E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Shqipërisë takim me mësuesit në prag të 7 marsit

Në prag të 7 marsit, Ditës së Mësuesit dhe ditëlindjes së shkollës së parë shqipe, nën kujdesin e Kryetares, Jozefina Topalli, Kuvendi i Shqipërisë hapi dyert në një takim që mblodhi deputetë dhe mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Takimi, si një moment i shprehjes së nderimit dhe mirënjohjes për të gjithë njerëzit që i kanë kushtuar jetën profesionit fisnik të edukatorit të brezit të ri, shërbeu edhe si çast ritakimi të mësuesve me ish-nxënësit e tyre, sot deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Në fjalën përshëndetëse, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se prania e kaq shumë mësuesve në një prej sallave që në kohën e regjimit ka qenë sallë e byrosë politike, e ka transformuar atë,duke e bërë edhe më të ndriçuar.
Unë jam shumë e nderuar që jam mes jush. Ju i keni dhënë kësaj salle plot dritë, tha ndër të tjera zonja Jozefina Topalli. Po, i keni dhënë dritë sepse ju, mësuesesit jeni udhërrëfyesit tanë drejt suksesit. Ju pasuroni personalitetin e gjithsecilit prej nesh përmes njohurive por edhe dashurisë suaj. Ju jeni guida e jetës. Ju keni ditur të kuptoni çfarë fshihet brenda nesh.
Ju, mësuesit jeni frymëzuesit më të mëdhej të njerëzimit. Misioni juaj është hyjnor. Ju formësoni të ardhmen.
Ju jeni bujarë, misioni juaj i shenjtë është që ju njohuritë tuaja tua jepni nxënësve, studentëve. Kjo është e mrekullueshme.
Ju na keni mësuar më shumë prej zemrës dhe shpirtit tuaj sesa prej librave.
Ndaj edhe ndikimi juaj shtrihet në pafundësi.
Ky takim i sotëm është një simbol i mirënjohjes për të gjithë devotshmërinë dhe përkushtimin tuaj pa kufij. Urime për ditën e 7 marsit shprehu edhe zonja Vera Prendi, në emër të një grupi mësuesish që mbyllën karrierën e tyre të mësimdhënies, në shkollat e Tiranës. Zonja Prendi shprehu vlerësimin maksimal për mbwshtetjen qw Parlamenti I ka dhënë mësuesve në 5 vitet e fundit. Takimi që organizoni është një vlerësim që i bëni figurës së mësuesit si Kryetare e Parlamentit, si nënë, si ish-nxënëse, por edhe si ish-kolege. Thuhet se ai shtet që vlerëson mësuesin është i destinuar të zhvillohet, të përparojë, se nga dora e tij del e ardhmja e kombit, tha zonja Prendi. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj i pranishëm i aktivitet tha se përveç një letre urimi të dërguar për çdo mësues, së bashku me Ministrin e Arsimit të Kosovës, do të përshëndesin nga Korça, qyteti i Mësonjëtores së parë shqipe, të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ndodhen. Mësuesit, disa prej të cilëve ish-mësues të Kryetares së Kuvendit dhe të deputetëve të pranishëm në këtë takim, shprehën besimin se puna e tyre në këto vite dhe tradita e mirë e mësimdhënies, do të çohet përpara në të ardhmen. Emocione të forta dhe mallëngjim shkaktoi në takim intepretimi i poezisë Kënga Pleqërishte e Lasgush Poradecit, nga aktorja e mirënjohur Drita Pelingu, e cila ndau me të pranishmit mbresat e saj nga puna e saj si pedagoge.
Puna pedagogjike për mua ka ecur krahas punës artistike. Kam punuar 33 vjet në Akademinë e Arteve. Mendoj se për çdo mësues, për çdo pedagog gjëja më e bukur është kur studentët apo nxënësit nuk e harrojnë. Puna pedagogjike është një punë shumë e vështirë, por që mua më duket sikur më ka zgjatur jetën, sepse kisha të bëja me të rinj dhe në punën me ta vinte gazi i moshës, vinte fryma e kohës e unë përpiqesha të ecja bashkë me ta, tha zonja Pelingu Dhuroni vetëm dashuri për nxënësit, ky është çelësi i suksesit në këtë profesion, ishte mesazhi kryesor që mësuesit përcollën në këtë takim.


Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›