E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi hetim Ina Rames

24/01/2011  Mazhoranca thërret Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme

Projekti synon hetimin e punës së SHISH-it dhe Prokurorisë mbi 21 janarin

Mazhoranca parlamentare thërriti mbrëmjen e djeshme në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Shqipërisë. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e pasdites së qeverisë, ku më pas u organizua dhe seanca e jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për atë çka cilësohet nga mazhoranca “grusht shteti” të organizuar nga opozita e kryesuar nga lideri i saj Edi Rama në demonstratën e 21 janarit. Në punimet e seancës jashtë radhe, në fjalën e tij, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha se ishte e nevojshme që opozita të ishte në séance, megjithatë, pohoi se vendimmarrja politike i përket asaj. “Ne jemi mazhoranca legjitime në vend, edhe opozita është legjitime, por mungesa e saj në këtë seancë nxin”, tha Patozi. Ai nënvizoi se politikanët nuk dinë çfarë tu thonë gardistëve ndaj të cilëve janë lëshuar fletë arresti, ndërkohë që sipas Patozit, ata zbatuan ligjin në mbrojtje të institucioneve.

Komisioni hetimor

Deputetët e mazhorancës në mungesë të atyre opozitarë, miratuan në orët e vona të natës së djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, me kërkesë të firmosur nga 38 deputetë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ketë si objektiv hetimin e punës së kryer para, gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit të organizuar nga përfaqësuesit opozitarë, demonstratë kjo e cila përfundoi me vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dhjetërave të tjerë. Kështu, Parlamenti miratoi mbrëmë me 73 votat e mazhorancës dhe pa prezencën e opozitës ngritjen e komisionit hetimor për atë çka cilësohet nga mazhoranca si “grusht shteti” i datës 23 janar 2011. Sipas asaj, çka u deklarua në seancën parlamentare projekti synon hetimin e punës së Shërbimit Informativ Shtetëror dhe nxjerrjen e përgjegjësive për mosfunksionimin e strukturës paralajmëruese për rrezikun e përmbysjes me dhunë të qeverisë. Një tjetër objekt hetimi është puna e bërë nga Prokuroria për hetimin e nxitësve dhe dhunuesve të institucioneve të shtetit në datën 21 janar.

Përbërja e komisionit

Komisioni hetimor parlamentar me kërkesë të 38 deputetëve të mazhorancës, në përbërje të tij do të përfaqësohet nga gjashtë deputetë të mazhorancës, dhe pesë vende të tjera momentalisht nuk janë plotësuar për shkak të bojkotit të opozitës mbrëmjen e djeshme. Kështu, përfaqësuesit e PD-së në komision janë: Fatos Hoxha, Enkelejd Alibeaj, Eduard Halimi, Genc Strazimiri, Dash Sula dhe Viktor Gumi.

Opozita mungon

Opozita, ashtu si dhe pritej, nuk mori pjesë në zhvillimet e mbrëmjes së jashtëzakonshme të punimeve të Kuvendit, ku u miratua ngritja e një komisioni hetimor parlamentar mbi tërësinë e ngjarjeve të ndodhura në demonstratën e 21 janarit.

Ilir Meta

Dy ditë para shpërthimit të dhunës para Kryeministrisë kam paralajmëruar publikisht se përfaqësuesit e opozitës po rekrutonin nëpër rrethe njerëz me precedentë penalë, për ti sjellë më pas në Tiranë më 21 janar. Duhet të ishte bërë më shumë nga ana e shërbimeve informative mbi atë çka po ndodhte.

Sali Berisha

Një javë më parë nga kjo foltore, kreu i grupit parlamentar të PS-së, u bëri thirrje shqiptarëve duke u thënë “Bashkohuni të gjithë në puçin e shtetit!” Edi Rama pasi dështoi në të gjitha tentativat e tij për të marrë pushtetin u kthye te dhuna, për të realizuar më pas aktin më të turpshëm.

Berisha: Komision hetimor për puçin

Kryeministri mblodhi pasditen e djeshme ministrat në mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit ministror, në të cilin kërkoi publikisht ngritjen e një komisioni hetimor për grusht shteti, si dhe sulmoi Ina Ramën. Kryeministri Berisha deklaroi dje pasdite se po dje do të mbledhë Parlamentin, me qëllim ngritjen e një komisioni hetimor për grushtin e shtetit të organizuar nga opozita, e cila mbështetet në mbrojtjen që kryeprokurorja Ina Rama i bën asaj. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë “Berisha” paralajmëroi kryesocialistin Rama duke i thënë se: “Tentove më të rrethosh Kryeministrisë do gjesh vetëm atë që meriton banditi”. Berisha gjatë mbledhjes se qeverisë la të nënkuptonte se temë e diskutimit me ambasadorët, gjatë pasdites kishte qenë dhe manifestimi i mërkurës. “Unë i sqarova se ishte paqësor dhe nuk kishte asgjë tjetër veçse kundër dhunës. Kam menduar që manifestimi paqësor të mos bëhet të mërkurën, por të shtunën. Ta përgatisim edhe më festiv dhe më të bukur dhe për të mos ndërprerë punën”, – deklaroi dje Kryeministri Berisha. Shefi i mazhorancës, i cili argumentoi mbledhjen e Kuvendit me faktin se nesër (sot) delegacioni shqiptar do të niset drejt Strasburgut ku do të diskutohet mbi raportin e Dick Marty-t në lidhje me Kosovën.

Kryeministri Berisha kundër kryeprokurores Rama

“E papranueshme anësimi i saj total nga opozita”

Albana Lika

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë kryeministri Sali Berisha ka sulmuar prokuroren e përgjithshme Ina Ramën për punën e saj në krye të organit të akuzës, duke deklaruar se gjatë tre vjetve të mandatit të saj ka përdorur dy standarde. Kreu i qeverisë përmes disa episodeve të këtyre ditëve nënkuptoi akuzën se kryeprokurorja po bashkëpunon me kreun e opozitës, duke e përfshirë edhe atë në përpilimin e skenarit të puçit ndaj qeverisë. Berisha e cilësoi antiligjore edhe kërkesën e saj për të arrestuar krerët e Gardës së Republikës. Akuza si dhe shumë të tjera, sipas tij, do të hetohen nga një komision hetimor që do të ngrejë mazhoranca.

Sulm kryeprokurores

Qëndrimi i Ina Ramës si kryeprokurore në drejtimin e organit të akuzës që nga nëntori i 2007-s, në mungesë të fillimit të hetimit penal ndaj eksponentëve të majtë apo dhe administratës qeverisëse, si dhe kërkesa për urdhërarrestin e drejtuesve të Gardës e kanë shtyrë kreun qeverisë në përfundimin se kryeprokurorja nuk respekton ligjin, por urdhrat politikë të kreut të opozitës. “Kjo zonjë që kur është emëruar me votën time e të mazhorancës nuk ka hapur asnjë çështje penale ndaj asnjë eksponenti të qeverisë së mëparshme, ndaj asnjë eksponenti të qeverisjes vendore aktuale socialiste, duke u dhënë atyre imunitet të plotë. Afera e fundit me të cilën zoti Rama u akuzua me kontratë se kishte marrë 20 % për lejen e ndërtimit. Po e ndiqja me vëmendje i sigurt se mikesha e Avllajve do ta mbyllte çështjen”, -tha Berisha. Duke iu referuar trazirave të fundit në kryeqytet, kreu i ekzekutivit solli një tjetër “sekuencë” për të provuar dyshimet e tij. “Dje pasdite Ina Rama merr në telefon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit për urdhërarrestet. Drejtori iu shpreh prokurores se formulimi ishte me gabime teknike dhe duhej korrigjuar. Vetëm 30 minuta pas kësaj Edi Rama del në një konferencë për shtyp dhe flet për lapsuset. Se pse Ina Rama i raporton Edvin Ramës, kjo do të zgjidhet më vonë”, - tha Berisha.

Paralajmërimi

Fjalën e tij në mbledhje të qeverisë kreu i saj e mbylli me një mesazh drejtuar kreut të PS-së Edi Rama, duke e paralajmëruar atë se një rast i dytë i përsëritjes së asaj që ndodhi më 21 janar do ti faturohet vetë personit të tij. “I them Ramës, dhe këtë mesazh ua kam thënë të gjitha kancelarive partnere, se çdo tentativë tjetër për pushtim institucionesh do të marrë ndëshkim ekzemplar, jo tek të tjerët, por te Rama personalisht. Në mënyrë absolute nuk do të merrem me asnjë njeri tjetër përveç atij. E bëre një herë se je ky që je, e bëre për së dyti, do të kesh përgjigjen më totale që mund të jetë. Do të ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni. Toleranca do të jetë zero”, - tha Berisha. Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për hetim të plotë për humbjen e këtyre jetëve, duke bërë me dije vënien në dispozicion të Prokurorisë të të gjitha filmimeve të Kryeministrisë.

Pagesat

Kryeministri Berisha foli për pagimin e protestuesve të opozitës në demonstratën e 21 janarit. “Edi Rama vendosi në mbledhjen e Asamblesë së PS-së thirrjen e demonstratës popullore dhe inkurajoi banditë dhe kriminelë. Shpërndau qindra milionë lekë, pagesa të dyfishta, pagesë për të ardhur në demonstratë, që ishte rreth 10-20 mijë lekë, dhe pagesën për të qëlluar me gurë, që ishte 200-300 mijë lekë të vjetra. Këto u bënë haptas në sytë e publikut në të katër anët”, - tha Berisha në fjalimin e tij para ministrave të kabinetit.

PD sulm Prokurorisë

Kryeprokurorja e përfshirë në skenarin e Ramës

Partia Demokratike ngre akuza për bashkëpunim mes kryetarit të PS-së Edi Rama dhe kryeprokurores Ina Rama në ngjarjen e 21 janarit. Sipas deputetes së PD-së, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka fakte të pakundërshtueshme të bashkëpunimit të Ina Ramës dhe Edvin Ramës, përfshi edhe ditën e djeshme. Për akuzat e saj Doda mori shkas nga kërkesa më e fundit e prokurores së përgjithshme për të urdhërarresti ndaj gjashtë krerëve të Gardës së Republikës. “Në një akt të paprecedent, dje u krye përpjekja e fundit e një grushti shteti të strukturuar mirë. Dje dasmorja e Edi Ramës, Ina Rama, hoqi çdo maskë dhe dëshmoi se është fund e krye pjesë dhe aktore e grushtit të shtetit. Urdhri i arrestit i 6 komandantëve të gardës është lëshuar dje nga Ina Rama pa asnjë hetim, në përpjekje për të dërguar pas hekurave mbrojtësit e institucioneve, heronjtë që mbrojtën Këshillin e Ministrave dhe kryeministrin e vendit. Ky urdhër është lëshuar me qëllimin e vetëm për të lënë pa kokë e pa mbrojtje Gardën e Republikës dhe mbrojtësit e institucioneve të vendit”, - theksoi Doda gjatë një konference për shtyp. Ajo paralajmëroi se të dy do mbajnë përgjegjësi.

Deputeti i mazhorancës citon nenin e Kodit të Procedurës Penale

Halimi: Rama të reflektojë, urdhërarrestet janë të kundërligjshme

Mazhoranca i kërkoi dje kreut të organit të akuzës të reflektojë mbi urdhërarrestet e lëshuara prej saj për efektivët e gardës, duke i kujtuar se ndodhet në kushtet e shkeljes së ligjit, konkretisht të neneve 253 dhe 254 të Kodit të Procedurës Penale. Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi tha se më shumë se 24 orë pas tentativës për puç shteti, prokurorja nuk i ka dalë zot situatës. “Në abuzim flagrant me detyrën dhe arbitraritet të hapur, ka lëshuar urdhër ndalimi për trupën drejtuese të Gardës. Të nxjerrësh një urdhër ndalimi, ashtu siç parashikon ligji penal në këtë vend, neni 253 i Kodit të Procedurës Penale. Asnjë provë, asnjë e dhënë, asnjë dyshim, asnjë ekspertizë apo eksperiment nuk ngarkon me përgjegjësi, qoftë edhe administrative, drejtuesit e Gardës së Republikës”, - theksoi Halimi në një konferencë për shtyp. Sipas tij, drejtuesit e Gardës kanë qenë në gatishmëri absolute të ligjshme, kanë qenë në ushtrimin e detyrës dhe misionit të tyre të ligjshme për mbrojtjen e institucioneve kushtetuese dhe rendit kushtetues në këtë vend. Ai vijoi se këto rrethana janë absolutisht të përcaktuara qartë në ligjin penal dhe nuk lejojnë në asnjë rast nxjerrjen e një urdhri ndalimi. Deputeti ka cituar nenin 254 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit arrestimi ose ndalimi nuk lejohet kur nga rrethanat e faktit del se veprimi është bërë gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të një të drejtë, ose kur ekziston shkak padënueshmërie. “I kujtoj prokurores së përgjithshme se vetëm arrestimi dhe dënimi i ashpër, i nxitësve dhe organizatorëve është garancia e vetme që në kërkojmë”, - përfundoi Halimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›