Serbët protestojnë ndaj arrestimeve të EULEX-it
Disa dhjetëra qytetarë të përkatësisë serbe janë mbledhur sot në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, në veri të Mitrovicës, për të protestuar me pretekst të mbështetjes, kundërshtimin e arrestimit të kryer disa ditë më parë në Zubin Potok nga forcat e komponentës policore të EULEX-it.
Policia ka njoftuar se një numër i qytetarëve është tubuar sot rreth orës 9:00, në afërsi të urës. "Kjo formë e protestës e organizuar dhe udhëhequr nga shoqatat e punëtorëve është paraqitur të jetë e qetë ndërsa qytetarët e tubuar janë shpërndarë pa ndonjë incident rreth orës 09:40min", bëri të të ditur policia.
Rruga kryesore mbi lumin Ibër, si edhe udhëkryqi i rrugës “Oslobogjenja”, janë mbajtur të mbyllura për qarkullim të trafikut rrugor, gjatë kohëzgjatjes së protestës.
Të gjitha rrugët janë liruar për qarkullim të rregullt menjëherë pas përfundimit të protestës ndërsa njësitë policore të cilat ishin të angazhuara në mbikëqyrje të këtij tubimi, i janë kthyer detyrave të rëndomta.
Protestë e ngjashme me bllokim në rrugë në Zubin Potok, është duke vazhduar edhe më tutje. Konsiderohet se 20-30 persona, janë duke vazhduar protestën e tyre që nga dita e djeshme në rrugën magjistrale. Nuk është shënuar për ndonjë incident deri më tani, njofton policia, nëpërmes një komunikate shtypi.