Kuvendi i Vlorës, pjesëmarrësit në të dhe firmëtarët e Aktit të Pavarësisë
Kuvendi i Vlorës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e krijimit të shtetit shqiptar, të Shqipërisë së mosvarme, siç e thotë vetë Akti Shpalljes së Pavarësisë.
Jashtë çdo dyshimi; janë kryer studime dhe publikime të shumta për këto ditë historike, Kuvendi i mbajtur nga 28 nëntori deri në 7 dhjetor 1912 njihet nga botimi i proces-verbaleve të shtatë ditëve të tij në gazetën Përlindja e Shqipërisë (numrat 6-11, janar-shkurt 1914) drejtuar nga Dhimitër Beratti dhe ribotimin pas tij nga Lef Nosi në fletoret e tij Dokumenta Historike nr. 1(1924)-nr. 12(1925). Të dy këta burra të shquar kanë qenë pjesëmarrës të Kuvendit qysh nga dita e parë dhe njëherazi dhe firmëtarë të Aktit të Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u muarrën me Shpalljen e Pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarje madhore për historinë e popullit shqiptar. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare në vitin 2002, ku jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet e pjesëmarrësve si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Kuptohet që ajo ngjarje ka zënë vend përherë në studimet me temë historinë e asaj periudhe, Po kështu, duhet përmendur nisma për hulumtimin dhe botimin e dokumentacionit historik që ndodhet në arkivat e huaja. Kjo do të ndihmojë për të kuptuar më mirë dhe me saktësi ato ndodhi, në aspektet e tyre politike e sociale.
Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë, si pasojë e paragjykimeve politike. Po kështu, ka dhe botime të plota të listave të firmëtarëve me foto dhe jetëshkrime të shkurtra nga Niko Kotherja dhe Admirina Peçi, si dhe shpjegime për ngjarjen.
I përfshirë në një punim kolektiv, që lidhet dhe me këtë ndodhi, menduam ta shohim me vëmendje gjithë dokumentacionin e ruajtur për Kuvendin, punimet e tij, pjesëmarrësit, Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe firmëtarët e tij si dhe vendimet e marra, të nisur nga dëshira për të qenë të saktë. Ishte e nevojshme që mbi materialin dokumentar dhe kujtimet e pjesëmarrësve e bashkëkohësve, të studiohet në mënyrë të plotë ky akt historik, tepër i rëndësishëm për këdo që është krenar se është shqiptar, dhe 100 vjetori është një rast i tillë.
Nëntori i viti 1912 i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga Veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e bashkë me ta dhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën tu bënin ballë. Në Jug në territoret e prefekturës së Janinës po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgare. Në kurriz të shqiptarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve.
Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duar kryq e të bënin sehir por u lidhën me njeri-tjetrin, kudo që ishin dhe vendosën ti dilnin zot atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ai tregon, se duke parë veprimet e Turqve të Rinj shqiptarët u ngritën në këmbë në Kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç vëren Ismail Qemali, që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë. Ai nuk pranoi propozimin që të bënte pjesë në qeverinë e re turke dhe u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen hë Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë. Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vienë e Budapest ku pati takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë Berthtold dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur.
Ismail Qemali nga Viena më datë 9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri me të parin vapor. Ai bën të qartë se E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt.
Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram nga Ismail Qemali i cili ju thotë se përpara së premtes jam atje. E mbledhmja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësien e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare. Ky njoftim, me një telegram të firmosur Nemër të gjithëve nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani, ju dërgohet : Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Kruës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit.
Në atë njoftim ata ju thonë ….Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë…..
Në botimin e Lef Nosit jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lartë, nga një telegram i firmosur prej Midhat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.
Në vëllimin me dokumente historike ka telegrame të shumtë që paraqesin luftimet e pushtimet nga të huajt, gjendjen e trazuar e të pasigurt të vendit, peripecitë e udhëtimeve të delegatëve për në Vlorë, zëvendësimin në rast pamundësie me të tjerë, por në çdo rast, ishte parësia që me letra apo telegrame e vërtetonte këtë.
Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi ju nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e Atdheut, por pasi nuk pati një pritjen e duhut u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet ata mbrrijtën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashm
