Presidenti Topi: Stop bojkotit dhe denigrimit të pakicës
Në prag të sesionit të ri parlamentar, Presidenti Topi u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të marrin përgjegjësinë për ta shndërruar sesionin e ri parlamentar në një periudhë reformash demokratike dhe integruese.
Në një mesazh drejtuar deputetëve në mesditë, Topi thekson se prania aktive në Parlament kërkon krijimin e një klime besimi dhe respektimi të mendimit ndryshe.
Palët politike kanë përgjegjësi të krijojnë klimën e besimit dhe të mos aplikojnë praktika denigruese dhe izoluese për pakicën, për të injoruar mendimin ndryshe apo për axhenda politike personale, të mos ta kthejnë në asnjë rast e për asnjë arsye Parlamentin në gjyq politik, të mos përdorin tribunën parlamentare për të denigruar individë e familje, kategori e shtresa të popullsisë, theksoi Topi.
Topi kërkoi heqjen dorë nga çdo formë e bojkotit si veprim me pasoja për demokracinë në vend. Parlamenti është mjedisi ku merr jetë politika dhe votohen ligjet. Së pari, ai presupozon pjesëmarrje si detyrim kushtetues, politik e institucional. Për këto arsye, apeloj partitë parlamentare të heqin dorë përfundimisht nga çdo formë e bojkotit parlamentar me pasoja të rënda për demokracinë, integritetin e parlamentit, për qytetarët dhe për vendin, tha Topi.
Kreu i shtetit theksoi se qytetarët shqiptarë kanë neojë për një Parlament që punon më shumë dhe propagandon më pak, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj.
Qytetarët kanë nevojë të shohin një parlament që bën pak propagandë dhe shumë punë, që miraton ligje kushtetuese në dobi të qytetarëve, që kontrollon qeverinë dhe nuk është shtojcë e saj, që respekton pa imponim institucionet kushtetuese, që bëhet promotor e jo pengesë për integrimin, dhe kështu, përcjell vlera e jo mosbesim tek qytetarët, tha Topi.
Duke u ndalur në ngërçin politik dyvjeçar, Topi tha se Shqipëria, tashmë anëtare në NATO, ka humbur dy vjet në një ngërç politik permanent të lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare. Vetë qytetarët dhe vendi kanë humbur dy vjet në përpjekjet e tyre për marrjen e ftesës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot sfida është e qartë: ne kemi përpara 12 kritere politike të BE-së, të gjitha të lidhura me Parlamentin dhe ushtrimin cilësor të funksioneve të tij. Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe efektiv politik, për bashkëpunim afatgjatë dhe të efektshëm midis palëve politike, për të fituar kohën e humbur përmes reformave afatgjata dhe të qëndrueshme, ka bërë thirrje më tej Topi.