Kuvendi mbyll punimet me votimin e 20 ligjeve
BLEDAR HOTI
Kuvendi zhvillon seancën e fundit plenare për legjislaturën e XVII-të, duke mbyllur punimet e tij me shqyrtimin e 20 projektligjeve. Seanca e fundit mund të cilësohet si maratonë, pasi në axhendën e punimeve janë 21 pika për t’u shqyrtuar nga ana e deputetëve. Seanca maratonë pritet të nisë në ora 18:00 ku pika e parë e rendit të ditës është miratimi i procesverbalit të seancave plenare të datës 23 dhe 27 prill. Më pas do të procedohet me shqyrtimin e të paktën 20 projektligjeve të parashikuara. Të lëna për në ditën e fundit, maxhoranca aktuale do të tentojë të miratojë një pjesë të projektligjeve që kanë të bëjnë me huatë e marra nga qeveria së fundmi. Gjithsej janë gjashtë marrëveshje të huasë që qeveria ka paraqitur në këtë fund sesioni, për të miratuar nga Parlamenti. Ndërsa pritet të miratohet projektligji “Për Gjykatën Administrative”, ku Komisioni i Ligjeve pa praninë e opozitës ka hartuar një draft të ndryshëm nga ai i qeverisë. Opozita nuk ka qenë e pranishme në diskutimin e këtij drafti, por demokratët shprehen se ndryshimet janë realizuara mbi bazën e propozimeve të ekspertëve të PS-së. Një ligj i tillë kërkon një shumicë të cilësuar të votave për t’u kaluar, çka do të thotë se vota e opozitës është shumë e rëndësishme. Votim tjetër është edhe ai për ndryshimin në ligjin “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. Legjislatura e XVII nisi më 3 shtator të vitit 2005, maxhoranca qeverisë i përkiste të djathtëve. Deri në seancën e parafundit, më 27 prill, Kuvendi ka miratuar 699 ligje. Për këtë sesion parlamentar, që ka nisur nga janari-deri në maj 2009, Parlamenti ka votuar 65 ligje, këtu pa përfshirë votimet që do të realizohen në seancën e sotme. Në axhendën e punimeve parlamentare të ditës së fundit nuk është përfshirë raporti i komisionit hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë, Edi Rama.
projektligjet
“Marrëveshja kuadër e huasë për financimin e projektit të rrugëve dytësore dhe vendore”.
“Marrëveshja e huasë për një financim shtesë për projektin e ofrimit të shërbimeve sociale”.
“Marrëveshja e huasë për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale malore”.
“Marrëveshja e kredisë së eksportit, për financimin për përmirësimin e pajisjeve mjekësore për Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
“Marrëveshja e huasë me ALPHA BANK A.E. e DEUTSCHE BANK AG Dega e Londrës”
“Marrëveshjes së garancisë ndërmjet Shqipërisë dhe IBRD për garantimin e projektit të privatizimit të OSSH”
Akt normativ, “Për trupat ushtarake në Çad”
“Për gjykatën administrative”
“Për tregtinë elektronike”.
“Për gjendjen civile”.
“Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”.
“Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”
“Për shërbimin postar në Republikën e Shqipërisë”.
“Për patrullimin e hapësirës ajrore të Shqipërisë”.
“Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare”
“Për krijimin e Qendrës së Panaireve dhe të Ekspozitave Tregtare”.
“Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”.
“Për titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore”.
“Për disa ndryshime për licencat, autorizimet dhe lejet”
Projektligj “Për shëndetin publik”.