Kuvendi miraton me shumicë votash projektligjin “Për të drejtën e privatizimit të truallit Shtetëror”

Bode: Ky ligj u jep mundësi qytetarëve të privatizojnë ndërtesat e ngritura mbi truallin shtetëror
Kuvendi miratoi dje me 70 vota “pro”, 60 vota kundër dhe 1 abstenim, disa ndryshime në ligjin “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”.
Nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se ndryshimet në ligjin “për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, u jep mundësi qytetarëve të privatizojnë të gjitha ndërtesat e ngritura me leje ndërtimi të rregullta mbi truall shtetëror në vitet ‘90.
“Projektligji propozon përfshirjen në procesin e privatizimit të shitjes së trojeve publike të një kategorie pronash. U jep mundësi qytetarëve t’i privatizojnë të gjitha ndërtesat e ngritura me leje ndërtimi të rregullta në një sipërfaqe prej 200 m2, siç përcaktojnë ligjet e kohës gjatë periudhës së para vitit ‘91 e deri në kohën kur u krijuar Agjencia e Privatizimit”, u shpreh Bode.
Të gjithë atyre që kanë ndërtuar një shtëpi me leje, vijoi Bode, por nuk kanë privatizuar truallin, sepse ligjet e kohës nuk lejonin shitblerjen e tokës, ky ligj iu jep të drejtën që në momentin e hipotekimit të kësaj prone, t’a përfshijnë dhe truallin mbi të cilën është ndërtuar kjo pasuri. Po ashtu tha ai, të gjitha ndërtimet e dhëna nga komitetet pluraliste përgjatë viti 91-92 deri në vitin 93 kur u ngrit Agjencia e Privatizimit, pasi janë ndërtime të ligjshme, sepse janë dhënë leje ndërtimi nga komitetet pluraliste, por nuk u është dhënë toka në pronësi.
“I kanë këto shtëpi prej 20 vitesh, por nuk janë pronarë të truallit. Trualli është ende publik dhe shteti si përfaqësues i interesave publike nuk merr as qira as vlerën e tokës”, theksoi Bode.
Po ashtu tha ai, përfshihen edhe ndërtimet pas kësaj periudhe deri në autorizimin e shitblerjes së tokës.
“Projektligji përfshin edhe ndërtimet me leje të privatizuara nga pronat e kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore. Komisionet bën shitjen e mureve, po jo truallit, pasi në atë kohë kur u bë shkrirja e kooperativave dhe ndërmarrjeve nuk ishte autorizuar shitblerja e pronës”, sqaroi Bode.
Në Ministrinë e Financave dhe drejtorinë për shitblerjen e pronave publike, bëri të ditur Bode kanë ardhur mbi 400 kërkesa të tilla, të cilat zbuluan mangësitë në ligj ndaj dhe është e domosdoshme shtyrja me një vit e afatit të shitjes së truallit shtetëror për objektet e privatizuara apo ish-pronat e kooperativave bujqësore. Të dhënat flasin për 28 mijë hektarë truall që pritet të shitet. Në bazë të ndryshimeve të propozuara, të gjithë ata që zotërojnë një objekt shtetëror, të përfituar nga privatizimet e viteve ‘90, mund të privatizojnë edhe truallin.