E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton me konsensus ligjin per Gjykaten Administrative

Parlamenti miratoi më në fund ligjin për gjykatën administrative pas më shumë se 3 vitesh diskutimi dhe debate në komisione parlamentare dhe në kuvend. Ligji mori shumicën e kërkuar me 123 vota të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Të dyja palët kanë rënë dakord që në shkallë vendi të jenë 6 gjykata rrethi administrative, duke marrë si formë organizimi atë të gjykatave të apelit. Sipas ligjit të miratuar veprimtaria e Gjykatës administrative të Shkallës së Parë do të zhvillohet në selinë e saj ndërsa gjykata mund ta zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson eksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale.

OSBE mirëpret miratimin e ligjit: Do fuqizojë sistemin e Drejtësisë
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Ëollfarth, mirëpriti sot miratimin e ligjit për gjykatave administrative nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Ligji për gjykatat administrative i miratuar nga Kuvendi pritet të fuqizojë sistemin e drejtësisë në vend, të përmirësojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në drejtësi, si dhe të mundësojë veprime procedurale dhe gjykime më të shpejta”, tha Ëollfarth. “Të gjitha këto janë shumë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor në vend”.

“Projektligji u përmirësua ndjeshëm në krahasim me vitin 2010, kur u paraqit për herë të parë në komisionin parlamentar të ligjeve. Përmirësimet ishin, në një shkallë të madhe, rezultat i konsultimeve publike me aktorët e interesuar. Kjo, së bashku me një atmosferë pune konstruktike në komision, është një faktor nxitës për reforma të mëtejshme dhe për veprimtarinë e Kuvendit”, shtoi ai.
Ligji i miratuar sanksionon kritere të qarta për përzgjedhjen dhe ngritjen në detyrë të gjykatësve të gjykatave administrative, në mënyrë transparente, bazuara tërësisht në meritat e tyre dhe duke u kushtuar vëmendjen e duhur kualifikimit profesional, integritetit, aftësive dhe efiçencës së tyre. Për herë të parë, ky ligj parashikon një shqyrtim të pavarur gjyqësor, i cili do të bëjë të mundur shqyrtimin nga ana e gjykatave të çdo shkeljeje të ligjit të kryer nga organet administrative, duke përfshirë këtu mungesën e kompetencave, papërshtatshmërinë procedurale dhe rastet e shpërdorimit të detyrës.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e ka ndjekur nga afër dhe ka mbështetur hartimin e ligjit për gjykatat administrative. Së bashku me partnerë ndërkombëtarë, Prezenca ka ofruar rekomandimet e saj, mes të cilave rekomandime lidhur me përzgjedhjen e gjykatësve në bazë të meritave të tyre dhe shtimin e numrit të gjykatave administrative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›