Kuvendi nis punimet, Islami e Harasani thyejnë bojkotin

Kuvendi ka nisur sot punimet pas një ndërpreje prej afro 6 javësh për shkak të angazhimit të deputetëve në fushatën e zgjedhjeve lokale.
Ashtu siç kishte paralajmëruar dy ditë më parë grupi parlamentar i PS-së nuk është i pranishëm në sallë përveç dy deputetëve Kastriot Islami dhe Andis Harasani të cilët e kanë thyer vendimin e grupit për të bojkotuar Kuvendin.
Të dy deputetët e Partisë Socialiste janë paraqitur në seancën plenare duke dalë kundër vendimit të grupit parlamentar socialist.
Në fjalën e tij deputeti i PS-së Kastriot Islami deklaroi se ndodhej në seancë për të dhënë një mesazh si mazhorancës ashtu edhe grupit parlamentar socialist.
“I bëj apel grupit tim parlamentar, kreut të PS-së Rama por edhe juve dhe kryeministrit Berisha për reflektim. Duhet të jeni të kujdesshëm me kalendarin deri sa të merret një vendim nga Kolegji” theksoi Islami duke shtuar se vendi sot ndodhet në një situatë ku duhet të hidhet një hap përpara dhe vendi të vihet mbi shinat e një shteti ligjor.
“Ndërkombëtarët na dhanë mesazhe të qarta. Nuk jam as kundër Rames, as pro Berishës, por dua integrimin e vendit” theksoi më tej Islami.
Partia Socialiste vendosi dy ditë më parë në mbledhjen e grupit të mos jetë e pranishme në të gjitha aktivitetet e Kuvendit si në komisione ashtu dhe në seanca, deri në pritjen e një vendimi nga Kolegji Zgjedhor për rezultatin e Tiranës.
Ndërkohë në rendin e ditës Kuvendi ka sot për miratim disa ratifikime marrëveshjesh dhe miratimin e projektrezolutave mbi veprimtarinë e disa institucioneve që varen nga parlamenti.