E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kuvendi miraton sot rezolutën që do të dorëzohet në Bruksel”

Anëtarësimi në BE

TIRANE - Kuvendi do të miratojë sot në seancën plenare të pasdites, projekt-rezolutën, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Qeveria dhe faktori politik në vend, marrin përsipër të përmbushin objektivin madhor strategjik të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ripërsëritin gatishmërinë dhe vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe “acquis communautaire” të Bashkimit Evropian, duke vënë në themel të kësaj pune bashkëpunimin më të gjerë dhe afatgjatë mes partive parlamentare të Shqipërisë.
Në projekt rezolutën që pritet të miratohet sot në Kuvend, deklarohet përkushtimi i qeverisë dhe faktorëve politikë në vend, për “konsolidimin e vlerave të lirisë dhe të shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të diversitetit kulturor dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi”.
“Inkurajon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë Organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë për ecurinë e negociatave; Shpreson dhe mirëpret që Parlamenti evropian, vendet anëtare dhe institucionet e tjera të Bashkimit Evropian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspirates se popullit te saj ne lidhje me integrimin evropian, ashtu sikundër ato shprehen edhe ne frymën e kësaj Rezolute”, thuhet në projekt-rezolutën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›