Kuvendi nis sot punimet, merr pjesë edhe opozita
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancën e parë plenare, duke shënuar kështu edhe fillimin e sesionit të pestë të legjislaturës së 18-të parlamentare.
Në seancën e sotme plenare e cila do të mblidhet në orën 18:00 do të marrë pjesë edhe opozita.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të mblidhet mesditën e sotme për të vendosur për qëndrimin që do të mbajë në këtë sesion parlamentar.
Kuvendi nga ana e tij ka zbardhur axhendën e sotme të seancës së parë të sesionit të ri parlamentar. Konkretisht pika e parë është hapja e punimeve të Kuvendit për sesionin e V-të të legjislaturës së XVIII, miratimi i procesverbalit të seancës plenare, njoftim për miratimin me konsensus të programit të punës së Kuvendit për periudhën 5 shtator - 14 tetor 2011 dhe njoftim për miratimin me konsensus të kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 5 shtator - 23 shtator 2011.
Ndërkohë me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kreu i shtetit Bamir Topi përmes një mesazhi iu bëri apel deputetëve të Kuvendit të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit pasi është me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin.
Në mesazhin e tij drejtuar deputetëve në këtë sesion të ri parlamentar, kreu i shtetit bën thirrje për ulje tonesh dhe bashkim votash për ligjet e rëndësishme.
“Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Në emër të qytetarëve dhe të ndërgjegjës kombëtare, ju ftoj t`i shndërroni këto pika në prioritete të axhendës dhe aktivitetit parlamentar. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, ka nevojë për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, ka nevojë për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme” ka theksuar më tej Topi.