Mungojnë votat, mazhoranca tërhiqet nga ligji i SHISH

Kryetarja e Kuvendit ka mbajtur të fshehtë axhendën e punimeve dhe kur ka parë që nuk mjaftonin votat, ka hequr ligjin
TIRANË - Mazhoranca tërhiqet nga ideja e saj për kalimin me çdo kusht të ligjit të SHISH në parlament. Votat e pamjaftueshme të Partisë Demokratike kanë bërë që kjo forcë të tërhiqet nga miratimi i ndryshimeve. Kryeministri Berisha ka tentuar të bëjë negociata me partitë e tjera aleate dhe për këtë gjë e ka mbajtur të fshehtë kalendarin e punimeve të seancës së djeshme.
Madje, edhe vetë seanca, është shtyrë për rreth një orë e gjysmë. Mësohet se mazhoranca ka shpresuar që ta kalojë projektligjin e SHISH deri në momentin e fundit. Pavarësisht detyrimit për të publikuar kalendarin e punimeve dy ditë përpara, vetëm të dielën Kuvendi nxori lajmërimin për orën e zhvillimit të seancës parlamentare, ndërkohë që kalendarin e punimeve nuk e publikoi.
Në rast se mazhoranca do të kishte numrat e nevojshëm në sallë, do të hidhte për votim ligjin e SHISH ose amendimin e propozuar nga deputeti i PD, Fatos Hoxha, por, pasi pa se kjo gjë ishte e pamundur, u tërhoq. Mazhoranca vendosi ta hidhte në votim ligjin e SHISH në seancën e kaluar, por pas kundërshtimeve të forta të opozitës kryeparlamentarja Topalli tha: "E shtyjmë votimin për 24 orë". Por në seancën e djeshme, katër ditë më pas, ligji nuk u hodh në votim.
Tashmë mazhoranca do të tentojë në muajin shtator që të votojë projektligjin e SHISH bashkë edhe me ligjet e tjera, të cilët mbetën nga ky sesion. Sipas projektligjit të SHISH, të propozuar nga Këshilli i Ministrave, Shërbimi vendoset nën varësi të kryeministrit. Projektligji i qeverisë parashikon që drejtori i SHISH i paraqet kryeministrit një raport vjetor për punën e shërbimit, si edhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij.
Po në nenin 5 të projektligjit për Shërbimin Informativ Kombëtar shtohet edhe një pikë e re, në të cilën thuhet se "kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara".
Sipas projektligjit për SHISH-in, ky shërbim ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si edhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike.
Në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e kryeministrit me shërbime informative të vendeve të huaja. Lidhur me mandatin e drejtorit të SHISH, neni 5 përcakton se "Drejtori qëndron në detyrë me një mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë".
Ndërsa varianti tjetër i propozuar nga deputeti Fatos Hoxha në thelb ka vetëm një ndryshim. Deputeti i PD kërkon që kreu aktual i SHISH të shkarkohet gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ndërsa zëvendësdrejtori pas tre muajsh.
Rregullorja
Edhe pse deputetët e majtë kërkuan me ngulm që të kishin në dorë kalendarin e punimeve të seancës plenare të Kuvendit, ajo u mbajt e fshehur nga kryeparlamentarja Topalli.
Rregullorja e Kuvendit thotë në nenin 27, pika 5: "Kalendari i punimeve të Kuvendit përmban në mënyrë të detajuar kohën kur Kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione.
Kalendari publikohet dhe u shpërndahet deputetëve, si dhe u vihet në dispozicion përfaqësuesve të medias. Në çdo rast, rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare".
Kundërshtimet
Projektligji i ri është kundërshtuar, si nga klasa politike brenda vendit ashtu edhe nga edhe nga faktori ndërkombëtar. Presidenti Bamir Topi paralajmëroi mazhorancës se edhe në rast se do të kalonte në parlament projektligji i SHISH, ai nuk do ta dekretonte.
Një gjë e tillë do ta rikthente për shqyrtim nga e para këtë projektligj ku mazhorancës do t'i duhej të kalonte përsëri provën e "zjarrit" në parlament. Edhe ambasadori amerikan, Xhon Uithers, deklaroi se SHBA vazhdon të ruajë të njëjtin qëndrim të shprehur që në mars kundër miratimit të ligjit të SHISH.
Para seancës, Berisha negociata me Metën
TIRANË- Kreu i qeverisë Sali Berisha para se të fillonte seanca parlamentare ka tentuar që të bindë për herë të fundit kreun e LSI-së, Ilir Meta, që të japë votën pro ndryshimeve në ligj.
Burime nga grupi i deputetëve të PD-së thanë se para seancës kreu i mazhorancës ka negociuar me zëvendëskryeministrin Meta, duke i kërkuar që vota e tij dhe e deputetëve të LSI-së të jetë pro ndryshimeve në projektligjin e SHISH. Por edhe pas kësaj kërkese, LSI nuk ka ndryshuar qëndrim për ligjin e SHISH.
Katër ditë më parë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se kundërshtimi i forcës që ai drejton është parimor dhe se lidhet me ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura. "Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera.
Edhe për institucionin në fjalë kjo është më se normale, që të vendoset një afat ligjor. Por, njëkohësisht është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirë konsultuar me NATO-n", deklaroi zëvendëskryeministri Meta.
Ligjet që mbetën për sesionin tjetër
Mazhoranca përveç ndryshimeve në ligjin për SHISH ka shtyrë për në sesionin tjetër që fillon në shator edhe disa ligje të tjera, të cilat nuk mund të kalonin pa votat e opozitës, pasi duan 84 vota.
Për miratimin e tyre mazhoranca duhet të shpresojë në zgjidhjen e krizës politike dhe më pas kalimin e tyre në seancë parlamentare. Ndër ligjet më të rëndësishme ka ngelur pa miratuar projektligji "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative", si dhe shtatë kode, të cilat kërkojnë 84 vota për të kaluar.
PA U KALUAR NË VOTIM NGA RENDI I DJESHËM I SEANCËS PLENARE
9. Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
10. Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
12. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
13. Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
14. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
15. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
16. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
17. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".
KREU IV
PROCESI LIGJVËNËS
Neni 81
1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës.
2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.