E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi dhe “vendi më amerikan” në Ballkan

Nënshkrimi këto ditë i koncesionit për ndërtimin e parkut energjitik të Lezhës me grupin “Marseglia”, duke e çuar në 3,5 miliardë euro, vetëm vleftën e kontratave të dy muajve të fundit për investime italiane në Shqipëri, më kujtoi një thënie brilante të Kavalierit në bursën e Ëall Street në Neë York, me cilësinë e kreut të ekzekutivit në kohën kur tek ne ishte në pushtet Partia Demokratike. I ndodhur në atë moment mes investitorëve amerikanë, por edhe të vendeve të tjera, kryeministri italian Silvio Berluskoni u bëri thirrje atyre që të investojnë në “vendin më amerikan të Evropës, Itali” për “dy arsye të forta”: “E para, - tha Berluskoni, - është se unë kam investuar të gjitha paratë e mia dhe e  dyta, sepse ne sot kemi më pak komunistë” se sa në ‘94-ën. Pas argumentave politikë të kryeministrit italian ishte Presidenti i Konferderatës së Industrialistëve të këtij vendi, Antonio D’Amanto, i cili paraqiti arsyet ekonomike që favorizojnë investimet të huaja në Itali, si incentivat fiskale për investimet në Italinë e Jugut, tregu fleksibël i punës, etj. Të bashkuara më njera-tjetrën, këto dy deklarata të shkurtëra përbënin një ofertë mjaft të argumentuar për joshjen e investitorëve të huaj në një prej vendeve më të industrializuara të botës. Kur “Italia e Berluskonit” e mbeshtet të ardhmen e zhvillimit të saj ekonomik tek investimet e huaja, si të mos e bëjë një gjë të tillë “Shqipëria e Berishës”, ndërkohë që pas ardhjes në pushtet të Partisë që ai kryeson “ka më pak komunistë” se sa në vitin ’04 dhe investimi në rritje është kategoria më e pëlqyeshme ekonomike për qeverisjen e tij, si ë rastin kur bëhet fjalë për paratë publike ashtu dhe për buxhetin privat të sipërmarrësve të  huaj. Në mënyrë të veçant shtimi i investimeve të huaja përbën rebusin e integrimit perëndimor të vendit tonë.
Çështja e investimeve të huaja përbën një ndër kapitujt më të rëndësishëm të integrimit tonë euro-atlantik, pasi është jo vetëm bazë e zhvillimit të duhur ekonomik por edhe barometër apo pasqyrë e klimës së biznesit në Shqipëri. Lidhja është kaq funksionale sa që procesi i integrimit nuk mund të kuptohet pa ndërmarrjen e investimeve të huaja potenciale në çdo fushë të ekonomisë dhe jetës shoqërore. Siç dihet, integrimi është çështje e plotësimit të standarteve demokratike dhe standarteve të zhvillimit ekonomik në përputhje me nivelet ekzistuese të vendeve perëndimore. Po kështu edhe investimet e huaja kanë si kusht të realizimit të tyre  klimën e favorshme të biznesit që prodhon sistemi i reformave perëndimore në një ekonomi tregu funksionale, ndonëse në platformën integruese të disa prej vendeve ish-komuniste të Europës Lindore, sot anëtare të BE-së, arritja e standarteve ekonomike të zhvillimit nuk u ka kushtuar aq shumë punë e mund sa tek ne. Me fjalë të tjera, zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve në përputhje me standartet e Bashkimit Europian, ka qënë dhe nuk ka qënë gjithëçka duhej për integrimin. Po për Shqipërinë çështja ndryshonte shumë, për faktin se ajo trashëgoi nga monizmi një bazë materialo-teknike tepër primitive, gjë që e bënte tërheqjen e  investimeve të huaja potenciale në ekonomi shumë të domosdoshme apo përcaktuese për integrimin. Megjithatë, praktikisht ka ndodhur e kundërta. Duke iu referuar eksperiencës së integrimit të 8 vendeve ish-komuniste të Europës Lindore në Bashkimin Europian në 1 maj të vitit ’04 konstatojmë shifra të konsiderueshme investimesh perëndimore në këto vende. Për 14 vjetë tranzicion para integrimit europian të këtyre vendeve, hyrjet progresive të investimeve të huaja direkte kanë qënë rreth 100 miliardë euro. Më shumë nga të gjithë kanë përfituar Polonia 40 miliardë euro, Çekia 35 miliardë euro dhe Hungaria 20 miliardë euro. Shuma jo të vogëla investimesh kanë përfituar edhe vendet e tjera ish-komuniste që vazhdojnë të aplikojnë për t’u anëtarësuar në BE, duke përfshirë këtu edhe vendet e rajonit tonë. Ndërkohë në atë periudhë kohore Shqipëria renditej e fundit krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, për shkak të keqqeverisjes majtiste në vitet ’97-‘05. Mjafton të kujtojmë se për të gjithë këtë periudhë fondi total i investimeve të huaja nuk shkoi më shumë se 1,5 miliardë euro, ndërkohë që Bullgaria, Rumania, Kroacia, etj., për shembull, këtë vlerë investimesh, për të mos thënë dyfishin e saj  e përfitonin në një vit. Edhe treguesi i investimeve të huaja, për frymë në ekonominë maqedonase ishte në atë kohë 4-5 herë më i lartë se sa në ekonominë shqiptare. Po kështu duhet kujtuar edhe një fakt tjetër krahasues, këtë herë i marrë nga realiteti shqiptar, i cili tregon se shuma e investimeve të huaja, që Shqipëria përfitoi në periudhën tetëvjeçare të qeverisjes majtiste, nuk ishte më shumë se vlera e projekteve dhe kontratave që qeveria “Meksi” nënshkroi me investitorët e huaj gjatë vitit ’96, një ndër të cilat ishte dhe ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit, që mbeti për më shumë se 8 vjetë në letër. Në këtë vit, vlera e IHD-ve  në Shqipëri përbënte 4,7% të PBB-së, ndërsa pas ‘97-ës ky tregues mesatarisht nuk ka qënë më shumë se 1%, me përjashtim të një viti gjatë gjithë kësaj periudhe kur ai arrit në 3,8% si rezultat i privatizimit tek të huajtë i disa ndërmarrjeve të rëndësishme të ekonomisë sonë kombëtare si, AMC, Banka Kombëtare Tregtare, Fabrika e Çimentos Fushë-Krujë, Fabrika e Qumështit “Ajka”, etj. Në këto kushte ekonomia nuk u zhvillua, mungoi dukshëm prodhimi për eksport, vendet e reja të punës, konkurenca e ndershme dhe shumë tregues e elementë  të tjera që përmban një ekonomi e vërtetë tregu. Por ajo që të trishtonte më shumë lidhej në një farë mënyre me “riizolimin” e vendit, duke e lënë atë peng të një kontigjenti investitorësh të tipit “buono per Albania”, të cilët ishin produkt i abuzivitetit që krijoi klima tragjike e ngjarjeve të ’97-ës, pas largimit të mjaft investitorëve të ndershëm e serioz që kishin ardhur në Shqipëri gjatë viteve ’92-’96. Siç dihet, klima që krijoi ’97-a për biznesin ishte e papërshtatshme jo vetëm për investitorët e huaj por edhe për sipërmarrësit shqiptarë që kishin “Bibël” rregullat e shenjta të ekonomisë së tregut. Në këtë mënyrë, mjedisi shqiptar i sipërmarrjes së lirë private në ato vite u mbush me individë e subjekte vendas e të huaj që kishin suport politik dhe aftësi për t’u përshtatur me sistemin e korrupsionit apo platformën majtiste të evazionit fiskal. Sjelljet arbitrare të qeveritarëve dhe nëpunësve të lartë shtetrorë, mungesa e fleksibilitetit të duhur ligjor, infrastruktura e rrënuar, rritja e shkallës së korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj., përbënin në atë periudhë disa nga faktorët e ndotjes së klimës për investime të huaja në Shqipëri. Në këto kushte, proçesi i integrimit të Shqipërisë në mos bëri hapa pas mbeti në vend numëro për më shumë se 8 vjet rresht.
Situata filloi të ndryshoj vetëm pas ardhjes së demokratëve në pushtet, të cilët qysh në mandatin e parë qeverisë kishin dëshmuar seriozitet dhe aftësi të larta reformuese për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri, të cilat i kishin kontribuar jo pak procesit të integrimit të vendit në struktuart euro-atlantike, ku mund të përmendim pranimin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës në vitin ’95 dhe draftimin e projekt MSA-së gjatë vitit ’96, me synim çeljen e negociatave një vit më vonë, nëse ngjarjet e ’97-ës nuk do të kishin prishur në mënyrë banditeske rregullin e përgjithshëm të funksionimit demokratik të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, të cilat, sidoqoftë, ndodhin në fazat e para të konsolidimit të tyre. Nëse për vitet ‘93-’96 pati një fluks më të lartë të ardhjes së investitorëve të huaj në Shqipëri, në periudhën e mëvonshme, si rezultat i problemeve të pasigurisë të krijuara në ‘97-ën dhe i rritjes së ngarkesës fiskale në ‘98-ën, u kufizua jo vetëm ardhja e më të rinjve, por filluan të largoheshin dhe ata investitorët të huaj që kishin ardhur në vendin tonë në vitet e para të tranzicionit. Por “boom”-i i vërtetë i investimeve të huaja në Shqipëri ka filluar të rregjistrohet, pas riardhjes në pushtet të demokratëve në 3 korrik të vitit ’05. Natyrisht prurja e këtyre investimeve ka ardhur duke u shtuar vazhdimisht, për të mbërritur tek shifra rekord e këtyre dy viteve të fundit dhe sidomos e dy muajve të fundit. Mjafton të kujtojmë se në harkun kohor të muajëve dhjetor ’08 – janar ’09, vetëm mes Shqipërisë dhe Italisë; pra me një partner të huaj, janë firmosur kontrata koncesionare në vlerën e rreth 3.5 miliard eurove. Dhe nga ky fond vetëm në rrethin e Lezhës janë kontratuar të investohen rreth 1 miliard euro për ndërtimin e një parku energjik me TEC-e, “Mullinjë ere” dhe linjë interkonjeksioni me Italinë. Duke qëndruar ende tek investimet energjitike mund të përmendim kontratën koncesionare të lidhur me kompaninë  austriake “EVN” dhe norvegjezen “STATKRAFT” për ndërtimin e tre HEC-eve mbi lumin Devoll, ndërtimin nga kompani të fuqishme perëndimore të TEC-it të Fierit, Parkut Energjitik të Vlorës, TEC-it të Porto Romanos; HEC-it të Kalivaçit, të Skavicës, “Mullinjve me erë” të Karaburunit, disa linja interkonjeksioni me Malin e Zi, Kosovën, etj. Por investime të kësaj natyre ndesh në të gjithë sektorët e jetës ekonomiko-shoqërore si në infrastrukturë, turizëm, bujqësi, arsim, shëndetësi e kështu me radhë. Në total shuma e këtyre investimeve të filluara apo të kontratuara për periudhën ’05 – ’09 shkon në mbi 10 miliard euro, që do të thotë gati 3 miliard euro në vit; një tregues ky më se i krahasueshëm me vende të tilla si Çekia, Polonia, Hungaria, etj., në periudhën para integrimit në BE. Fillimisht, në vitet ’92 – ’96, Shqipëria ishte konkurente e fortë e këtyre vendeve të ish Bllokut Lindor, madje kryesonte treguesin e rritjes ekonomike me mbi 10%. E njëjta gjë po ndodh edhe tani, pas rikthimit në pushtet të demokratëve me vendet e rajonit tonë, që janë ende në procesin e integrimit, duke i konkuruar dhe sfiduar ato jo vetëm në treguesin e lartë të ritjes ekonomike por edhe me ritmin e lartë të hapave integrues në strukturat euro-atlantike. Ekspertë të ndryshëm të institucioneve ndërkombëtare, midis të cilëve përfaqësues të Bankës Botërore dhe Bankës ndërkombëtare për Rindërtim Zhvillim kishin parashikuar se për vitet ’08 dhe ’09, flamurin e rritjes ekonomike në Ballkan do ta ketë Shqipëria dhe pas saj Turqia me Hungarinë. Në këtë tregues vendi ynë, vitin e kaluar arriti të konkurojë vendet e BIRK-ut (Brazil, Indi, Rusi dhe Kinë), që përfaqësojnë sot për sot kreun e vendeve me rritjen më të lartë ekonomike në botë, e cila varion nga 7 – 10%. Dhe siç dihet faktori bazë i rritjes së këtij treguesi në vendet e BIRK-ut është shtimi i investimeve ekonomike, kryesisht i atyre që vijnë nga vendet e zhvilluara perëndimore. E njëjta gjë po ndodh edhe me Shqipërinë e viteve të fundit, ku investimet e huaja dhe liria e biznesit në përgjithësi i kanë dhënë hov të paparë rritjes ekonomike dhe plotësimit të standrateve të tjera integruese. Siç dihet në më pak se tre vjetë Shqipëria nënshkroi dhe ratifikoi MSA-në, mori statusin e vendit kantidat për në NATO dhe po përgatitet që në javët që vijnë të aplikojë për statusin e vendit kantidat për në BE, të anëtarësohet në NATO, të liberalizojë vizat me vendet e  BE-së, etj. Dhe një rol të rëndësishëm për këtë performancë të admirueshme integruese të vendit tonë, me siguri që ka edhe shtimi i investimeve të huaja në këto 2-3 vitet e fundit. Natyrisht investitorët e huaj nuk erdhën në Shqipëri të joshur nga emri “Parti Demokratike” i forcës politike që drejton aktualisht vendin tonë, por nga përmirësimi rrënjësor i klimës së binzesit në Shqipëri dhe krijimi i lehtësive të ndryshme fiskale. Këto cilësi kanë qënë të pranishme edhe në qeversijen e parë të demokratëve, ku firmat e huaja që investonin fitmet e siguruara në Shqipëri ishin të përjashtuara nga pagimi i tatim-fitimit. Po kështu ishin të përjashtuara nga detyrimet doganore edhe linjat e prodhimit dhe makineritë e ndërtimit që investoheshin në vendin tonë. Arbitrariteti majtist në shfuqizimin e pushimeve tatimore u bë shkak jo vetëm për mosjoshjen e investitorëve të rinj me ardhjen në pushtet të social-komunistëve, por edhe për largimin e më të vjetërve drejt vendeve të tjera të Europës Lindore me qëllim që të përfitonin nga incentivat fiskale që aplikonin herë pas here shtetet e këtyre vendeve. Në mandatin e dytë qeverisës këto lehtësi fiskale për biznesin u shtuan edhe më tej, duke ndërmarrë reforma të shumta për të lehtësuar barrën burokratike të biznesit. Dhe këto reforma kanë dhënë rezultate impresionuese pas ’05-ës. Në vlerësimin e Bankës Botërore, në raportin “Të bësh biznes”, Shqipëria u vlerësua vendi i dytë në botë për reformat e ndërmarra në klimën e biznesit, për vitin që kaloi, ku në procedurat e regjistrimit të biznesit, ne kemi lënë pas 167 vende të botës. Tashmë biznesi mund të çeretifikohet brenda gjysmë ore, nga 42 ditë kohë që duheshin më parë dhe mund të regjistrohet me koston 1 euro, nga mbi 3-4 mijë euro që ishte kostoja në vitet e qeverisjes mjatiste. Nga ana tjetër, Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja, edhe për sa i përket legjislacionit dhe masave të marra në këtë drejtim, duke lënë pas 164 vende të botës. Përpjekje të mëdha janë bërë edhe për të lehtësuar barrën fiskale, duke aplikuar sistemin e taksave të ulëta që prodhon parimi qeverisës i vlefshmërisë më të madhe të investimeve të huaja në raport me volumin e të ardhurave të taksave të larta. Këtu qëndron sekreti i grumbullimit të 3,2 miliardë dollarëve të ardhura fiskale në tre vitet e shkuara, krahasuar me 3 vitet e fundit të qeverisjes majtiste, kur barra fiskale ishte asfiksuese për biznesin, ndërkohë që  taksa e bizmnesit të vogël është ulur me 50%, taksa e të ardhurave personale me 13%, tatimi fitimi dhe sigurimeve shoqërore me 15%, etj. Po sipas kësaj strategjie është thjeshtuar edhe sistemi i taksave, duke i reduktuar ato nga 23 në 6 taksa kombëtare. Natyrisht kjo strategji qeveriëse do të kishte dështuar qysh në muajt e parë nëse nuk do të ishte kombinuar me një sërë reformash të thella në luftën kundër korrupsionit. Në vitin 2005, kur demokratët erdhën në pushtet, Shqipëria sipas TI-së,  renditej në 24 vendet më të korruptuara të botës, kurse sot ne lënë pas 95 vende të rruzullit, duke u grupuar në 10 vendet me luftën më të suksesshme kundër korrupsionit, për vitin kaluar. Nga ana tjetër, për t’i shkëputur shumë ndërmarrje publike nga thonjtë e korrupsionit u ndërmorrë privatizimi i tyre ku mund të përmendim; telekominikacionin, sistemin e rafinerisë, sistemin e shpërndarjes së energjisë, etj. Me pak fjalë ka qënë edhe magjia e investimeve të huaja, shkaku që sot ndodhemi më afër Europës dhe strukturave euro-atlantike, por para së gjithash ka qënë magjie qeverisëse e demokratëve ajo që e ka ofruar kaq shumë pranë Perëndimit, Shqipërinë. Dhe gjithëçka ka ndodhur në jo më shumë se 3 vjetë pushtet, ndëkohë që kriza globale po bëhet shkatërrimtare edhe për ekonomitë më të konsoliduara të rruzullit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›