E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Fuqizojmë mbrojtjen kibernetike, ekspertët e IT paga më të larta se privati

Qeveria synon të përforcojë mbrojtjen kibernetike duke punësuar një ekip të kualifikuar ekspertës IT, ndërsa Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj deklaroi se ata do të paguhen më shumë se në sektorin privat. Në një deklaratë për mediat nga kryeministria, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj deklaroi se projektligji pritet të miratohet në Kuvend brenda muajit shkurt.

“Në korrik Shqipëria ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik dhe ne po punojmë që të kemi një ekip të kualifikuar IT me qëllim që qeveria të jetë punëdhënës konkurrent me tregun në të cilin sektori i IT të ketë paga edhe më të larta se në treg. Tashmë sistemet janë baza e mirëqeverisjes dhe sisteme të forta do të thotë siguri për të gjithë. Kemi punuar intensivisht jo vetëm për finalizimin e strukturave për profesionistët e IT, pro edhe dis aprofesionistë të veçantë që kanë paga më të ulëta se ato në treg. Sektorë brenda ministrive që do kenë paga konkurrente me tregun. Synojmë që sektori publik të jetë punëdhënësi më i preferuar nga ato kategori profesionistësh të cilët nuk janë afruar deri tani”, tha Ministrja.

E pyetur në lidhje me arrestimin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, tha se kjo çështje i është lënë në dorë drejtësisë. Në një komunikim për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se do të presin të shprehet drejtësia dhe më pas do të jepet një koment.

“Ne nuk marrim përsipër të bëhemi as gjyqtarë as prokurorë. Këto gjëra ja lemë në dorë drejtësisë, do presim si do shprehet drejtësia dhe do ju bëjmë me dije”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj u ndal edhe te çështja e lojërave të fatit, teksa theksoi se diskutimet po bëhen në lidhje me bastet në internet dhe se nuk do të ketë asnjë pikë fizike në territor.

“Jemi duke punuar për rishikimin ligjet të basteve sportive online. S’do ketë pikë të hapur në territor, por siç ndodh në të gjitha vendet e botës do bëhen online. Njerëzit mund të luajnë online në portale të huaja. Nuk është një fakt që nuk ndodh, po mund që në bazë ligjit ta rregullojmë këtë proces dhe ta mbrojmë nga infromaliteti“, tha Ibrahimaj.

Kujtojmë se shërbimet publike online në vend ranë pre e një sulmi kibernetik më 15 korrik, ku përgjegjësinë për këtë e mori grupi “Homeland Justice” pro-iranianë. Nisur nga kjo, qeveria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria vendosi largimin brenda 24 orësh të të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›