E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e pensioneve, trajtime edhe për shitësit ambulantë

24/01/2011  Procedura, kushtet që duhen plotësuar

Kundrejt kushteve lehtësuese ambulantët mund të përfitojnë të gjitha llojet e pensioneve

Pranvera Kola

Prej skemës së sigurimeve shoqërore mund të përfitojnë edhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare të përkohshme, ose siç klasifikohen ndryshe, shitësit ambulantë. Për shkak të veprimtarisë së tyre kjo kategori mund të përfitojë të gjitha llojet e pensioneve kundrejt derdhjes së kontributeve në vlerë më të ulët sikundër ndodh për shtresat e tjera. Megjithatë, për tu bërë pjesë e kësaj skeme shitësit ambulantë duhet të përmbushin edhe kriteret e përcaktuar nga ligji. Këto kritere lehtësuese për këtë kategori punonjësish kushtëzohen nga kushtet ku ushtrojnë aktivitetin këta persona dhe vështirësitë për realizimin e të ardhurave, për të përballuar pagesën e plotë të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kreu i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH Naim Balluku shpjegon se nëpërmjet një vendimi të posaçëm të miratuar nga qeveria, mbështetur edhe në udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 26, datë 16.04.2009, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore” theksohet se nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore sigurohen në mënyrë të detyrueshme “personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante”.

Përfshirja

Në zhvillimet e biznesit në vendin tonë krahas subjekteve të biznesit të madh dhe të vogël ka marrë zhvillim edhe biznesi ambulant, nga persona që nuk kanë një rezidencë të qëndrueshme. Por për të siguruar të ardhura janë të detyruar që me mjete lëvizëse, të gjejnë tregun apo nevojat e shërbimit të tyre. Në legjislacionin përkatës, përcaktohen dhe kushtet që duhet të plotësojnë këta persona për tu klasifikuar në këtë kategori biznesi. Personat fizikë të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante që kanë mbushur moshën 16 vjeç, kur nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, sigurohen në mënyrë të detyrueshme vetëm për degën e pensioneve. Si persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante janë personat që vetëpunësohen në veprimtari “ të përkohshme e të vijueshme, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi të përcaktuar, të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi të përcaktuar, të vijueshme në veprimtari tregtare në tezga pa vend qëndrimi të përhershëm ose në mjete që lëvizin si dhe ata që janë të përfshirë në veprimtari të vijueshme transporti me ndërprerje gjatë javës.

Konfirmimi

Sipas Ballukut këta persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante fillimisht duhet të regjistrohen në zyrën e taksave të njësisë së pushtetit vendor (bashkisë ose komunës), që ka në juridiksion territorin, ku është vendndodhja e biznesit, pavarësisht nga pronësia e kësaj vendndodhje. Veçori për këto tatimpagues është fakti që ato regjistrohen pa qenë nevoja për tu regjistruar më parë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit apo në gjykatë. Njëkohësisht drejtoritë rajonale tatimore, brenda pesë ditëve punë nga mbërritja e listës zyrtare nga organet e pushtetit vendor, pasi bën verifikimet dhe siguron provat e nevojshme që këto persona plotësojnë kushtet e përcaktuara për të qenë “persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante”, plotëson formularin e regjistrimit të subjektit. “Personat e vetëpunësuar për herë të parë në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante, brenda 20 ditëve nga data e regjistrimit në organin tatimor, paraqitën në agjencitë e sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tyre, së bashku me kërkesën për pajisjen me numrin e sigurimit shoqëror dhe kopjen e NIPT-it. Agjencia e sigurimeve shoqërore është e detyruar që brenda 7 ditëve nga data e kërkesës të pajisë personin me numrin e sigurimit shoqëror”, - konfirmon Balluku.

Kategoritë që përfitojnë

Personat fizikë të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, kur nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, sigurohen në mënyrë të detyrueshme vetëm për degën e pensioneve. Kështu, trajtohen personat me veprimtari të përkohshme e të vijueshme, por pa një vend qëndrimi apo shërbimi, ata me veprimtari të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vend qëndrimi, personat që kryejnë veprimtari tregtare në tezga. Gjithashtu pjesë e kësaj skeme përfitimi janë dhe shitësit ambulantë pa vend qëndrimi të përhershëm ose në mjete që lëvizin, si dhe ata që janë të përfshirë në veprimtari të vijueshme transporti me ndërprerje gjatë javës.

Derdhja e kontributeve

Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante, sipas përcaktimeve duke filluar nga data 1.05.2009 e në vazhdim do të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1200 (një mijë e dyqind) lekë. Me këtë sigurim kjo kategori punonjësish, kur të plotësojnë kushtet që lidhen me moshën dhe vjetërsinë e nevojshme kontributeve në punë, sipas nenit 92 të ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” përfiton të gjitha llojet e pensioneve: pension pleqërie, pension familjar dhe pension invaliditeti. Ashtu sikurse u theksua, personat e punësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulante paguajnë në total 1440 lekë në muaj, që është e barabartë sa 28,5 për qind e shumës që paguan një i vetëpunësuar.

Afatet dhe çregjistrimi

Ekspertët e sigurimeve bëjnë me dije se pagesa e kontributeve për punonjësit ambulantë bëhet çdo tre muaj në bazë të njëjtave rregulla dhe afate si pagesa e kontributeve nga personat e tjerë të punësuar në biznesin e vogël. Çregjistrimi në organet e pushtetit vendor dhe nga organet tatimore, e “personave të punësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, do të bëhet vetëm duke paraqitur një kërkesë me shkrim për çregjistrimin në secilin organ. Kjo kërkesë miratohet nga drejtoria rajonale tatimore, bazuar në verifikimet paraprake. Ndërkohë që përpara se të bëjnë çregjistrimin, procedura saktëson se këta persona, duhet të plotësojnë të gjitha detyrimet ndaj administratës tatimore për dorëzimin e dokumentacionit dhe pagesën e detyrimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›