokush në Shqipëri dhe Kosovë do të ketë të drejtë të blejë një domain të tillë. Deri më sot, domain-et me prapashtesën .al mund të bliheshin vetëm nga kompanitë, nga organizatat jofitimprurëse apo nga entet publike. “Kemi vendosur përfshirjen e kategorisë “persona natyrorë” (individë) me banim në Republikën e Shqipërisë dhe “persona natyrorë” me nënshtetësi dhe/ose kombësi shqiptare me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në kategoritë e subjekteve që kanë të drejtën për të regjistruar një emër domain-i në zonën .al dhe nën domain-et .com.al, .org.al, .net.al”, njoftoi AKEP.

Aktualisht, shqiptarët përdorin domain-et ndërkombëtare me prapashtesat .com, .net etj., për të hapur faqet e veta të internetit. Adresa të tilla blihen në internet përkundrejt çmimeve që variojnë nga 5 deri në 20 dollarë në vit. AKEP thotë se së shpejti do të nisë edhe procesin e licencimit të subjekteve që dëshirojnë të funksionojnë si blerës me shumicë dhe shitës me pakicë të adresave me prapashtesa shqiptare. Sot për sot, të gjithë të interesuarit për adresa të tilla duhet të drejtohen vetëm tek AKEP. Blerja e një domain-i është hapi i parë drejt krijimit të një faqeje interneti.
Adresat e internetit menaxhohen nga korporata ICANN, korporata e internetit për numrat dhe emrat e përcaktuar, e cila i jep zakonisht çdo vendi një kod dalës në internet, të ngjashëm me kodin telefonik që përcaktohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Vendet e ndryshme zbatojnë politika të ndryshme për shitjen apo rishitjen e domain-eve kombëtare.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›