Kuvendi kërkon fuqizimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2010, duke e vlerësuar si një raport që e pasqyron në mënyrë reale të korrupsionit në Kosovë.
Ligjvënësit gjatë shqyrtimit të këtij raporti i kanë dhënë mbështetje kësaj agjencie, në mënyrë që ai të jetë më i fuqizuar dhe të jetë më bashkëpunues më qytetarët e vendit.
Deputetët opozitarë kanë theksuar se përkundër deklaratave të qeveritarëve për zero tolerancë, korrupsioni ka mbetur në stadin e njëjtë, prandaj u tha se Agjencisë Kundër Korrupsionit i duhet më shumë kompetenca dhe më shumë mbështetje juridike.
Megjithatë, ligjvënësit janë pajtuar se AKK-ja po vazhdon të rrisë performancën e vet, në bazë të mandatit që ka, por kanë kërkuar që të rris edhe më shumë luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Ndërkohë, ligjvënësit kanë miratuar edhe raportin vjetor të Rregullatorit për energji për vitin 2010, të cilin në emër të Komisionit për zhvillim ekonomik e paraqiti deputetja Teuta Sahatçija.
Deputeti i PDK-së Berat Buzhala, ka qenë më kritikues për Rregullatorin e energjisë, duke thënë se në raport janë paraqitur dështimet e këtij rregullatori dhe sipas tij, nga vjedhjet e rrymës, Kosovës po i shkaktohen humbje të mëdha.
Ai ka thënë se 41 për qind rrymës vidhet ose humbet, ndërkaq 14 për qind nuk paguhet.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Donika Kada-Bujupi ka thënë se ka dështime të mëdha në menaxhimin edhe me KEK-un edhe me Termkosin.
“Qeveria Thaçi krekoset për ushtrimin e masave të reciprocitetit, por raporti thotë se është licencuar një ndërmarrje nga Serbia. Pse Qeveria vazhdimisht duhet të licencojë kompani nga Serbia, që importi i rrymës të bëhet përmes këtyre kompanive. Ka kompani plotë, të cilat merren me fushën energjike”, ka thënë Kada, duke shtuar se raporti duhet të miratohet por duhet të kërkohen edhe informata të tjera shtesë për politikat e Qeverisë Thaçi sa i përket fushës së energjetikës.
Ligjvënësit në seancën e sotme kanë miratuar edhe raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2010, ndërkaq në rend dite ka edhe raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhurave dhe raportin e punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2010. Po ashtu në rend dite është edhe pika e debatit parlamentar lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe Europolin, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë. (KosovaPress)