E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton me votat e mazhorancës projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Bode: Mbështetje e investimeve dhe punësimit

28-03-2013 / Gazeta 55

Kuvendi miratoi sot me 69 vota “pro” projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” si dhe me 119 vota “pro”, kontratën e Koncesionit ndërmjet METE dhe ENV për ndërtimin e HEC-it në lumin Devoll. Ndërkaq, ministri i Financave, Ridvan Bode i cilësoi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për të Ardhurat” si përgjigje adekuate e zhvillimeve në ekonominë e vendit. “Kjo paketë ambicioze është shumë dimensionale. Eshtë një mbështetje e investimeve dhe punësimit përmes investimeve reale. Ndërmarrja e kësaj nisme tregon kujdes maksimal që shtresat me të ekspozuara të shoqërisë të mund të jenë më të mbrojtura dhe të sigurta në mënyrë që zhvillimet në rajon dhe më gjerë të na gjejnë një njëpozicion më të sigurtë”, tha Bode. Ministri shpjegoi se ligji konsiston në dy masa, e para ka të bëjë me heqjen e tatimit mbi të ardhurat të pagave e të ardhurave të tjera deri në masën 30 mijë lekë në muaj, dhe e dyta ka të bëjë me heqjen e tatimit mbi pasuritë dhe shtëpitë për240 mijë familje me të ardhura nën kufirin prej 100 mijë lekësh në vit. Sipas ministrit Bode, kalimi në këtë nivel përshtatet më mirë me mundësitë që ka ekonomia shqiptare. Bode i konsideroi elektorale edhe propozimet e PS-së për taksën progresive. Sipas tij, opozita ka prezantuar idenë e taksës progresive, e cila, tha ai, ka vetëm efekt elektoral dhe nuk ka asnjë efekt në të ardhurat për individët.


Debatet gjatë seancës


Kuvendi debatoi rreth ndryshimeve në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” që kanë të bëjnë me heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata individë që kanë paga deri në 30 mijë lekë në muaj. Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode nga ky ligj përfitojnë rreth 220 mijë individë në të gjithë vendin, ndërsa impakti që do të ketë kjo nismë në buxhetin e shtetit llogaritet të jetë rreth 2.5 miliardë lekë. Deputetët e opozitës e kundërshtuan propozimin e qeverisë si një nismë me efekte elektorale. Kostoja financiare në buxhetin e shtetit e krahasuar me të dhënat e vitit 2012 është rreth 2.5 miliardë lekë. Drafti i qeverisë parashikon taksë zero për të gjitha pagat nga 0-30 mijë lekë. Drafti synon që përmes mostaksimit të të punësuarve me të ardhura nga 0-30 mijë lekë, të cilët më parë taksoheshin me 10% të shumës mbi 10 mijë lekë, të rriten të ardhurat e disponueshme të tyre, të cilat janë një faktor i rritjes së nivelit të konsumit.


Debate edhe për kontratën koncensionare për ndërtimin e HEC-it të Devollit


Ligjvënësit diskutuan në seancën parlamentare të ditës së sotme ndyshimin në ligjin "Për miratimin e Kontratës së Koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, si Autoritet Kontraktues dhe ENV AG, STATKRAFT AS dhe DEVOLL HYDROPOËER SH.A., si bashkëkoncesionarë, për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll". Por një çështje e tillë po shoqërohet me një debat të ashpër mes opozitës dhe pozitës në Kuvend. Sipas kreut të qeverisë, me miratimin e ketij ndryshimi Kuvendi shënon një vendim historik. “Miratojmë sot një kontratë të firmosur me kompaninë më të madhe në botë në ndërtimin e hidrocentraleve. Për ne ka rëndësi se gjatë mandatit të ardhshëm fillojnë veprat më të mëdha energjitike në vend. Në mandatin e ardhshëm do të punësohen së paku 30 mijë shqiptarë. Investimet nuk janë të majta apo djathta,as fabrikat, as fermat, e as hidrocentralet ato janë vepra pune, qendra punësimi. Ndaj dhe kam bindjen më të madhe se shqiptarët do të jenë në punë”, vuri në dukje Berisha. Por kundrejt kësaj deklarate, si dhe kundrejt garancisë që Berisha u dha investitorëve të huaj për mospalikim të taksës progresive, erdhi dhe reagimi i kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi i përmes një fraze mtë përcjellë me humor ironik u shpreh: “Mirë se erdhe te ngjyra e rilindjes shqiptare me kravatën zoti Kryeministër”. Duke e përgjithësuar debatin, Ruçi u ndal në premtimet e qeverisë të cilat në përfundim të mandatit rezultojnë të parealizuara. “Ditën që ke ardhur si Kryeministër, në programin për të cilën u votove në faqen 12 ke thënë do reduktohet administratën dhe shpenzimet. Duam transparencën. Rezultatet janë të njëjtat me 2005. The që do të ngresh Universitetin e Administratës Publike, the që do hapesh vende pune, por njerëzit rezultojnë të papunë. Ke premtuar reduktimin e tatimit, ke premtuar parqe industriale, asnjëra nga këto nuk është realizuar nuk ka ndodhur. Jep shpjegim pasi për këtë je votuar”, vlerësoi Ruçi. Ligjvënësit socialistë kërkuan sqarime lidhur me marrëveshjen dhe zbatimin në ndërtimin e HEcit në Devoll, nga ana e kompanisë norvegjeze. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri kërkoi afatet se kur do të nisin realisht punimet për këtë vepër, pa harruar interesat e banorëve të kësaj zone. Ndërsa deputeti Arben Ahmetaj nga ana e tij pasi deklaroi votën pro ndaj këtij ndryshimi në kontratën koncensionare, kërkoi nga ekzekutivit që të japë shifrën e investimeve në ndërtimin e HEC-it të Devollit. Njekohesiht me debate u shoqrua dhe diskutimi për shtesat në ligjin "Për sistemin e taksave vendore” dhe në ligjin "Për tatimin mbi të ardhurat”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›