Lulzim Basha: Bulevardi dhe Lumi i Tiranës, një vizion për Tiranën e 30 viteve të ardhshme

Për herë të parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha jep detaje lidhur me mega-projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës. Disa korporata britanike, amerikane, italiane e gjermane, të interesuara për ndërtimin e stacionit multimodal të transportit. Rehabilitimi i Lumit të Tiranës si dhe ndërtimi Unazës së Madhe nga ura e Kamzës deri tek ura e Brarit, pritet që të nisin paralelisht gjatë mandatit të parë të kryebashkiakut Basha
Z.Basha, sa kushton ky projekt për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës?
Në kriteret që juria mori parasysh është edhe kriteri i fizibilitetit të zbatimit që do të thotë “mundësia për ta ekzekutuar këtë dhe efiçenca e projekteve. Ky kriter vlerësimi është i rëndësishëm për qytetarët, kjo do të thotë se juria pati një vëmendje të veçantë nëse projektet janë të zbatueshme jo vetëm në kuptimin teknik por edhe në kuptimin e efiçencës ekonomike dhe sasisë së parave që këto projekte do të kërkojnë për t’u zhvilluar. Projektet kanë dy element, kanë elementin publik dhe atë privat. Për qytetarët ka shumë rëndësi të kuptojnë se katalizatori, nxitësi i zhvillimit këtu, sikundër në Shqipëri në shtatë vitet e fundit të paktën është infrastruktura publike, sigurisht pasi thith biznesin privat. Për mua ky projekt ka një shpalosje të qartë... Hapësira e gjelbër në këto projekte si dhe në disa projekte të tjera është zgjidhur me disa derivatë, shpresoj të kemi mundësinë të diskutojmë konkretisht, të integruar me bulevardin, lumin, të ndërthurur me njëri-tjetrin apo me tranzicione të përziera por bulevardi për mua është vepra e parë nxitëse katalizatore e këtij zhvillimi të Tiranës modern europiane të shekullit të XXI. Të dy projektet paraqesin bulevard linear, bulevard të gjerë me parametra të ndryshme gjerësie, parametra gjelbërimi, njëri ka parametra të theksuar të hapësirave ujore, tjetri ka parametra të theksuar të infrastrukturës duke bërë një lidhje do të thoja nga më modernet dhe më efiçentet të kësaj arterie të bulevardit me arteriet laterale. Detyra e projektimit u ka dhënë arkitektëve një ide se brenda cilit marzh duhet të operojnë. Ne u kemi dhënë një marzh veprimi I cili nuk do të tejkalonte një shumë prej 30 deri 40 milionë euro vetëm për arterien e bulevardit bashkë me tranzicionin e lumit të Tiranës, pra kalimin, kryqëzimin, pjesën e bulevardit nga Stacioni i Trenit deri në bregun verior të lumit të Tiranës..
Pra, vetëm segmenti nga Stacioni i sotëm i trenit deri te kryqëzimi me lumin e Tiranës. Bulevardi së bashku me dy zonat e gjelbra apo parkun bashkë duhet të shkojë 36 deri në 40 milionë…
Këto janë referencat që u janë vënë projektuesve, për t’i orientuar se çfarë kapacitetesh ka investitori në këtë rast Bashkia e Tiranës në mënyrë që ata të mund të projektojnë, do të bëjmë një rrugë me 6 korsi me asfalt, që besoj është vepra më e thjeshtë apo do të bëjmë një rrugë me shatërvanë të praruara me flori, që është ekstremiteti tjetër apo do bëjmë diçka që vërtitet….
Po rehabilitimi i lumit të Tiranës? Sa Kushton?
Rehabilitimi i lumit të Tiranës ka një faturë financiare e cila derivohet nga një projekt i miratuar në Këshillin e Rregullimit të Territorit, projekt i cili sidoqoftë ka një rezervim, edhe nga Këshilli kur e ka miratuar. Projekti e parashikon lumin të inkasuar, të futur në një shtrat betoni, pak a shumë si Lana dhe gjej rastin të përsëris se bëhet fjalë për lumin e Tiranës, Tirana gjendet mes dy lumenjve Lanës dhe Tiranës, këtu bëhet fjalë për lumin e Tiranës. Lumi ka një faturë që ndahet në dy pjesë, faturën e infrastrukturës, pra të Unazës që projektohet në dy anët, e cila meprojeksionet e inxhinierëve të transportit parashikohet, sikundër edhe pjesë të tjera të Unazës që po ndërtohen sot në Tiranë, të jetë diku tek 70 apo 80 milionë euro, për 6.7 km…
Z. Basha a mund të më shpjegoni projektet duke filluar nga ai i DAR?
Nga bulevardi Zogu i Parë fillon zona e projektimit deri në parkun e Paskuqanit. Kjo është zona tjetër e studimit nga Ura e Kamzës deri tek ura e Brarit. Basha: Është 6.7 kilometra. Ndërkohë që gjatësia nga stacioni i trenit deri tek Bregu jugor i Lumit të Tiranës është 1.8 kilometra, e barabartë me gjatësinë nga stacioni i trenit deri tek sheshi Nënë Tereza. Distanca nga treni deri në hyrje të parkut të Paskuqanit, pasi këtu është edhe rezervuari i Paskuqanit me zonën e lirë përreth, është rreth 800 metra në varësi të trajektores. Kjo do të thotë që aksi veri - jug i qytetit të jetë plotësisht u urbanizuar për një gjatësi nga sheshi Nënë Tereza deri në parkun e Paskuqanit, prej 4.5 kilometrash.
Basha: Stacioni i Trenit, siç është informuar publiku, do të jetë një nga veprat që do të ndërtohet në Tiranë në kuadër të planit të ri urbanistik, dhe për këtë është përcaktuar një zonë e cila ndodhet në afërsi të kthesës së Kamzës. Territorialisht është pjesë e komunës së Kasharit dhe si pronë është e Bashkisë së Tiranës, e cila ka kaluar me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.
Ky stacioni do të jetë vetëm për trenin apo edhe për të tjerë?
Do të jetë për Trenin, për tramin, do të jetë për autobusët ndër-urbanë, për linjat e autobusëve urbanë, për taksitë dhe do të ketë po kështu edhe hapësira komerciale.
Sa i gjatë është trami nga këtu nga kthesa e Kamzës deri tek universiteti duke kaluar nëpër bulevard?
Kjo varet nga version që do të për zgjidhjet. Nëse do të kalohet në trasenë ekzistuese të trenit apo nëse do të ketë një ndërthurje të kësaj gjurme me gjurmën e Unazës. Dhe këtu zgjidhjet variojnë jo vetëm nëpërmjet këtyre dy projekteve por edhe nëpërmjet 7 projekteve që e kanë zgjidhur në mënyra të ndryshme.
Projekti (DAR) për momentin është më i komentuar nga qytetarët. Z Basha në hyrje të sheshit ku ndodhet stacioni i trenit e në drejtim të bulevardit të ri, befas aksi kryesor i bulevardit i ndërtuar nga italianët dhe i konceptuar nga të gjithë arkitektët italianë duket se ndërpritet. Që do të thotë se trafiku vjen këtu ku ndodhet stacioni i trenit dhe hapet në dy anë, në këtë drejtim ku futet në park dhe në drejtim tjetër ku del në anën e kundërt të parkut. Në këtë mënyrë po ndërtojmë një bulevard apo një bulevard që mbaron me një lulishte?
Koncepti i këtij projekti është një integrim i elementëve të fortë të gjelbërimit dhe të hapësirave ujore me hapësirën e dedikuar të bulevardit. Jo më kot ky projekt ka zgjedhur gjerësinë më të madhe. Është afërisht 120 metra i gjerë në pjesët nga fasada në fasadë. Siç dikush komentoi, është një zgjidhje e shartuar mes bulevardit dhe “Central Park”, që ju iu referuar parkut të Manhatanit (New York). Sigurisht në këtë projekt sikundër edhe në projektet e tjera dhe veçanërisht në këto dy që janë projektet fituese, juria dhe grupi teknik kanë një numër të caktuar pyetjesh të cilat do ti drejtohen për sqarime të mëtejshme. Pra asgjë e paraqitur në këtë projekt nuk mund të merret si finale. Ajo që merret nga ky projekt është ideja, vizioni se si e shikojnë zgjidhjen në tërësi të detyrës që iu është dhënë, zgjatimi i bulevardit dhe lumit. Një nga rezervat që unë kisha personalisht ishin pikërisht këto dy kulla të cilat janë projektuar si projekte publike, si ndërtesa e re e Bashkisë së Tiranës. Kështu thuhej në relacionin e arkitektëve.
Projekti Grimshaw...
Nikolas Grimshaw është një arkitekt britanik i cili njihet për veprat e tij të infrastrukturës. Natyrisht që për këtë projekt ka angazhuar një skuadër urbanistësh, sepse ky projekt është një projekt për zhvillim urban, sigurisht me element të fortë infrastrukturw por në këtë fazë ka të bëjë kryesisht me zhvillimin urban. Skuadra e tyre ka qenë kaq shumë e angazhuar nga pikëpamja sa në projektin e tyre të zhvillimit nisen jo vetëm nga aksi por edhe nga zonat përreth aksit, zonat informale, duke propozuar një përqasje me faza.
Rehabilimi i Lumit të Tiranës do të fillojë para Unazës së madhe nga Kthesa e Kamzës tek ura e Brarit apo do të bëhet paralelisht?
Do të jetë një zhvillim paralel por do të jetë në varësi të projektit fitues dhe zgjidhjes përfundimtare. Puna do të ecë paralelisht me pastrimin e lumit dhe me veprat publike si unaza.
Hapësira nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit me të njëjtin gjatësi sa bulevardi ekzistues, mbaron apo jo brenda mandatit tuaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Përpjekja për të bërë lajm është e admirueshme por edhe ju detyrimin tim për t’u përgjigjur në raport me përgjegjësitë që unë kam. Pikë së pari kjo është një vepër shumë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, e cila nuk mund të matet me mandate. Duhet të matet me cilësinë e punës, me aftësinë për të thithur fonde, për ta nisur dhe mbaruar punën në kohë, dhe për ta bërë ambientin tërheqës në tri aspekte. Në aspektin e cilësisë së jetës së qytetarëve pra më shumë gjelbërim, më shumë hapësira rekreative për fëmijët, për të moshuarit, ajër të pastër në qytet, dhe çfarë është më e rëndësishme çfarë do të sjellë në dinamikën ekonomike të qytetit, dhe në mundësinë për të thithur investime dhe për të hapur vende pune. Me sinqeritetin me të madh unë ia bëj vetes këto pyetje më shumë se një herë në ditë në lidhje me këtë projekt dhe me sinqeritetin më të madh nuk e prokuroj vetem në raport me mandatit. Personalisht jam i bindur që kjo hapësirë nga stacioni i trenit deri tek Lumi Tiranë mund dhe duhet të përfundojë brenda këtij mandati.
Pra mund të mbarojë brenda vitit 2015?
Ky projekt, i ekzekutuar nga stacioni i trenit deri tek bregu i lumit me parametrat e një bulevardi modern, do t’i japë qytetit të Tiranës jo vetëm thjeshtë 1.8 kilometër bulevard por një korridor të ri shplodhës, të gjelbëruar, mundësi për fëmijët, të moshuarit dhe një front të punësimit për qytetarët. Jam shumë krenar që shtatë nga studio më të mira të botës, të gjykuara nga një juri me potencialet më të lakmueshme që mund në marrë ndonjë qytet në punë, kanë arritur në këtë konkluzion. Këtu jemi për momentin. Këtu na ka sjellë kujdesi, pasioni për qytetin, por edhe përkushtimi që bashkë me një projekt të tillë master-plan, të kemi edhe bindjen e plotë që me partnerët tanë të sigurojmë financimet e duhura për të nisur punën në kohë dhe pse jo për ta mbaruar atë në kohë.
Me falni z Fevziu. Kam një detyrim të vogël në raport me qytetarët që kanë vizituar deri tani ekspozitën. Kanë bërë mbi 300 pyetje në formularët e tyre, dhe natyrisht ne po i grupojmë këto pyetje dhe do i japim përgjigje. Pikë së pari do t’i japim përgjigje me përzgjedhjen që ne do të bëjmë në raport me projektet dhe natyrisht do të marrin përgjigjen aty ku kanë lënë kontaktet, do të marrin përgjigje të drejtpërdrejtë. Por sigurisht qw tw gjitha pyetjet dhe pwrgjigjet do tw publikohen ne websitin e Bashkisw sw Tiranës dhe nw Facebookun e Bashkisw sw Tiranës dhe nw Facebokun tim personal. Tani vetwm pwr t’ju lexuar disa nga pyetjet qw nga qytetarwt kanw bwrw: A duhet bwrw ndwrhyrje nw kwtw zonw pa njw plan rregullues tw pwrgjithshwm? Çfarw parashikohet pwr prishjen e ndwrtesave tw pa legalizuara ose çfarw parashikohet pwr ato ndwrtesa qw janw nw proces legalizimi? Si do tw kompensohet pronari nwse i merret toka? A janw parashikuar impiantet e ngrohjes me gaz apo me ndonjë alternativë tjetër? Për sa kohë është parashikuar të implementohet ky projekt? A duhet të ketë patjetër një kullë të lartë? Kush është hap i implementimit hap pas hapi, si do të procedohet në ato raste kur për pronën ka konflikt gjyqësor? Baseni ujor në qendër çfarë roli do të ketë? Kush do të financojë projektin? Si mendoni të lidhet kjo zonë me zonën e Linzës? A do të ndikojë mbi taksat e qytetarëve? Si do të bashkëpunohet me biznesin? pasi të shpallet fituesi a mund të inkorporohen projekte të tjera në të? Këto janë një grupim i vogël i pyetjeve të qytetarëve. Ka pasur edhe sugjerime si: të krijohet një park në konceptin e kopshtit botanik, ndërtesat janë të dendura, të parashikohen banjë publike, duhet më shumë gjelbërim dhe ambiente për të moshuarit, të kompensohen pronarët në mënyrë të drejtë si në rastet kur bie ndërtesa apo lulishte. Duke marrë shkas dhe dua t’u përmend vizitorëve të përfitojë nga kjo ekspozitë e cila do të mbahet e hapur edhe për tri javë të tjera dhe të japin mendimet e tyre online ose në përmjet formularëve dhe do të jenë pjesë e vendimmarrjes jo vetëm për projektin fitues, por edhe për implementimin e plotë të bulevardit të Tiranës, lumit të Tiranës, parkut të ri të Tiranës të cilat do të krijojnë fonde pune dhe do të rrisin cilësinë e jetesës në Tiranë.