KSHC, letër deputetëve për rebelimin e ish-kryetares
Shkarkimi në bllok i katër anëtarëve të Komisionit të Shërbimit Civil nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve, në një kohë kur situata kishte ndryshuar për mirë, erdhi si rrjedhojë i keqinformimit nga ana e ish-kryetares Mimoza Hysenaj. Me anë të një letre dërguar dje të 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, tre anëtarët e KSHC-së, Kostandin Kazanxhi (zv.kryetar), Shahin Bistri dhe Saimir Mani, sqarojnë situatën e krijuar me bllokimin e institucionit për një vit të tërë, shkaqet që e çuan në pikë kritike, si dhe roli i kryetares, deri në shkarkimin e saj. Në letër thuhet se me anë të një memoje (përmbledhje e informacionit), dërguar në Kuvend më 19 mars 2010, anëtarët e Komisionit të Ligjeve janë keqinformuar me qëllim nga ish-kryetarja Hysenaj.
“Pas shkarkimit me tri vota pro të kryetares së KSHC, komisioni zgjodhi nënkryetarin, sikurse e parashikon ligji. Më tej situata u kthye në normalitet, nuk pati më konflikte, u shqyrtuan dosjet e prapambetura të një viti, si dhe u procedua me ankesat e vitit 2010, që prisnin prej tre muajsh. Tashmë komisioni funksionon normalisht dhe kolegjialisht”, thuhet në letër.
Me një punë intensive përgjatë muajit mars, KSHC shqyrtoi dhe mori disa vendime për 71 dosje të bllokuara nga viti 2009, si dhe 76 dosje për periudhën janar-shkurt 2010. Aktualisht nuk ka asnjë punë të prapambetur, ndërsa pritet shqyrtimi i dosjeve të reja.
“Lidhur me trajtimin e problematikës në Komision të Ligjeve kemi mendimin se u zhvillua si rrjedhojë e një dizinformimi që iu bë deputetëve nga një memo nr.787 protokolluar më 19 mars 2010 e këshilltares Elona Kadare, sektori i shërbimit të monitorimit të Kuvendit. Në këtë memo ka shumë deformime të realitetit, të trajtuara njëanshmërisht nën frymën e ish-kryetares Mimoza Hysenaj”, citon letra, e cila shton se pikërisht mbi bazën e këtyre të pavërtetave Komisioni i Ligjeve mori vendimin për shkarkimin në bllok të anëtarëve të KSHC-së. Duke parë rrjedhën e ngjarjeve mëson se në fakt ligjet e përdorën “informacionin e gabuar” si pretekst për shkarkimin e anëtarëve, kur e gjitha ishte veprim i paramenduar një vit më parë, me ndryshimet që iu bënë ligjit për Gjykatën Administrative. Shkaku lidhet me vendimet e KSHC-së që si institucion i pavarur, ka gjykuar me të drejtë për largimet që bën qeveria, duke shkelur ligjet. Më shumë se gjysma e vendimeve të KSHC-së, si dhe pjesa dërrmuese e gjykatave dalin kundër qeverisë sa u takon spastrimeve në administratë, duke shkaktuar në një farë mënyre kosto për buxhetin si rrjedhojë e listë-pritjeve për një vit. Faktin e paramendimit e vërteton vetë letra e KSHC-së drejtuar deputetëve, kur thotë “memoja na u lexua pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, duke mos dhënë mundësi të paraqisnim kundërshtimet dhe të bënim zbardhjen e plotë të gjendjes”.
Për të gjitha ngërçet e krijuara, bllokimin e bërë nga Hysenaj, etj., Kuvendi është njohur rregullisht nga KSHC-ja, përmes letrave kryesisht gjatë tremujorit të fundit të 2009.
#