E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët sigurojnë jetën e pronën vetëm për kredi

24/01/2011  Pesë institucionet e reja raportojnë 57 002 kredi me vlerë 13.5 miliardë lekë

Kredia e institucioneve jobanka, vetëm 3.8% e portofolit është me probleme

Unionet e shoqërive të kursim-kreditit dhe subjektet jobanka janë më të sigurta në dhënien e kredive. Këtë rezultat e nxjerr në pah niveli i ulët i kredisë me probleme që raportohet nga këto shoqëri në krahasim me bankat tregtare, i cili është nën 3,8 për qind. Por nga ana tjetër, fakti që këto shoqëri të kursim-kreditit dhe unionet e tyre ushtrojnë aktivitetin në zonat rurale kryesisht ka një rëndësi të veçantë. Kjo do të thotë se një kredi mund ta marrin vetëm ata persona që kanë një garanci shumë të fortë dhe mundësi shlyerjeje shumë të mira. Statistikat tregojnë se për vitin 2010, të paktën deri në nëntor sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë numri i kredive aktive të raportuara nga subjektet e reja që përfshijnë subjektet jobanka dhe unionet e shoqërive të kursim-kreditit është 57 002. Ndërsa vlera e portofolit të kredive të raportuara prej tyre është 13.5 miliardë lekë. Prej vitit 2010 në sistemin e raportimit të të dhënave në regjistrin e kredive i janë shtuar edhe 3 subjekte financiare jobanka që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies, si dhe 2 unionet e shoqërive të kursim kreditit si përfaqësuese të shoqërive të kursim kreditit anëtare të tyre. Banka e Shqipërisë e ka ndjekur me mjaft vëmendje përfshirjen e subjekteve financiare jobanka që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies, si dhe unioneve të shoqërive të kursim kreditit në rolin e përfaqësueseve të tyre, në listën e raportuesve. Kjo bazë të dhënash në Regjistrin e Kredive në Bankën e Shqipërisë do të pasurohet më tej. Kësaj radhe pritet të përfshihen shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin e qiradhënies financiare ose siç njihen ndryshe leasing. “Këto shoqëri e bazojnë aktivitetin e tyre në dhënien me qira financiare të sendeve të luajtshme ose të paluajtshme të tilla si automjete, makineri, personave të ndryshëm, me kushtin që në përfundim të afatit pronësia i kalon qiramarrësit. Meqenëse veprimtaria e shoqërive të qiradhënies financiare është brenda përcaktimeve për Regjistrin e Kredive, këto subjekte janë të detyruar të raportojnë portofolat e tyre sikurse subjektet e tjera financiare kredidhënëse”, - theksojnë ekspertët e bankës së Shqipërisë. Ky projekt parashikohet të përmbushet brenda vitit 2011.

Shifra për shkrimin poshtë

57 002 kredi

Ky është numri i kredive aktive të dhëna nga 3 subjektet jobanka dhe 2 unionet e shoqërive të kursim-kreditit në listën e regjistrit të kredive deri në nëntor 2010.

13.5 miliardë lekë

Kjo është vlera e portofolit të kredive të raportuara prej 3 subjekteve jobanka dhe 2 unioneve e shoqërive të kursim-kreditit është deri në nëntor 2010.

3.8 për qind

Ky është niveli i përqindjes së kredisë me probleme në sistemin total të kredive të dhëna nga institucionet jobanka, deri në fund të vitit të kaluar.

5 subjekte

Në regjistrin e kredive janë shtuar 3 subjekte financiare jobanka që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies, si dhe 2 unionet e shoqërive të kursim kreditit.

AMF: Primet në sigurimet e jetës për 11-mujorin 2010 rreth 11.09 për qind më shumë se 2009-ta

Pasi Eltoni firmosi kontratën e sigurimit të jetës, mendoi se nuk do ta kishte bërë asnjëherë këtë hap, nëse nuk do të ishte detyruar nga banka ku ai aplikoi për të marrë kredinë e shtëpisë. Për të ishte vetëm një detyrim. Paçka se përftimet në rast të humbjes së jetës do të ishin më të mëdha për familjen e tij, e cila mund të mos kishte mundësi të paguante këstet e kredisë që ai po merrte. Kjo është vetëm një prej arsyeve pse shqiptarët ende nuk e kanë kulturën e sigurimit të jetës, e cila mund të ndërpritet edhe në rast aksidenti apo shkaqeve të tjera natyrore. Këtë fakt e dëshmojnë edhe shifrat e kontratave në shoqëritë e sigurimit të jetës, të cilat rriten në proporcion të drejtë me rritjen e kredisë në sistemin bankar.

Sigurimi për kredi

Edhe pse të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare deri në nëntor 2010 tregojnë një rritje të portofolit të sigurimit të jetës, krahasuar me nëntor 2009, shkak është vetëm rritja e pjesës së debitorit. “Primet në sigurimet e jetës në janar – nëntor 2010 arritën në rreth 720,796 mijë lekë, ose rreth 11.09 për qind më shumë se në janar - nëntor 2009. Rritja në sigurimet e jetës është e lidhur ngushtë me rritjen e nivelit të kredidhënies dhe sigurimit të Jetës për efekt kredie”, - theksojnë ekspertët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Kjo rritje ka qenë më e moderuar krahasuar me vitet e kaluara, për shkak se edhe ritmet e rritjes së kredisë gjatë vitit të kaluar ishin më të ulëta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto ka qenë 37.0 për qind në vitin 2009, shifër që u rrit vetëm deri në 37.9 për qind për 6-mujorin e 2010-ës dhe deri në 38.9 për qind në nëntor 2010. Por në të kundërt numri i kontratave në sigurimin e jetës sipas të dhënave të AMF-së, kapi shifrën 59 208 duke shënuar një ulje në masën 1.03 për qind krahasuar me janar - nëntor 2009, kur ky numër ishte 59 823 kontrata. Aktivitetin e sigurimit të jetës për këtë periudhë e ushtruan vetëm tre kompani, Sigal-Life, Insig dhe Sicred, ku Sigal-Life udhëhoqi tregun me 53.94 për qind të primeve.

Përfitimet e sigurimit

Arsyeja më e zakonshme që dikush ka nevojë të blejë sigurimin e jetës, është që të zëvendësojë të ardhurat e humbura kur ai të humb jetën. Tarifat që paguhen për të siguruar jetën variojnë nga 500 lekë deri në 4 mijë lekë në vit. Kjo në varësi të shoqërisë që e ofron këtë shërbim. Por në rast të humbjes së jetës apo në rast aksidenti vlera maksimale që përfitohet dhe që paguhet mund të jetë nga 100 mijë lekë deri në mbi 1 milion lekë. Në varësi të kërkesave specifike të klientëve, kompanitë e sigurimit që sigurojnë jetën ofrojnë produkte të kombinuara të aksidenteve me sëmundjet dhe me shuma të siguruara deri në mbi 10 milionë lekë. Por dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimit të jetës, sipas të dhënave të AMF-së, janë vetëm për 91 raste në 2010-ën.

Sigurimet e pronës

Sigurimi vullnetar i pronës për shkak të rreziqeve natyrore, zjarrit apo përmbytjeve sipas ekspertëve të AMF-së ka njohur rritje pak a shumë për të njëjtat arsye. Detyrimi nga bankat për kredi. Të ardhurat nga sigurimet vullnetare deri në nëntor 2010 arritën në 3,445 miliardë lekë ku përfshihen edhe primet nga risigurimi. Kjo shifër është 5.24 për qind më shumë se të ardhurat deri në nëntor 2009. “Rritja e primeve në sigurimet vullnetare vazhdon të lidhet ngushtë me nivelin e kreditimit nga bankat dhe hyrjen e investitorëve të mëdhenj, kryesisht në infrastrukturë”, - theksojnë ekspertët. Në sigurimet vullnetare të jo-jetës, me të ardhura 2,724 miliardë lekë vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe rreziqet natyrore me rreth 33.80 për qind. Kjo shifër pasohej nga sigurimi kasko me 19.94 për qind dhe nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.61 për qind. Peshë më të ulët patën sigurimi i aksidenteve dhe shëndetit, sigurimet e garancisë, si dhe prime nga veprimtaria e risigurimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›