Milot - Fushë-Krujë, Berisha "shkund" Drejtorinë e Rrugëve
Kryeministri është nisur dje për në Shkodër për festën e Krishtlindjeve dhe me këtë rast ka menduar të inspektojë aksin Milot - Fushë-Krujë. Duke parë aksin nga afër, kushtet e punës dhe ecurinë, Kryeministri ka shprehur shqetësimin për situatën kaotike të rrugës që lidh Veriun me qendrën e Shqipërisë. Berisha vijoi vizitën për në Shkodër me mendjen nga rruga copë-copë dhe kur është kthyer në Tiranë ka thërritur urgjentisht krerët e Drejtorisë së Rrugëve. Në takim kanë qenë të pranishëm edhe drejtuesit e firmës private që po merren me ndërtimin e rrugës. Kryeministri në takim e sipër ka kritikuar procesin e avashtë të punimeve dhe kaosin me trafikun. Burime jozyrtare pranë takimit pohojnë se Berisha është shprehur i revoltuar për gjendjen e rrugës, e cila po ha jetë njerëzish. Kryeministri kërkoi përfundimin sa më të shpejtë të punimeve. Ndërkohë, burime të Ministrisë së Transportove thonë se nuk ka asnjë problem që lidhet me financimin e projektit apo me punimet e firmave. E gjithë situata e rënduar është shkaktuar nga reshjet e shumta. Ndërkohë, nuk mungojnë informacionet rreth problemit me shpronësimet që ka sjellë pengesë për zhvillimin e projektit. Autostrada Milot - Fushë-Krujë, pjesë e aksit Durrës - Kukës - Morinë, parashikohet të ketë një zgjerim në të dyja kahet, duke u kthyer në një autostradë moderne. E njohur si "rruga e vdekjes", kjo autostradë, vetëm me dy korsi, është bërë shkak për humbjen e jetës së shumë qytetarëve për shkak të shpejtësisë. Aktualisht, në këtë rrugë janë duke punuar 6 firma private, që të gjitha shqiptare. Ky investim me vlerë 50 milionë euro nga buxheti i shtetit, parashikon dublimin e superstradës Milot - Fushë-Krujë në 9 lote, me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m. Në këtë investim parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve duke e bërë këtë një rrugë të standardeve më të larta. Vitin e ardhshëm është parashikuar investimi për dublimin e pjesës që vazhdon drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit dhe Tiranës. Në inaugurimin e rrugës në muajin mars 2009, mori pjesë vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili tha se, "aksi do ë kthehet sipas standardeve europiane"