E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rikthen ligjin e vjetër të SHISH

Zbardhet misteri i ligjit organik të Shërbimit Inteligjent. Në Kryesinë e Kuvendit, dy drafte të ndryshme për SHISH Ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, në seancën e 22 korrikut

Zbardhet dilema e projektligjit të SHISH-it, që do të votohet në datën 22 korrik në Parlament. Ndërsa kanë ngelur edhe dy javë kohë nga mbyllja e punimeve të Parlamentit, mazhoranca ka futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit dy projektligje të ndryshme në thelb nga njëri-tjetri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Një prej tyre është ligji më i ri për kontrollin parlamentar të SHISH-it që ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për t’u diskutuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe i dyti është projektligji i shumëdiskutuar pesë muaj më parë “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”, i ndryshuar. Ky i fundit është përcaktuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për t’u miratuar në datën 22 korrik. Ndryshimi i ligjit organik të SHISH-it është kundërshtuar fuqishëm nga ambasadorët e huaj në Tiranë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Qeveria dhe Kuvendi ‘ngrin’ projektligjin, i cili pritej të miratohej pesë muaj më parë për ta rikthyer sërish në seancën e parafundit të sesionit të dytë parlamentar të Legjislaturës së 18-të. Vullneti dhe ‘kokëfortësia’ e Partisë Demokratike ka bërë që projektligji, që ka si qëllim të vendosë një mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi për drejtorin e SHISH-it, të përballet me provën e kartonit të shumicës në Kuvend. Sipas këtij projektligji, shefi i ri i shërbimeve sekrete do të kalojë në seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, do të propozohet nga Kryeministri dhe do të emërohet nga Presidenti i Republikës.

Prapaskenat

Duke bërë një lojë me dy porta, për të shënuar golin më pas në portën ku ndodhet ligji i Shërbimit Informativ Shtetëror, shumica parlamentare ka synuar të çorientojë dhe sfumojë zërat e ashpër ndaj këtij ligji. Në kohën kur ngelen edhe tri seanca parlamentare për t’u zhvilluar, në zyrat e Kuvendit kanë qarkulluar dy projektligje të ndryshme për SHISH-in. Projektligji për kontrollin parlamentar të SHISH-it është duke u diskutuar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, por miratimi i tij nuk do të bëhet gjatë këtyre tri seancave, por do të shtyhet në shtator. Në datën 22 korrik do të votohet për një tjetër projektligj, i cili është ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, i ndryshuar. Ky ligj ka kaluar njëherë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe ka marrë miratimin e shumicës së anëtarëve të këtij komisioni. Janë dy strategji që mazhoranca pritet të zbatojë në rastin e këtij ligji. Strategjia e parë është kalimi i ndryshimit të ligjit organik të Shërbimit Informative Shtetëror në mënyrë direkte në Kuvend, në të njëjtën formë dhe përmbajtje, pasi ai ka marrë njëherë miratimin e Komisionit të Sigurisë gjatë muajit shkurt të këtij viti. Varianti i dytë është rishqyrtimi i tij edhe një herë në Komisionin e Sigurisë, por burime nga Partia Demokratike pohojnë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror i ndryshuar nuk arriti dot pesë muaj më parë të kalonte për votim në Kuvend falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›