E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendime rreth librit-monografi, kushtuar “Vatranit” Jaho Sinan Islami

16-07-2012 / Nga Kadri Tarelli

“Kulak” dhe burg për flamurtarin e “Vatrës”

Botuar në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe 100 vjetorin e shoqërisë “Vatra”
Kohët e fundit autori Malko Zaçe solli për lexuesit librin monografik “Jaho Sinan Islami”, kushtuar një figure të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, veprimtaritë dhe flamurmbajtësit të Shoqërisë patriotike “Varta”, i cili i kushtoi jetën kombit dhe lirisë së tij, por që përfundoi i shpallur “Kulak” dhe i burgosur politik në vitet e diktaturës komuniste.
Libri botohet në dy momente jubilare së pari: në 100 vjetorin e pavarësisë dhe së dyti në 100 vjetorin e Shoqërisë “Vatra” të Amerikës, duke e sjellë e vendosur në vend nderi Jaho Islamin, në krah të gjithë atyre burrave me emër, trima e të mençur, me të cilët punoi e luftoi për ta ngritur, bërë e mbrojtur Shqipërinë nga coptimi e shbërja e saj.
Që në fillim duhet thënë se, autori meriton përshëndetje për librin që hedh dritë mbi Jaho Islamin, djalin e Tepelenës,  flamurmbajtësin e “Albanisë”, si një ndër veprimtarët më të përkushtuar të shoqërisë “Vatra”, luftëtarin e “Luftës së Vlorës”, pjesëmarrësin në Revolucionin e Qershorit 1924, komandantin e çetës territorial të zonës në Labëri, kryetarin e Këshillit N. Çlirimtar dhe, në fund demokratin, i cili kundërshtori pushtetarët e rinj, e që provoi titullin “Kulak” dhe burgun komunist.
Përshëndetja i takon së pari: për idealizmin dhe guximin për t’ i hyrë ‘Tmerrit” për të  shkruar një libër monografi, kushtuar një figure që ka bërë histori dhe ka lënë gjurmë në histori. Një punë që nuk është  e lehtë, sepse veç dëshirës dhe aftësive për të shkruar, kërkon vullnet dhe kohë për të studiuar  literaturë, çfletuar dokumenta arkivore, kërkon kohë dhe para për të ”Bredhur” lart e poshtë në takime dhe intervista me bashkëkohës dhe bashkëluftëtarë, të cilët në shumicën e rasteve nuk i ke pranë. Sidoqoftë, autori Malko Zaçe ia ka dalë mbanë, duke na e sjellë Jaho Islamin të plotë, që nga rrënjët e oxhakut të familjes fisnike në Dukaj të Labërisë, ku që fëmijë u brumos me tiparet më të mira të burrërisë, trimërisë dhe atdhedashurisë, pastaj djalosh i bukur e shtat lartë, model i djalërisë shqiptare i zgjedhur për të qënë flamurmbajtës. Në libër, ku pasqyrohen vitet që rrjedhin me thyerje të mëdha në historinë e kombit, e shohim Jahon në ballë të punës e të luftës, si veprimtar të burrëruar, njeri me karakter të fortë e autoritar, luftëtar trim, fisnik e i ndershëm, i fjalës dhe i besës, burrë i mençur e orator në kuvend.
Dallgët e jetës e përplasin Jahon larg vendlindjes. Aty arrin të kuptojë e të ndjejë më mirë ç’ është atdheu dhe liria. “Duhet të shkosh në fund të dheut, që të kuptosh ç’është atdheu”. Ky është mesazhi, që përcjell Jaho për të gjithë brezat, e për të gjitha kohët. Mesazh i thjeshtë e me shumë filozofi brenda. Jeta dhe puna në emigracion në Amerikë, dhe antarësimi në Shoqërinë atdhetare “Vatra”, ishin një shkollë e madhe për Jaho Islamin, ku shkëlqeu si idealist, luftëtar e mendimtar për çëshjen e atdheut dhe kombit, njëkohësisht edhe si njeri demokrat me edukatë e bindje, që nuk pajtohet me të keqen dhe padrejtësitë, që i kanoseshin vendit e popullit, me vendosjen e diktaturës, fill pas luftës.
Çdo fjalë e shkruar në libër i jep jetë të vërtetës, heq pluhrin e harresës qëllimkeqe, ndriçon terrin që ka mbuluar për disa dekada figurën e Jaho Islamin. Një dukuri që nuk është e vetme, sepse nuk i ndodhi vetëm heroit të këtij libri. I gjithë materiali mbështetet mbi të dhëna e dokumenta të gjetura e të zgjedhura me kujdes, shumica të cituara, ose të vendosura origjinale që i japin librit karakter të mirëfilltë studimor e shkencor, duke u shërbyer të tjerëve si pikë referimi dhe mbështetje për studime të mëtejshme. Prandaj libri është jo vetëm i bukur në të lexuar, por edhe i besueshëm e më shumë i dobishëm për lexuesin. Ai, si çdo libër tjetër i këtij lloji, shlyen një “Borxh” ndaj kombit në tërësi, për të mbushur atë boshllëk të krijuar qëllimisht në historiografinë shqiptarë, njëherazi shërben për të hequr e pastruar baltën e hedhur mbi këtë figurë të ndritur të lëvizjes atdhetare.
Gjatë leximit të librit e sidomos kur arrin në faqet e fundit, vetiu lindin pyetje: Vallë cili do të ishte fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, pa figura të tilla si Jaho Islami me shokë, që vunë interesin e kombit dhe lirisë së tij mbi interesin vetiak ? Përgjigjen e gjen secili në vetvete, kur lexon e shikon se sa para dhanë e grumbulluan shqiparët, për t’ i vënë në shërbim të çështjes kombëtare. Jo vetëm kaq, mes drejtuesëve të “Vatrës”, Fan Noli, Loni Kristo, Gani Katundi, Hasan Bitincka, Stathi Suli, Sadik Lekdushi, Hamit Lumi dhe Kosta Çekrezi ishte edhe Jaho Isllami, që nënshkruan qarkoren drejtuar shqiptarëve të Amerikës për t’ u rregjistruar në Regjimentin Ushtarak Shqiptar për të luftuar në Shqipëri. Drithëruese idealizmi e dashuria për kombin e përmbledhur në refrenin e poemës “Jepni për Nënën”, shkruar nga F. Noli. ku thuhet:
“Mbahu nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’ Amerikë”…..
Ishte zëri i atdheut që kumbonte dhe ata i’ u përgjigjën. Mjaftoi vetëm kjo thirrje e “Vatrës” dhe u mobilizuan nën armë qindra vullnetarë shqiptarë, mes tyre edhe Jaho Islami, të cilët lanë punën, fitimin, mirëqenien dhe jetën e qetë, u kthyen në vendlindje, e mbushën radhët e luftëtarëve që luftuan për shpëtimin e Shqipërisë.
Jaho Islami e jetonte historinë, jo shmangur e në muhabete kafeje, por si pjesëmarrës e drejtues aktiv në ngjarje madhore për vendin dhe kombin. Kjo është arsyeja që në moshë të thyer, afër pleqërisë morri pjesë me armë në dorë në luftën Nacional Çlirimtare, duke u radhitur në krahun që mendohej se do të sillte demokraci. U zhgënjye dhe pësoi persekutimin, si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë. U dënua pa asnjë faj. Provoi internimin dhe burgun, vetëm e vetëm se nuk e pranonte padrejtësinë dhe diktaturën. Këtu nuk është faji i tij. Nuk është faji i tij edhe harresa e qëllimshme, për disa dekada me radhë, ndaj veprës dhe figurës së tij. Vetëm në vitet e demokracisë doli përsëri në shtyp emri i Jaho Islamit me një sërë artikujsh, që nxorën në dritë vlerat e këtij burri idealist e luftëtari të madh.
Është meritë e autorit që, periudhën e vuajtjeve dhe persekutimit gjatë pushtetit të diktaturës, të na e sjellë vetëm si njoftim me fare pak fjalë, duke lënë shtegun hapur për lexuesin, që të japë vetë vlerësimin dhe të bëjë gjykimin mbi mashtrimin e madh të propagandës komuniste gjatë luftës, ku u përfshi një pjesë e mirë e nacionalistëve shqiptar, mes tyre edhe Jaho Islami. Mënyra e trajtimit të kësaj periudhe të egër, me veprime të shëmtuara e gjakësore të shtyn të pyesësh veten: Pse ndodhi kështu? Po bëmat e vlerat e këtij njeriu si u tretën e vanë ? Përgjigjen e gjen duke i’ u drejtuar librit:
“Jaho Sinan Islami i përkiste atij brezi që trashëgoi drejt për drejt dritën e rilindasve të mëdhenj, dhe akoma më drejtpërdrejt pasionin e zjarrtë dhe trimërinë heroike të etërve, që bënë dhe e mbrojtën Shqipërinë, me sakrifica, me jetë e gjak e mundime të mëdha”.
Njerëz të tillë, me autoritet në popull dhe me bindje nacionaliste e demokratike nuk i duheshin pushtetit të ri. Kush e njeh, apo ka lexuar sado pak për atë periudhë, e di mirë se ç’ i priste. Më i pakti dënim ishte shpallja “Kulak” dhe burgu. Ndaj, “Jahon e arrestuan dhe e burgosën, gjoja për mospagim taksash, por kjo ishte hera e dytë, pasi në vitin 1946 e internuan në Kavajë, së bashku me niprit e tij si “Armik i popullit”. Ky ishte çmimi dhe shpërblimi që i dhanë “Shokët” e ardhur në pushtet, të cilët kishin gjetur strehë e ushqim në shtëpinë e Jahos. Çudi !!!. “Armik populli” Jaho Islami, që shkriu jetën për popull e vatan? Libri i Malko Zaçes, është pasuri shpirtërore për pasardhësit e familjes së Jaho Islamit, krenari për miqtë e shokët e tij, burim njohje dhe edukimi atdhetar për brezat e rinj, një detyrim e gur i çmuar në historinë tonë kombëtare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›