E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS- Qeveri përplasen për kartat

 

Partia Socialiste dhe Qeveria përplasen sërish në distancë për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. Sekretari për çështjet e zgjedhjeve në selinë rozë, Kastriot Islami tha dje gjatë një konference për shtyp se ky proces është duke ecur me ritme të ngadalta dhe në 17 rrethe të vendit numri i aplikuesve nuk i kalon 25% të listës së qytetarëve pa pasaportë. “Situata paraqitet alarmante në bashkitë e vogla dhe komunat e thella të 17 rretheve, pra pothuajse në gjysmën e vendit, ku shifra e aplikimit është nën 25 për qind. Prej tyre, situata duket pa shpresë për të realizuar objektivin e pajisjes së çdo votuesi pa pasaportë me letërnjoftimi në njësitë vendore të drejtuara nga PD. Drejtuesit e tyre në shumë raste pengojnë me mënyra të ndryshme zbatimin e VKM dhe votuesit të aplikojnë; nuk mungojnë rastet kur veprimi është selektiv”, theksoi Islami. Gjithashtu sipas tij “Vendet me problematike në këtë fazë të procesit janë zyrat e postave, të cilët në shumicën e rasteve nuk respektojnë vendimin e fundit të KM dhe janë kthyer në penguesit kryesorë të procesit dhe po demotivojnë në këtë fazë votuesit për të aplikuar”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila përmes zëdhënësit Fatmir Konja ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës. Konja tha se qytetarët e marrin këtë shërbim në 7 ditë të javës, teksa shtoi se çdo ditë aplikojnë dhe prodhohen rreth 20-22 mijë letërnjoftime. “Për shkak të këtij intensiteti, deri më tani kanë aplikuar më shumë se 850 mijë qytetarë dhe janë prodhuar mbi 650 mijë letërnjoftime elektronike. Në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë, janë 15 mijë qytetarë shqiptarë të cilët kanë tërhequr kuponat me 200 lekë pranë zyrave të shërbimit postar në të gjithë vendin”, tha Konja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›