Reciprociteti në qershor
Për fuqizimin e vendimit për doganimin dhe rritjen e TVSH’së për mallrat serbe, Qeveria e Kosovës do të presë muajin qershor. Deri në këtë muaj do të pritet nëse Serbia do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj produkteve kosovare. E nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë mallrave që importohen nga Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Moldavia do t’u rritet TVSH’ja për 10 qind dhe do të aplikohen rregullat e kontrollimit të origjinës së këtyre produkteve.
Por, këtij vendimi i frikësohen importuesit kosovarë. Brengë kryesore e tyre është ngritja e çmimit të produkteve që importohen nga Serbia.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky vendim vjen si rrjedhojë e vendimit të mëhershëm të Qeverisë që të mos hyjnë në procesin e arbitrimit të përfaqësuar nga UNMIK’u në sekretariatin e CEFTA’s. Ajo tregon se për këtë çështje do të diskutojnë sot edhe me presidentin e KEsë, Jose Manuel Barroso dhe me komisionarin për zgjerim. “Ne do të presim disa javë Serbinë, nëse do të ndryshojë qëndrim ndaj mallrave kosovare dhe nëse nuk ka asgjë, atëherë nga mesi i qershorit do të fillojë aplikimi i masave doganore prej 10 për qind për Serbinë, Bosnjën dhe Moldavinë”, tha Kusari-Lila.
Ajo tregon se për të ruajtur stabilitetin e tregut, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të intensifikojnë edhe takimet me shoqatat e prodhuesve në vend dhe do të angazhohen që në tregun vendor të mos ketë ngritje dhe mungesë të produkteve kritike për ushqim. “Brengë kryesore e importuesve kosovarë është rritja e çmimit të produkteve të konsumit të gjerë që importohen nga Serbia”, tha Kusari- Lila.
Por, sipas saj, për produktet strategjike do të duhet një mobilizim institucional, që do të ndalonte destabilizimin e tregut kosovar nga këto masa. Marrjen e këtij vendimi e kanë përkrahur edhe udhëheqësit e institucioneve ekzekutive në vend. Drejtori i Doganave të Kosovës tha se do të jenë të gatshëm që të fillojnë zbatimin e këtij vendimi të Qeverisë. “Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi do të jemi të gatshëm për të zbatuar dhe besoj se nuk do të ketë vështirësi për këtë”, tha Huruglica.
Ai tregon se Serbia vazhdon të jetë një ndër shtetet me eksportin më të madh në Kosovë.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu, thotë se kjo është koha e fundit kur Qeveria duhet të marrë masa ndaj gjithë atyre shteteve që kanë vënë bllokada ndaj produkteve kosovare. “Nëse mendohet për një stabilitet dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duhet të shtrëngojmë dhembët në këtë kohë sepse është koha kur duhet të tregojmë se jemi shtet që jo vetëm flasim, por edhe veprojmë”, tha Gërgjaliu.
Sipas tij, hapa të tillë nuk duhet të hyjnë nën hijen politike. Ai thotë se në fillim zbatimi i këtij vendimi do të ketë euforinë e vet, por kjo, sipas tij, do të zbehet me kohë. Këto masa, sipas Gërgjaliut, do t’i thonë stop eksportimit të parasë së gatshme, humbjes së investitorëve dhe do t’i japin fund mbylljes së bizneseve vendore.