E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i ri, shpallet projekti fitues

Juria ndërkombëtare shpalli dje projektin fitues për kompleksin e ri parlamentar që do të ndërtohet në vend të Piramidës.Studioja austriake “Coophimelb” mori maksimumin e votave nga 12 projektet e pranishme, duke u vlerësuar si projekti më i mirë si nga juria, ashtu dhe nga publiku që votoi në formë elektronike nga faqja e Kuvendit. Ky projekt u vlerësua maksimalisht nga kryetari i jurisë, arkitekti holandez Johannes Ibelings, i cili shtoi se juria ka pasur një mision të vështirë për të shqyrtuar me kujdes cilësitë, sfidat dhe elementet e çdo projekti, për të vlerësuar potencialin e më të mirit prej tyre. “Është bërë një diskutim i hollësishëm mbi cilësinë arkitekturore dhe urbanistike, duke përfshirë të gjitha aspektet, nga qëndrueshmëria, te kostot e projektuara, se cili do të ishte përfaqësimi i duhur i demokracisë shqiptare në qendër të kryeqytetit, duke i shtuar vlera cilësisë së qytetit, që të jetë i hapur për publikun dhe që të mund të funksionojë si simbol”, tha Ibelings.
Në garë ndodheshin 12 projekte dhe tri prej tyre u vlerësuan me çmime. Çmimi i parë, i cili do të jetë projekti i Kuvendit të ri, do të marrë 70 mirë euro shpërblim. Ndërsa vendi i dytë u vlerësua me 35 mijë euro dhe u treti me 15 mijë euro. Të gjitha projektet e tjera që morën pjesë në konkurs do të rimbursohen për kostot e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falënderoi anëtarët e jurisë për zgjedhjen e projektit, ndërsa shtoi se shqiptarët do të kenë tashmë një shtëpi dinjitoze. “Unë personalisht, ashtu si çdo deputet, jam shumë e kënaqur, sepse me këtë projekt që ju keni zgjedhur, kemi bërë të mundur që shqiptarët të kenë shtëpinë e tyre dhe do të jetë një shtëpi dinjitoze. Tirana do të ketë një monument dhe një vepër arti që do të lërë shenjë në kujtesën e çdo vizitori që do të kalojë në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, ne do të kemi një monument, i cili do të lidhet me datën e pavarësisë. Dhe unë bashkë me kolegët e tjerë, natyrisht, kemi një sfidë të madhe  përpara, të vështirë, për shkak se ne do të vrapojmë kundër kohës për të bërë të mundur që në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë të kemi atë që është simbolika më e madhe e demokracisë parlamentare shqiptare”, deklaroi Topalli.

Elementet e projektit fitues

Ndërtesa
Ndërtesa kryesore kryen funksionet e mëposhtme në dy nivele: hyrja kryesore nga pjesa veriperëndimore e zonës krijon një zgavër konike dhe siguron akses në hollin parlamentar për publikun, gazetarët dhe VIP-at; hyrjet e ndara nga veriu shoqërohen me recepsion dhe dhomat pritëse për to; aksesi direkt në këtë zonë është siguruar nga blloku i parkimit në anën lindore në të njëjtin nivel.
Niveli i dytë i strukturës kryesore përmban të gjitha funksionet me karakter përdorimi publik ose kolektiv – zona e restorantit për kryeministrin dhe stafin, librari dhe arkiva.

Zyrat
Blloku i zyrave është organizuar rreth konit qendror prej pesë nivelesh me xham të sallës së Parlamentit. Niveli tre akomodon 13 dhoma takimi dhe zyra për kryetarët e tjerë që punojnë për këta pjesëtarë të komisioneve. Zyrat për Kryeministrin, deputetët dhe departamente të ndryshme për administratën janë shpërndarë në katet 4 dhe 6. Niveli i fundit i bllokut të zyrave është rezervuar për hapësira për kryetarin e Parlamentit dhe deputetëve të tij: Këshillin e Ministrave, apartamenti përfaqësues i kryetarit të Parlamentit dhe kryetarit të deputetëve.

Hapësirat
Hyrjet kryesore të publikut e VlP-ave dhe zonat e ulëta janë të orientuara përballë kryqëzimit kryesor midis rrugës “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardit “Bajram Curri”. Më pak të ekspozuara janë hyrjet speciale të drejtuara nga veriu, ndërsa hyrja e stafit për parkim dhe për furnizimin bëhet në pjesën lindore të zonës, nga rruga “Papa Gjon Pali II”.

Çmimet

Vendi i dytë i takoi projektit me kolona, i cili u vlerësua maksimalisht për sallën ovale të Parlamentit, ndërsa pamja e jashtme rrethohet me kolona. Vendi i tretë i përket projektit, i cili kishte katër godina të ndara, por që lidheshin me një kupolë në mes, që kishte brenda sallën e mbledhjeve të Kuvendit. 12 projektet për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar qëndruan mbi 10 ditë të ekspozuara në Kuvendin e Shqipërisë, të hapur për publikun.

ERALD KAPRI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›