Kuvendi mblidhet më 22 nëntor

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës vendosi sot që vazhdimi i seancës së javës së shkuar të bëhet të enjten, më 22 nëntor, dhe që rendit të ditës t’i shtohen edhe dy pika të reja: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor, si dhe shqyrtimi i Raportit të tretë për zbatimin e Planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për integrim evropian për vitin 2012.
Duke e shqyrtuar kërkesën për procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, Kryesia konstatoi se Qeveria e ka dhënë mendimin e vet dhe Deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji, prandaj e ngarkon Komisionin për zhvillim ekonomik... që ta përgatisë raportin preliminar për shqyrtimin e parë të këtij projektligji.
Edhe Propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kryesia ia ka deleguar të njëjtit komision që të përgatisë për Kuvendin raportin me rekomandime për këtë çështje, raporton RTK.
Kryesia, pasi e ka shqyrtuar Raportin vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2011, e ka ngarkuar Komisionin për legjislacion dhe Komisionin për buxhet dhe financa që ta shqyrtojnë Raportin vjetor të KGjK-së, për vitin 2011 dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportet me rekomandime.
Kryesia ka shqyrtuar gjithashtu kërkesën e Komisionit për buxhet dhe financa për caktimin e pagës dhe kompensimit për anëtarët e institucioneve dhe të agjencive të pavarura, duke e ngarkuar të njëjtin komision që, me rastin e shqyrtimit të Projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, t’i shqyrtojë mundësitë buxhetore dhe Kuvendit t’ia paraqesë Propozim-vendimin për caktimin e pagës dhe kompensimin e anëtarëve të institucioneve dhe agjencive të pavarura derisa të miratohet Ligji për pagat e funksionarëve të lartë publikë.
Po në mbledhjen e sotme anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare kanë shqyrtuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2012. Komisioni për buxhet dhe financa ka vlerësuar se Raporti i përmbush kushtet ligjore për raportim, që dalin nga Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë dhe i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit për miratim.
Arsyetimin e Raportit e ka paraqitur sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, kurse atë e ka miratuar Kryesia e Kuvendit./Indeksonline/