Ipeshkvijtë irakianë denoncojnë spastrimin e vendit nga të krishterët
Ndërsa Vatikani vijon të luajë një rol në arritjen e paqes në Lindjen e mesme, ipeshkvinjtë e Irakut, gjatë vizitës së tyre në Selinë e Shenjtë flasin për dramën e bashkësive të krishtera në Irak e Gjirin Persik dhe bëjnë thirrje që bota të mos injorojë spastrimin nga të krishterët që po ndodh aty, prëj luftës, por edhe prej dhunës religjioze
Thirrja e ipeshkvijve irakianë vjen nga Vatikani, ku të enjten e kaluar u pritën nga Ati i Shenjtë në vizitë ‘ad Limina’. “Bota të mos e harrojë dramën e të krishterëve në Irak, të mos i mbyllë sytë përballë shpresave e vuajtjeve të bashkësisë së vogël të krishterë në këtë zonë të botës, ku zu fill feja e krishterë, bashkësi që po paguan haraçin e padurueshëm të luftës. Para vitit 2003, vit i ndërhyrjes anglo-amerikane - pohojnë ipeshkvijtë - në vend numroheshin 800 mijë të krishterë. Pastaj mërgimi i detyruar, i nxitur nga kushtet e vështira të jetës e nga dhuna antikristiane, e përgjysmoi numrin. E të krishterët e vendeve të Gjirit kanë gjithnjë më shumë frikë se bota e ka harruar këtë tragjedi!
Mision i nuncit apostolik, imzot Frankos, në Gazë, për të çuar solidaritetin e Papës/Në Gazë situata vijon të jetë tejet e vështirë. Duhen qindra mijëra dollarë për t’u bërë ballë nevojave të palestinezëve në vend. Këtë e pohoi koordinatori humanitar i OKB-së, Holmes, që theksoi se shkatërrimet janë të papërfytyrueshme. Edhe agjensia e OKB-së për refugjatët palestinezë, konfirmoi se sulmi izraelit, më shumë se bazat e terroristëve, ka shkatërruar infrastrukturat dhe bazat industriale. Kështu situata në Rripin e Gazës është vërtetë e tmerrshme. Pikërisht në këtë situatë, ndërsa Bashkimi Evropian dhe Egjipti punojnë për të zgjidhur përfundimisht krizën, Imzot Antonio Franko, përfaqësues diplomatik i Selisë së Shenjtë në Izrael e delegat apostolik në Jeruzalem, shkoi në Gazë për t’u dorëzuar personalisht banorëve ndihmën e Benediktit XVI. Vizitova qendrën e qytetit, ku pashë shumë shkatërrime - deklaroi prelati - po dëmet më të mëdha i vërejta në zonën periferike. U përcolla banorëve afërsinë, lutjen e solidaritetin e Papës, edhe përmes ndihmës së tij personale për lehtësimin e vuajtjeve që po pësojnë këto ditë. Solidariteti është themelor në këtë çast, sepse krijon frymën e paqes e të pajtimit, të domosdoshme për t’i dhënë fund një herë e mirë martirizimit të popullisë së kësaj zone. Vijon, pra, puna për të zevendësuar krismën e armëve me fjalën e pajtimit, të paqes e të solidaritetit. Fundi i operacioneve ushtarake i lë tani vendin ndihmës humanitare që i duhet dhënë popullsisë civile, të vënë në provë të rëndë. Megjithë përpjekjet e gjithanshme, siç na shpjegon atë David Jager i Rojtarisë françeskane të Tokës Shenjte, duhet bërë shumë më tepër.
Në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Papa mbylli Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve/Dje, solemniteti i ‘Kthimit të Shën Palit’, Papa Benedikti XVI kryesoi Lutjet e dyta mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, duke përfunduar kështu edhe Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2009, me temë: “Le të jenë të bashkuar në dorën tënde”, marrë nga Libri i Ezekielit profet. E vegimi i lashtë i Ezekielit, është një shembëlltyrë, që flet qartë për bashkim, me vlerë për mbarë lëvizjen ekumenike, sepse vë theksin mbi kërkesën e domosdoshme të përtëritjes shpirtërore të të gjithë atyre, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. E kjo përtëritje mund të bëhet e mundur vetëm me një kusht, atë të “kthimit të zemrave”, gjë që Java e lutjes e nxiti me nismat e saj të shumta.
U mbyll kështu një vit me peshë ekumenike. Shënoi hapa të rëndësishme përpara në përpjekjen për bashkimin e plotë të të krishterëve, në një botë gjithnjë më të përçarë, e cila kërkon dëshminë e tyre të njëzëshme. Ishte vit takimesh, dialogësh e gjestesh, që flasin për vëllazërim, për të cilat duhet falënderuar me gjithë zemër Zoti. Ndërmjet tyre, kujtojmë posaçërisht praninë e fjalën që mbajti Patriku ekumenik ortodoks, Bartolomeu I, në Sinodin e ipeshkvijve katolikë, kushtuar Fjalës së Zotit, në tetorin e kaluar, takimet e Papës me krerë të tjerë të kishave të ndryshme, si Karekini II e Arami I. Kujtojmë edhe afërsinë shpirtërore të Kishës katolike me Kishëm ruse, në çastin kur ndërroi jetë Patriku i saj, ‘vëllau në Krishtin’, Aleksej II, e edhe tani kur pritet zgjedhja e pasardhësit. Gjatë këtij viti Papa u takua edhe me përfaqësues të bashkësive të ndryshme të krishtera të perëndimit, me të cilat vijon ballafaqimi mbi dëshmitë e rëndësishme, që duhet të japin sot njëzëri të krishterët, përballë sfidave të shumta me karakter kulturor, shoqëror, ekonomik dhe etik. Kemi një dëshirë të flaktë, dëshirë zemre – theksoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar. Dëshirojmë të vijë sa më shpejt dita e bashkimit, kur të gjithë nxënësit e Zotit tonë të vetëm do të munden, më në fund, të kremtojnë së bashku Eukaristinë. Kujtojmë se në kremtimin e sotëm solemn në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera, që kryejnë misionin në Romë.
Marrë nga Radio Vatikani