E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Drejtësia, e pavarur nga politika e klanet ekonomike

 

Presidenti Bamir Topi bën thirrje për një drejtësi të pavarur nga politika dhe klanet ekonomike. Në Ditën e Drejtësisë, kreu i shtetit organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku ishin ftuar personalitete të shquara të fushës e drejtësisë shqiptare. Gjatë fjalës së tij, Topi theksoi se “ne themi shpesh që gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë duhet të jenë të pavarura. Kjo mund të shikohet në dy këndvështrime. Pavarësi nga politika, pavarësi nga klanet e caktuara ekonomike, por nga ana tjetër duhet të  shikohet edhe si një pavarësi që varet totalisht nga individi, që punon në sistemin e drejtësisë. Sistemi që po ndërtojmë çdo ditë rrit pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Kjo falë edhe asistencës së misioneve ndërkombëtare, miq të Shqipërisë, që bëjnë asistencën dhe japin eksperiencë mjaft të vyer”. Sipas tij binomi i pavarësisë do të realizohej në momentin kur çdo prokuror edhe gjykatës do të ndjehet i pavarur në integritetin e tij. “Do të inkurajoja të gjithë punonjësit e drejtësisë që të vazhdojnë dhe të punojnë me përkushtim, të vazhdojnë me seriozitet dhe të mos vlerësojnë vetëm momentin, kur emërohen për një pozicion të caktuar. Nuk mungojnë rastet kur në çastet e emërimit janë shumë të predispozuar, ndërsa në momentet kur ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sigurisht që nxjerrin mangësi. Pra, para se të demonstrojë standarde të tjera, duhet të demonstrojë standardin e karakterit”, vijoi më tej kreu i shtetit. Më 10 maj 1913 u shpall akti i parë ligjor i qeverisë së Ismail Qemalit, Kanuni i Zhurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›