E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stopi i Muhametit

Inspektorët komunalë ndërprenë punimet në 12 objekte kolektive në Prishtinë. Ato po ndërtoheshin pa lejen përkatëse të Komunës. Të enjten, u larguan edhe disa terasa Nga Lirita Halili më 20 maj 2011 në ora 13:05

Më herët realizonin aksionet duke rrënuar katet për të cilat thuhej se nuk kanë leje ndërtimi. Tash kanë tjetër prioritete.

Komuna e Prishtinës ka filluar edhe t’i ndalë punimet nëpër ato objekte që po ndërtohen pa leje. E përveç kësaj, me anë të komunikatës për media, Zëdhënësi i Komunës, Muhamet Gashi, i cili ka disa javë që ushtron detyrën e Drejtorit të Inspeksionit Komunal, po i bën publik edhe emrat e ndërtuesve, tek të cilët po realizohet aksioni i ndalimit të ndërtimit.

Kështu të enjten, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Inspekcionit, sektori i ndërtimit, ka ndërprerë punimet në dymbëdhjetë ndërtime kolektive në disa lagje të kryeqytetit.

E përveç ndërprerjes së punimeve, për t’u siguruar se puna nuk do të vazhdojë aty pasi ata të largoheshin nga vendi i ngjarjes, inspektorati i ndërtimi, këtyre objekteve u vendosi edhe shiritat.

Sipas Muhamet Gashit, punimet fillimisht u ndërprenë në dy objekte në lagjen “Tophane”, me investitorë Rexhep Hotin dhe Ilir Mustafën.

“Më pastaj u vazhdua më ndërprerjen e punimeve në lagjen “Kalabria” me investitorët ‘OTI-COM’- Xhafer Rrmoku, “Konak” shpk dhe “Nartel”- shpk”, ka thënë Gashi.
“Ndërkaq në lagjen ‘Mati I’, punimet u ndërprenë në objektet e investitorëve: Abaz Zeqiri, ‘Lin-Projekt’, ‘Global’ konstrukcion, Fahredin Gashi, Ibush Zeqiri, Faruk Nura dhe N.N.T- ‘Tregtia’”, u shpreh ai.

Sipas Gashit, ndërprerja e punimeve është bërë për shkak se gjatë kontrollit të këtyre objekteve inspeksioni i ndërtimit ka evidentuar se këta investitorë nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të vazhduar me ndërtim.

“Përveç pagesave që ata kanë bërë dhe planit urbanistik që kanë pas, mund të them se pothuajse asnjëri nga investitorët nuk posedon leje të ndërtimit”, u shpreh Gashi, për Express.

Përveç inspektorëve të komunës, gjatë aksionit të pranishëm ishin edhe Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX’it, të cilët e kanë bërë ndërprerja e punimeve dhe vënien e shiritave në këto objekte kolektive. Por, dëshira për punën në të cilën ai është angazhuar tash e sa javë, nuk e la Muhamet Gashin ta përfundojë ditën vetëm me ndalimin e punimeve në këto objekte. Në të njëjtën ditë, pasi përfundojë aksioni i ndalimit, inspeksioni komunal, ka larguar disa terasa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›