E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miratoi nen për nen ligjin e dosjeve

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot nen për nen dhe në tërësi, me 74 vota pro 2 kundër dhe 1 abstenim ligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", i quajtur ndryshe si ligji i 'dosjeve'. Opozita e majtë, e braktisi seancën duke mos marrë pjesë në votim pasi e kundërshtoi ligjin si 'antikushtetues'. Ligji i diskutuar në Kuvend një javë më parë (15 dhjetor) dhe i miratuar pasditen e sotme, synon të kontrollojë çdo funksionar publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.


Ligji  me 30 nene, ka një shtrirje në kohë përreth 45 vjet (29 Nëntor 1944 - 8 Dhjetor 1990) dhe ai parashikon verifikimin e figurave të funksionarëve publikë, përfshirë Presidentin e Republikës, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, funksionarë të lartë politikë e administrativë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve.


Zbatimi i ligjit do të bëhet nga Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili do të ketë 5 anëtarë, dy përfaqësues të shumicës parlamentare dhe dy të opozitës, së bashku me kryetarin e Autoritetit, i cili do të zgjidhet me konsensus.


Ligji nuk penalizon njeri, por ai vendos një masë administrative për një periudhë të kufizuar për ata që synojnë poste ose marrjen e piramidës së shtetit shqiptar.


Nga ana tjetër, ligji sanksionon të drejtën e çdo shtetasi shqiptar për t'u njohur me të dhënat personale lidhur me atë që përmbajnë dosjet e sigurimit të shtetit, kjo e bazuar në standardet e kërkuara nga Këshilli i Europës në rezolutën e tij.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›