Kuvendi i Kosovës mund të konstituohet më 21 shkurt
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës mund të bëhet përpara 24 shkurtit, si rrjedhojë e vendimit të shpejtë të PDK-së për t`i lënë postin e Presidentit kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacollit.
Mediat vendase raportojnë se menjëherë pas marrjes së vendimit të Këshillit Drejtues të PDK-së, është kërkuar që seanca konstituive e Parlamentit të mbahet më 21 shkurt, e jo më 24, siç ishte caktuar para pesë ditësh.
“Për të mos humbur kohë, u mor pëlqimi që t`i kërkohet Kryesisë së Kuvendit të mblidhet sa më shpejt dhe të ndryshojë axhendën e mbajtjes së seancës konstituive, e cila sipas të gjitha gjasave do të mbahet më 21 shkurt”, deklaron një burim i “Kohës Ditore” brenda PDK-së.
Mundësinë për të mbajtur seancën konstituive tri ditë më herët nga sa është paraparë, e lejon edhe Rregullorja e punës së Kuvendit, sqaron sekretari i këtij institucioni, Ismet Krasniqi.
“Kur ushtruesi i detyrës e vlerëson se nuk paraqitet shkelje ligjore, Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit mund të takohen për të caktuar datën dhe axhendën. Duke pasur parasysh se data e përmendur lë hapësirë për ndryshim të axhendës, sepse sipas Rregullores së punës së Kuvendit, ndryshimet mund të bëhen jo më pak se pesë ditë para datës së caktuar më parë”, ka shpjeguar Ismet Krasniqi.