Kuvendi, grushte dhe sharje mes deputetëve

Kaos në Parlament / Seanca e fundit ka degjeneruar në përplasje fizike në momentin e votimit të buxhetit. Lefter Maliqi godet me grusht nga pas Erjon Braçen. Gjovalin Kadeli përplaset me punonjësit e gardës
TIRANË - Seanca e fundit parlamentare ka degjeneruar në grushte, sharje dhe kërcënime mes deputeteve në sallën e Parlamentit.
Debatet e ashpra mes deputetëve të të dyja krahëve politike nisën pasi kryetarja Jozefina Topalli deklaroi votimin nen për nen të shkurtimeve në projektbuxhetin e buxhetin për vitin 2010. Ngjarja precipitoi kur deputeti demokrat Lefter Maliqi goditi me grusht deputetin e Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i cili së bashku me disa deputetë të tjerë shkuan në drejtim të kryetares së Kuvendit.
Ata janë ndaluar nga forcat e gardës së republikës, por grindjet nuk mbaruan me kaq. Në momentin kur deputeti Braçe u godit nga deputeti demokrat Maliqi, ka ndërhyrë deputeti tjetër i PS-së, Gjovalin Kadeli, i cili u konfrontua fizikisht me deputetin demokrat të qarkut të Beratit. Gjatë këtij momenti ka ndodhur një konfrontim edhe midis Kadelit dhe punonjësve të gardës.
Deputeti socialist, Erjon Braçe, dhe deputeti demokrat, Lefter Maliqi, janë konfrontuar fizikisht dje gjatë seancës plenare. Sherri nisi kur kryeparlamentarja Topalli vendosi që pas fjalës së deputetit të Elbasanit, Agim Leka, ta kalonte projektbuxhetin për miratim, por një gjë e tillë u kundërshtua nga deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kërkuan më shumë kohë për diskutime.
Deputeti socialist, Ilir Beqaj, iu drejtua me rregulloren e Kuvendit kryetares Topalli, duke u ndjekur nga pas edhe nga deputetët e tjerë të grupit parlamentar socialist.
Midis deputetëve të majtë ka qenë edhe deputeti Braçe, i cili në ato momente ka mbajtur një shishe uji në dorë. Sapo e kanë parë me shishe uji në dorë, punonjësit e gardës janë afruar t'ia heqin atë nga dora, gjë që ka nervozuar edhe deputetët e tjerë të majtë.
Në këtë rrëmujë e sipër, është ngritur nga karrigia deputeti demokrat, Lefter Maliqi, qëlloi nga mbrapa me grusht deputetin socialist Erion Braçe. Ky veprim shkaktoi irritimin e deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, duke u përfshirë edhe ata në përplasje.
Gjatë kësaj kohe deputetët e të dyja krahëve janë sharë dhe kërcënuar me njëri-tjetrin, ndërsa vetëm ndërhyrja e gardës pa penguar precipitimin e konfliktit.
Momenti më i tensionuar ka qenë kur deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka marrë një karrike dhe ka tentuar për të shkuar në krahun tjetër të lozhës. Por, kanë ndërhyrë aty për aty deputetët e tjerë socialistë.
Garda ka marrë masat duke ndarë sherrin dhe më pas është kujdesur që Lefter Maliqi të largohej nga pjesa e pasme e Parlamentit, i mbuluar me një mushama.
Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi e justifikoi dje veprimin e tij duke thënë se arsyeja e ndërhyrjes ka qenë mbrojtja e kryeparlamentares Topalli ngo ndonjë sulm i mundshëm i Braçes.
"Kur kryetarja e parlamentit, zonja Topalli kërkoi pesë minuta pushim deputeti Braçe vajti para dhe me shishe në dorë donte ta qëllonte kryetaren e parlamentit, duke e sharë dhe fyer. Unë i qëllova atij dhe vajta për t'i marrë shishen.
Ai reagoi dhe kaq ishte incidenti midis njëri-tjetrit" u shpreh Maliqi .
Ndërsa deputetja socialiste Rudina Seseri deklaroi se incidenti erdhi pas dhunimit të procedurave të votimit nga kryeparlamentarja Topalli.
Sipas deputetes, Seseri ka qenë deputeti demokrat Lefter Maliqi, i cili nisi edhe konfliktin mes dy deputetëve të të njëjtit qark. "Drejtuesja e seancës vendosi të kalojë direkt në votim duke dhunuar të gjithë procedurat dhe kur deputetët e PS reaguan ndaj këtij veprimi kaq flagrant pati një përplasje, pasi një nga deputetët e PD goditi pas shpine, ndërsa ai po largohej njërin nga deputetët e PS", - u shpreh Seseri.
*************************
Deputeti: Shkova që të mbroja Braçen dhe ndërhyri Garda. Nuk mund të riprodhoj të gjithë ngjarjen
Kadeli përplaset me gardistët
Konflikti mes Gjovalin Kadelit dhe punonjësve të gardës nisi kur deputetët socialistë iu afruan deputetit Braçe. Në momentet kur garda tentoi që të largonte deputetët socialistë, Gjovalin Kadeli ka goditur një prej punonjësve të gardës me grusht.
Sipas njoftimit të gardës, deputeti socialist, Gjovalin Kadeli, ka goditur një nga punonjësit e saj dhe se këtë ngjarje do ta ndjekë edhe në rrugë gjyqësore. "Kjo është një dukuri e përsëritur.
Garda e Republikës do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për këtë ngjarje", thuhet në një njoftim të këtij institucioni. I kontaktuar një telefon nga gazeta "Shekulli", deputeti Kadeli shprehet se incidenti ndodhi kur garda nuk mbrojti deputetin Braçe nga deputeti Maliqi. Sipas tij, në ato momente deputeti Braçe ka qenë rrethuar nga punonjësit e gardës.
"Detyra e gardës është të mbrojë deputetët gjë që ata nuk e bënë dhe u detyruam ne kolegët që të shmangim këtë. Unë shkova pranë deputetit Braçe për të larguar deputetin Maliqi. Në këtë moment ndërhyri garda, por është e vështirë për ta riprodhuar të gjithën", - u shpreh deputeti socialist.
******************
Kryeministri tallet në seancën e shkurtimeve në buxhet dhe vlerëson diskutimet e deputetëve
Berisha u vendos nota deputetëve socialistë
Gjatë debateve për ndryshimet në Buxhet midis kreut të qeverisë dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kryeministri Berisha ka mbajtur shënime dhe ka vendosur nota. Edhe pse nuk ka qenë asnjë herë mësues ai ka preferuar që të marrë këtë rol gjatë seancës së djeshme.
"Zoti Ruçi, dua të njoftoj se zonja Arta Dade është kualifikuar me notën 6.5, notën më të ulët e ka marrë zoti Arben Malaj, pesë. Shtatë ka marrë zonja Seseri, se kaq i vlen, zonja Berberi nuk e lartëson më shumë. Zoti Agim Leka, star i vërtetë ia ka kaluar dhe Fidelit, 9.5. Shega ka marrë 9.8 për meritën e vetme se ka lexuar fjalimin e kryetarit të PS këtu, bravo të uroj.
Arta betohu ti se do rrëzosh Sali Berishën, por e vërteta është se do rrëzohesh rrugës 10 herë përpara se ta rrëzosh. Olta Xhacka 9.3. Komandant, ti nuk ke notë, ty nuk të vejnë se të kanë frikë", tha kryeministri. Kjo ka sjellë edhe reagimin e deputetëve të majtë, të cilët u përmendën nga kreu i qeverisë. Deputetja Ermelinda Meksi kërkoi më shumë seriozitet nga kreu i qeverisë lidhur me diskutimet për ndryshimet për buxhetin e shtetit.
"Prisja që kryeministri të fliste me seriozitet për çfarë kërcënohet ekonomia ndaj shkurtimeve, por ai e paska marrë seriozisht për të fyer zonja dhe zotërinj të nderuar të PS", u shpreh Meksi. Me të njëjtin ton ka reaguar edhe deputetja tjetër e PS, Ligori.
"Do doja të kisha kryeministrin këtu dhe t'i thosha në sy që është burracak. Unë për hir të së vërtetës kam marrë vetëm 10-a. Mbase mësoja shumë, mbase çështje fati. Besoj që kam qenë avokate e suksesshme, e lashë për të hyrë në politikë.
Por një gjë u them shqiptarëve se rastin e kryeministrit dhe qeverisë nuk do ta kisha marrë kurrë në mbrojtje se është i pashpresë, është rast korrupsioni që nuk mbrohet para asnjë trupi gjykues", deklaroi deputetja socialiste.
Berisha
Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar janë eksportuar 41 miliardë mallra eksporti nga ky vend. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 janë eksportuar 81 miliardë mallra. I them këto, sepse ka disa prej jush që dinë të bëjnë llogari dhe jo ata që dalin me kryetarin tuaj, sepse t'u nxjerrësh Shkëlqim Canin shqiptarëve është një lloj sikur t'u nxjerrësh një dordolec ekonomik.
Gramoz Ruçi
Ne e kemi për nder që kemi në gjirin tonë ish-guvernatorin e Shqipërisë, shumë të suksesshëm. Por është e pafalshme për ju përdorimi i epiteteve ndaj tij.
Jemi po kaq të nderuar dhe të respektuar, që kemi një zonjë të nderuar siç është zonja Berberi, me plot tituj e grada shkencore. Jemi po kaq të nderuar me zonjën Seseri dhe po kaq të nderuar që ju shpeshherë zini në gojë disa deputetët tanë që qenkan milionerë. Po, e kemi për nder që i kemi ata.
Dhe e kanë vënë pasurinë e tyre në mënyrë të ndershme. Në qoftë se keni qoftë edhe një dyshim tek ata, ja ku i kini ballë për ballë, shtetin e keni, institucionet i keni. Por para se të zini ata në gojë jepini përgjigje këtu akuzave të opozitës.
Jepini përgjigje akuzave të opozitës për korrupsionin qeveritar. Sot ju "de jure" jeni rrëzuar politikisht si qeveri. Kjo është edhe arsyeja që ju kërkoni ta shpërndani, si shkatërrues i mirëfilltë që jeni, topin, sa tek ata që janë në sallën e parlamentit, aq edhe tek ata që s'janë në sallën e parlamentit.
Erjon Braçe
Kujdes me fjalorin se je dhe gjysh
Jozefina Topalli
Të tërheq vëmendjen zoti Braçe
Berisha
Flas me fjalorin që duhet. Ju jeni kundër rritjes së pensioneve. Sa e ke pasur fondin për pensionet në vitin 2004, 50 miliardë, sot është 109 miliardë. Si mund të ngriheni në këtë mënyrë për pensionet. I bëj thirrje çdo pensionisti shqiptar të mbajë shënim pashpritësinë tuaj, të vijë e të kontrollojë sa ka qenë fondi në 2004 dhe sa është sot, të kontrollojë gjithë fondet e pensioneve në botë dhe nëse ka rritje qoftë sa gjysma të vijë të flasë në kuvend.
Fatmir Xhafaj
E the këtë njëherë.
Sali Berisha
Po do ta them 100 herë se keni 2 muaj që e kundërshtoni.
Ermelinda Meksi
Besoj se kryeministri e ka aq burrërinë sa të rrijë në debatin për buxhetin, meqenëse mori pjesë menduam se do të fliste si kryeministër. Mendova personalisht se ndërhyrja e tij i shërbente më shumë korrigjimit të ndërhyrjes fyese të ministrit të Financave në adresë të dy zonjave shumë të respektuara deputeteve të PS.
Rudina Seseri
Unë nuk i di kapacitet e kryeministrit si mjek, por në fushën e ekonomisë mbetet një amator i dështuar që po e fut vendin në qorrsokak. Prandaj i rekomandoj zoti kryeministër që këto përralla për fanarin ndriçues t'i shkruajë në kujtimet e tij, siç bënte Enveri kur shkruante për kapitalizmin dhe lindjen e mesme.
Arta Dade
Të nderuar deputetë unë dhe zoti Sali këto javë jemi bërë gjyshër, jo për herë të parë. Çdo fëmijë që vjen në jetë më bën më të dhimbshëm për hallet e njerëzve dhe sigurisht më bën të reflektoj çfarë të ardhme kanë ata fëmijë që vijnë në jetë në Shqipëri. Shpreh keqardhjen e thellë që kryeministri me sa duket një i ardhur rishtas në jetë e ka luajtur nga fiqiri.
Fidel Ylli
Zoti kryeministër u përpoqe në '96-ën të shkatërroje biznesin tim ku është një vend që nuk rrinin socialistët, por rrinin këta ministra që janë sot pas meje, këta ministra që ishin nga krijuesit e PD, por iu përjashtuan dhe gjetën strehë tek Fideli si një mik i tyre jo thjesht si një opozitar i juaji. Dhe dua të them se nëse ke ndonjë gjë personalisht me mua apo politikisht bëje, por biznesin tim lëre rehat se është biznes i ndershëm.