E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mbështet qeverinë, KFOR zbarkon në veri, mbyll Jarinjën

TIRANË- Qeveria e Kosovës tashmë ka dhe mbështetjen e Parlamentit për vendosjen e rendit në pikat doganore në veri të Kosovës dhe në zbatimin e reciprocitetit me Serbinë. Një e drejtë kushtetuese për ushtrimin e kontrollit të plotë në të gjithë territorin e Kosovës.

Tashmë dy pikat kufitare të Bërnjakës dhe Jarinjës, në kufi me Serbinë janë nën kontrollin e KFOR, pas sulmit të së
mërkurës në mbrëmje. Grupe ekstremistësh serbë i vunë flakën pikës kufitare nr 1 në Jarinjë, dhe dogjën objektet përreth
në pikën kufitare 31 në Bërnjakë, pavarësisht se Prishtina kishte tërhequr forcat speciale.
 
Dëmtimet e rënda dhe rreziku nga shembja detyruan KFOR-in të mbyllte doganën në Jarinjë, ndërkohë që në pikën tjetër kufitare, në Bërnjak, kontrollet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.

Nga ana e tij kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se ai nuk do të zmbrapset dhe akuzoi bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi, për djegien e pikës doganore 1 në Jarinjë. Ndërsa Beogradi i quajti "të pavërteta" deklaratat e kryeministrit kosovar. Edhe përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se nuk qëndronin para akteve të sulmeve.
Trupat e KFOR zbarkuan në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

KFOR: PORTAT 1 E 31, ZONA TË KUFIZUARA USHATARAKE
Ora 20:01 Pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjakë janë cilësuar si zona të kufizuara ushtarake nga KFOR, duke paraplajmëruar se mund të përdorë armët nëse ky vendim shkelet.

“Unë nuk mund të përjashtojë një përpjekje tjetër, por që të dyja portat janë deklaruar zona të kufizuara ushtarake dhe rregullat janë shumë të qarta”, ka thënë në një intervistë për agjencinë Reuters, komandanti i KFOR-it, Ehrard Byhler.

“Ushtarët mund të përdorin armët vdekjeprurëse për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit, për të mbrojtur pronën, zonën e kufizuar ushtarke. Askush që nuk është i autorizuar që të punojë ose të kalojë portat, nuk duhet të jetë afër portave”,- ka thënë Byhler.

MIRATOHET REZOLUTA PËR VERIUN
Ora 14:40- Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute i ka dhënë mbështetje qeverisë që të vazhdojë me masat e ndërmarra në veri të Kosovës, për vendosjen e rendit në pikat doganore dhe zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.
Rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u mbështet nga 89 deputet, 8 ishin kundër.
Me këtë rezolutë, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet të drejtën Kushtetuese të institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në gjithë territorin e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili lexoi tekstin e saj.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga qeveria të vazhdoj në angazhimin e saj për vendosjen e autoritetit kushtetues në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në ndërmarrjen e veprimeve të tjera për shtrirjen dhe ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Grabovci.

Me këtë Rezolutë, Kuvendi fton edhe faktorin ndërkombëtar që t’i mbështesë dhe ndihmojë institucionet e Kosovës në angazhimet për vendosjen e autoritetit kushtetues në gjithë territorin e vendit. Rezoluta u miratua gjatë një seance të jashtëzakonshme pas debateve të shumta.
Kryeministri Hashim Thaçi akuzoi edhe njëherë Beogradin dhe strukturat paralele në veri për djegien dhe sulmet në pikat doganore.
“Këto turma të dhunshme kriminale serbe, nuk janë qytetarët serb shtetas të Republikës së Kosovës. Ata janë faqja e zezë e komunitetit serb në Kosovë. Ata janë e keqja e komunitetit serb në Kosovë. Ata janë duke e turpëruar komunitetin serb në Kosovë. Komuniteti serb në Kosovë gjithnjë e më tepër po distancohet nga ta. Kanë mbetur individë në Kosovë që e përqafojnë politikën e dhunës së Beogradit në Kosovë”, tha para Parlamentit, Thaçi.

Ndërkohë, opozita, edhe pse i ka dhënë mbështetje qeverisë, ka shprehur pakënaqësi me hapat e ndërmarrë pas tërheqjes së forcave speciale nga veriu. Por megjithatë me votën e tyre ka mbështetur qeverinë.

Ndërkaq një mendim ndryshe nga partitë tjera politike në pozitë dhe opozitë ka shprehur lëvizja Vetëvendosje.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkoi që presidentja Atifete Jahjaga të shpallë gjendje të jashtëzakonshme duke propozuar edhe mobilizim për ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.

SERBIA SHTON KONTROLLIN NE KUFIJTE ME KOSOVEN
Ora 14. 32 Shefi i policisë serbe, Milorad Veljoviç deklaron se forcat policore serbe dhe trupat e NATO-së kanë përforcuar kontrollet në pikëkalimet kufitare në të dy anët e kufirit të Kosovës.
Sipas tij kjo është bërë për të ndaluar dhunën etnike raporton agjencia Reuters.
“Do të ndalojmë ekstremistët nga Serbia për të shkuar në Kosovë. Ne do të ndihmojmë paqeruajtësit ndërkombëtarë në të gjitha mënyrat e mundshme”, ka thënë shefi i policisë serbe, Milorad Veljoviç.
Ndërkohë që zëdhënësi i qeverisë serbe, Miliovoje Mhajloviç citohet të ketë thënë se “Dhuna, nga cilado anë, nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemeve. Për ne, dialogu është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet në Kosovë”

MBYLLET PIKA KUFITARE NË JARINJË
Ora 12:36- Pika kufitare 1 në Jarinë është mbyllur për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja, ka bërë të ditur KFOR-i.  Në një komunikatë për median, KFOR njofton se nuk janë lejuar të futen kaminoët nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i dhe bastisen për armë.

Në pikën kufitare 31 në Bërnjak, njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie. KFOR-i njofton se vazhdon të dërgojë trupat e veta në gjithë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

KFOR njoftoi se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

KUVENDI I KOSOVËS SEANCË TË JASHTËZAKONSHME
Ora 12:16- Kuvendi i Kosovës ka nisur një senacë të jashtëzakonshme pas situatës së krijuar në veriun e Kosovës, ku ekstremistët serbë dogjën pikën kufitare të Jarinjës. Kryeministri Thaci gjatë fjalës së tij në Kuvend u shreh për ruajtjen e sigurisë territoriale të Kosovës.Kryeministri Thaçi ka siguruar ligjvënësit se Qeveria është e vendosur dhe për asnjë çmim nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para katër ditësh.

“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para katër ditësh. Nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e ‘status quos’, nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëhershme. Qeveria e Kosovës është e konsultuar dhe e koordinuar me të gjithë faktorët që punojnë për rend, ligj, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë më tej se masat e reciprocitetit me Serbinë do të zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjas derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Thaçi ka shprehur gatishmërinë për dialog për çështje praktike, por ka përjashtuar çfarëdo dialogu për rregullimin e brendshëm, duke thënë se për çështjet e brendshme nuk do të bisedohet asnjëherë në asnjë rrethanë dhe me askënd.

Ndërsa grupi parlamentar i PDK-së prezantoi një rezolutë, me të cilën këkrohet që Kuvendi t’i japë mbështetje qeverisë, në vendosjen e rendit në veri. Po ashtu, me këtë rezolutë ftohet edhe prania ndërkombëtare të luajë rol në ruajtjen e sovranitetit të Kosovës. Aktualisht, mendimet e tyre po i prezantojnë grupet parlamentare dhe në fund pritet që të votohet kjo rezolutë.

VETËVENDOSJE: TË SHPALLET GJENDJE E JASHTËZAKONSHME
Ora 11:30- Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se për shkak të situatës së rëndë në veri të Kosovës, presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, duhet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Vetëvendosje, mes tjerash, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme edhe zyrtare të bisedimeve me Serbinë dhe fillimin e bisedimeve për përfundimin e misionit të EULEX-it dhe ridefinimin e pranisë së BE-së në Kosovë.

KFOR-I AMERIKAN MERR NË KONTROLL 2 PIKAT DOGANORE
Ora 09:12- KFOR merr në kontroll 2 pikat kufitare në veri. Këto forca shkuan atje pas djegies së tyre nga ekstremistët serbë, dhe largimit të
Policisë së Kosovës e EULEX-it.

ASHTON DËNON DHUNËN NË VERI
Ora 07:39- Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka dënuar dhunën që ka zënë vend në veri të Kosovës.
“E dënoj fuqishëm dhunën në veri të Kosovës. Zhvillimet e fundit janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e saj.

“Është përgjegjësi e Beogradit dhe e Prishtinës që menjëherë t’i zbusin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë. Dhuna kurrë nuk do të tolerohet, ndërsa veprimet e njëanshme nuk janë rruga për të ecur përpara”, ka thënë kryediplomatja evropiane.
(m.Arapi/BalkanWeb) Lidhje te tjera Lunaçek: Tërheqja e Serbisë nga dialogu, solli dhunën Kosova, Tirana dënon sulmin: Sovraniteti i pakthyeshëm Thaci: Serbia përgjegjëse për sulmin Stefanoviç: Beogradi s'ka lidhje me sulmet serbe në veri VIDEO: Kosovë, Thaci akuzon Beogradin për sulmet në veri të vendit FOTO: Serbët djegin pikën kufitare

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›