Partia e Edi Ramës, si partia e Enverit, grusht-bashkuar kundër pronarëve

Deputetët e partisë së Bllokut kanë bërë çmos dje të bllokojnë një ligj që u mundëson 13 mijë familjeve të bëhen pronare të truallit, mbi të cilin përgjatë viteve kanë ndërtuar në mënyrë të ligjshme. Nisma “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij” ka kaluar me votën unanime të mazhorancës, edhe pse ka marrë votën kundër të pinjollëve të brezit të dytë të nomenklaturës
Topalli: Gramoz Ruçi, ministri i fundit i diktaturës – opozita t’u kërkojë ndjesë pronarëve dhe ish-të përndjekurve
Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me debate mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Ndërsa në sallë po diskutohej “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror”, kryetarja e Kuvendit i ka cilësuar deklaratat e deputetëve të opozitës si lot krokodili.
“Të shoh lotët e krokodilit për ish-pronarët nga ajo parti që i vodhi pronat është më shumë se hipokrite. Baballarët tuaj i kanë marrë tokat, pasurinë, i kanë nxjerrë jashtë dhe ju për 8 vjet rresht e bllokuat atë proces. Kërkoni të falur se i keni nxjerrë nga shtëpia. Ndaj ku flisni ju për ish-pronarët më duket si Gramoz Ruçi që flet për ish-të përndjekurit dhe kjo është e rëndë”, u shpreh Topalli.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit të PS-së Ruçi i cili ka theksuar mazhorancës “i djeg” për ato që opozita po bën për ish-të përndjekurit.
“Ju, ju ka djegur shumë për atë që po bëjmë ne për ish-të përndjekurit. Në vitin 91 unë kam dhënë 1500 firma mbi bazën e një letre të intelektualëve të Tiranës të cilën kryeministri juaj nuk pranoi ta publikojë në gazetë”, tha ai.
Por kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur sërish Ruçit duke e pyetur se nëse ishte ai ministri i brendshëm i diktaturës.
“A ishit ju ministër i Brendshëm i diktaturës, apo nuk ishit?” tha Topalli.
“Më 23 shkurt 1991 kam qenë për dy muaj ministër i brendshëm, por jo ministër i diktaturës por i tranzicionit. Pasi nëse nuk do ta pranojmë që në këtë kohë ishte vendosur pluralizmi, nuk do të pranojmë që pluralizmi është vendosur në dhjetor. Unë jam krenar për tre gjëra në kohën kur kam qenë ministër i Brendshëm. E para se kam dhënë 1500 firma për të liruar të dënuarit politik. E dyta, se kur u ndërrua sistemi nuk u thye një xham nuk u vra një njeri, kurse për të hequr një njeri në 97 e dini vetë sa u vranë dhe e treta për herë të parë janë bërë zgjedhje dhe numëruar vota kokërr më kokërr pa manipulim, duke humbur edhe Ramiz Alia në qendër të Tiranës. Merrni shembull si zhvillohen zgjedhje, ju që vetëm manipuloni”, tha Ruçi.
Kryetarja e Kuvendit, deputete e qarkut të Shkodrës, ka përmendur edhe vrasjen e 4 gjimnazistëve nga Shkodra, në kufi. “Është e vërtetë që shqiptarët ju përmbysën me Sali Berishën, në krye e demokracia erdhi në 92, por a ishit ju kur 4 fëmijë të gjimnazit i vratë në kufi dhe i morët trupat e tyre dhe i sollët në rrugët e qytetit tim, këto ishin ato që bëtë ju, nuk e kam vetëm me ty e kam me grupin, ishte koha kur Berisha ju rrëzoi. Jeni krenarë se sollët trupat e fëmijëve të vdekur, krenar si thotë Bushati për babën e tij, se i hoqët pronat, se i futët në burg, kërkoni të falur, këtë bëni”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkohë që socialisti Gramoz Ruçi nuk iu përgjigj akuzës në fjalë, por kërkoi nga kryetarja e Kuvendit, Topalli të mos spekulojë me fatkeqësinë e të vrarëve. Shpjegim ky i qartë se hipokrizia dhe demagogjia e PS me ish të përndjekurit do vazhdojë.
Fatkeqësi e madhe do ishte, nëse kjo shtresë e shtypur dhe dhunuar për 45 vjet me radhë nga regjimi hoxhist, të kthehej në spektër përdorimi politik të interesave të pinjollit të nomenklaturës.