E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi kalon draft-ligjin për Zymin e Hasit

 (E plotësuar) Draft-Ligji për Zymin e Hasit, i propozuar nga deputeti i AAK-se Daut Haradinaj, mori mbështetjen e shumicës se deputetëve.
Draft-ligji i cili rregullon trashëgimin kulturore të këtij fshati, ka kaluar në leximin e parë më shumicë votash.

"Për këtë vendbanim dhe vatër të kulturës e arsimit, ekzistojnë po ashtu burime të shumta kulturore. Kështu, arqipeshkvi Pjetër Karagiqi shkruan me 1725 se në Zym dhe Has ka 22 shtëpi të krishterë me 250 anëtarë. Për rolin dhe rendësin e këtij lokaliteti flasin edhe relatorë të shumtë kishtar dhe personalitetet tjera si arqipeshkvi Mikel Suma më 1729, arqipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi më 1750, dom Anton Lumbeshi më 1766, don Zef Berisha më 1774 e kështu më rradhë. Më 1845 kisha e Zymit u dogj së bashku me konaqet e saj duke humbur kështu një vlerë e madhe dokumentare dhe burimore shumë e rëndësishme që dëshmonte aktivitetin jo vetëm fetar por edhe kulturor të kësaj treve. Zymi gjatë Luftës së Parë Botërore ishte vendi ku pushteti austriak kishte hapur legatën (përfaqësinë) e vetë të kohës nga viti 1915 deri më 1918, ndërkaq gjatë Luftës së Dytë Botërore Zymi ishte qendër administrative e regjionit të Hasit ndërsa një kohë deri më 1965 ishte qendër komunale e trevës së Hasit", ka thënë Haradinaj.

Vetëvendosje e ka përkrahur idenë për një draft - ligjit të tillë, por ka qenë kundër formës së tij.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka shprehur shqetësimin e tij. Sipas tij, projektligji për Zymin, është kopje e atij për Hoçën. Ai tha se draft-ligji në letër, përforcon një Ligj të padrejtë siç është Ligji për fshatin Hoçë e madhe, i miratuar nën presion dhe i cili trashëgiminë kulturore e shndërron në instrument të nacionalizmit serb dhe thellon ndarjen në vija etnike e fetare. 

Por, sponzoruesi i draft-ligjit, Daut Haradinaj, i ka hedhur poshtë te gjitha këto konstatime.

Në mbështetje të draft-ligjit ka qenë edhe Alma Lame, e Lidhja Demokratike e Kosovës, por kjo e fundit ka dhënë vërejtjet e veta, ku nëpërmjet tyre ka kërkuar që draft-ligji të plotësohet.

................

Kuvendi i Kosovës, po vazhdon seancën plenare, që është edhe e fundit për sesionin pranveror. Para se të shkojnë në pushim, deputetët pritet të votojnë Pakon e ligjeve për dialogun për liberalizimin e vizave.

Me miratimin e kësaj pakoje, Kuvendi kryen obligimet e veta sa i përket miratimit të ligjeve që ndërlidhen me negociatat e Stabilizim-asociimit dhe me dialogun për liberalizimin e vizave.

Në punimet e sotme të Kuvendit të Kosovës u diskutua edhe çështja e pensioneve, ndërsa duke e vlerësuar si të rëndë gjendjen e pensionistëve në Kosovë, deputeti i LDK-së, Haki Demolli, tha se zgjidhjes së çështjes së kësaj kategorie të shoqërisë ende nuk po i shihet fundi, raporton RTK-ja.

Ai tha këto çështje si duket nuk janë në agjendën e Qeverisë dhe si rezultat i kësaj pensionistët kanë mbetur të harruar nga këto institucione. Demolli tha se qeveria duhet të tregojë nëse është diskutuar për çështjen e pensioneve gjatë bisedimeve me palën serbe në Bruksel, duke kërkuar me këmbëngulje që Serbia të kthejë
Fondin pensional dhe ato t`iu kthehen pensionistëve të Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, theksoi se pensionistët e kanë humbur besimin te shteti i tyre.

Ndryshe, Kuvendi miratoi sot Raportin vjetor të punës të BQK-së për vitin 2012, raportin e Qeverisë për funksionimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik të Kosovës për vitin 2012, ligjin për planifikim hapësinor, si dhe zgjodhi Fekë Sadikaj, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutin Gjyqësor të Kosovës me mandat dy vjeçar. Këto raporte kishin dështuar të votohen në seancën e kaluar si pasojë e mungesës së kuorumit në sallë. /Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›