Një helikopter filmoi hashashin në Lazarat dhe nuk u qëllua!
Një helikopter italian i misionit Interforce është bërë pjesë e operacioneve të policisë në zonën e Lazaratit. Aksioni i policisë, i nisur tri javë më parë në këtë zonë, ka kaluar në fazën e monitorimit nga ajri të parcelave me drogë.
Helikopteri i Interforce, i pajisur me mjete speciale vëzhgimi, bashkë me një ekip të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, për rreth 4 orë kanë monitoruar territorin në disa komuna, përfshi edhe Lazaratin.
Sipas policisë, operacioni u shtri në zonën e Lazaratit, komunës Zagori, Picar, Cepo, Odrie, Kurvelesh, Buz, Lopëz, Çarshovë dhe Frashër.
Filmimet e realizuara nga efektivët e policisë do të analizohen nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe do të shërbejnë për zhvillimin e fazës së tretë të planit të veprimit, që përkon me fazën operacionale të ndërhyrjes në terren me forca policore.
Policia deklaroi se nuk ka pasur incident gjatë monitorimit të sotëm nga ajri. Në vitet 2004-2005 një helikopter i Interforcës italiane u qëllua me armë në Lazarat teksa monitoronte zonën nga ajri./Lajmi i Fundit
