E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish në protestë

Zjarrfikësit e Prishtinës dhe të rajonit do të ja zënë sërish derën Komunës së Prishtinës. Ata, ashtu si herën e kaluar, po kërkojnë që ta paguhen për punën që janë duke e bërë jashtë orarit, ndërrimin e natës, orët shtesë dhe vikendet.

Këshilli Grevistë i Shoqatës Sindikale të Zjarrfikësve të Prishtinës, ka vendosur që sërish me datë 22 të këtij muaji të protestojë.

Muharrem Beka, Kryetar i Shoqatës Sindikale ka thënë për Indeksonline, se në orën dhjetë të datës 22 nëntor, do të protestohet prapë për kërkesat e zjarrfikësve.

“Protesta do të fillojë në orën dhjetë para hotelit “Grand” dhe do të marshojmë në këmbë deri të Kuvendi Komunal i Prishtinës. Deri tani na kanë konfirmuar se protestës do ti bashkëngjiten Peja, Gjakova, Vitia, Ferizaj, Lipjani, dhe po ashtu jemi në bisedë e sipër edhe me regjionin e Mitrovicës dhe me regjionin për rreth Prishtinës”, ka thënë Beka.

Beka thotë se pas takimit që kanë pasur me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën, zjarrfikësit nuk janë ndarë të kënaqur.

“As minimumi i kërkesave që kemi pasur nuk na është përmbushur. E vetmja ka qenë, rroga jashtë orarit të punës”, ka thënë Beka për Indeksonline.

Muharrem Beka ka thënë se, edhe nëse Komuna e Prishtinës nuk arrin ti përmbush kërkesat e zjarrfikësve, ata do të mblidhen sërish, duke planifikuar për një protestë më radikale./D.H/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›