Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin për pronat në Rrjoll

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kuvendi rrëzoi sot kërkesën e deputetit të Partisë Mundësia, Erald Kapri, për zhvillimin e një interpelance me ministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, lidhur me protestat e zhvilluara kundër ndërtimit të një resorti turistik në Rrjoll, Velipojë.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se kjo çështje ka qenë pjesë e rendit të ditës në seancat e kaluara po me ministrin Lamallari dhe nuk përbën më objekt diskutimi.
Nga ana tjetër deputeti Kapri e cilësoi refuzimin si një akt censure ndaj opozitës. Ai tha se Kuvendi nuk mund t’u mohojë deputetëve të drejtën për të kërkuar llogari nga ministrat për çështje që, sipas tij, mbeten ende të pazgjidhura.
Në fjalën e tij, Kapri tha se ministri po merret me sulme ndaj protestuesve dhe se nuk po adreson problemet në Policinë e Shtetit.
“Meqë ju keni folur për Zvërnecin e Rrjollin, s’mund ta pyesim ne Ministrin e Brendshëm. Si mund të ndaloni një deputet të flasë për çështje që është votuar? Nuk është parlament ky. S’mund të pyesim ne ministrin e Brendshëm. Pse? Se e paskemi pyetur në seancë të kaluar. Ajo që donim të ngrinim në këtë interpelancë me Ministrin e Brendshëm që e kalon kohën duke sulmuar njerëz që merren me protestën, e nuk merret me Policinë e Shtetit që ka dalë nga shinat. Është rrethuar parlamenti me blinda. Pse? Se u trembët nga vezët ju. Si mundet që deputetët të mos pyesin Ministrin e Brendshëm për këtë gjë? Kur ndodhi dhuna në Zvërnec nga bodigardët e oligarkut, disa ditë ministri tha se ia hoqëm licensat. Ka raportime serioze se këto kompani thjeshtë kanë ndërruar emrin. Kur kërkonim të flisnim në parlament për Rrjollin, kërkonit të na censuronit. Nuk e patë ju dhunën e policisë private në Rrjoll?”, tha ai.
Gjithashtu ai deklaroi se mbi 300 qytetarë janë shoqëruar nga policia pa arsye, ndërsa gjykatat, sipas tij, kanë rrëzuar një pjesë të këtyre masave.
/m.q/r.e/