E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krisht, shpëtoje shtatzënën dhe dy binjakët e saj!

Ajo nuk e di që është festë, nuk e di as që janë Krishtlindjet, është tërësisht e pandërgjegjshme. Familjarët e saj qëndrojnë në spital, po kurrsesi nuk mund të futen brenda për të parë sytë e saj, barkun e për të këmbyer qoftë edhe dy urime të ngrohta.

Oksigjeni "fals" që ajo merr kalon në trurin e saj, më pak në organizmat e vegjël të dy qenieve humane që rriten në trupin e vajzës shtatzënë.

Familjarët, për të janë tre mjekët që e ndjekin dhe kujdesen vazhdimisht, një pneumolog, një gjinekolog dhe një infeksionit.

Në spitalin e sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi" ndodhet në terapi intensive një vajzë 25 vjeçe. Ajo është në muajin e gjashtë të barrës dhe në barkun e saj ushqehen me frymë dy binjakë. Laboratori i analizave ka konfirmuar se vajza është prekur nga gripi pandemik, AH1N1. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e vajzës është stacionare, që do të thotë e rënduar por e pandryshuar. Specialistët e shpjegojnë termin "stacionar" si një gjendje konstante, e cila as nuk përkeqësohet por as nuk përmirësohet. Këto gjashtë muaj, sanatoriumi, qendra e specializuar ku trajtohen sëmundjet e mushkërive, ka pritur e përcjellë shumë pacientë me komplikacione si pasojë e gripit të derrit, por pacientja më e dashur, më e dhembshur që mbahet më shumë me "hatër" është 25-vjeçarja.

"Trupa mjekësore kontrollon gjendjen, e mban në vëzhgim të specializuar, po bëhet gjithçka ç‘është e mundur për ta nxjerrë nga rreziku, le të shpresojmë që do të përmirësohet shpejt", thonë mjekët. Ndërkohë që pacientja 25-vjeçare për gati një javë me radhë ndodhet në terapi intensive, me oksigjen. Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se kjo është një nga rastet e veçanta, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën.

Javën e kaluar humbi jetën si pasojë e bllokimit të mushkërive një vajzë 18-vjeçare, e cila ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Mjekët nuk arritën të shpëtonin as fëmijën, për shkak se gjendja e pacientes ishte më shumë se e komplikuar.

Ajo nuk vuante nga asnjë shqetësim shëndetësor kronik, por sipas mjekëve, vetë gjendja e shtatzënisë bën që imuniteti dhe "fortësia" e organizmit të mos jetë në formën më të mirë.

Për shkak të shtatzënisë, nëna ishte anemike dhe gripi i derrit, virusi pandemik AH1N1, e ka komplikuar më tej situatën, duke shkaktuar dy vdekje në të njëjtën kohë.

Rast i rrallë, por edhe tepër drithërues për babain, bashkëshortin, familjen, të afërmit e të dashurit...

Nisur nga ky rast tragjik, në ditën e Krishtlindjeve, lutje në heshtje, lutje me lot, lutje me gjithë zemër janë dërguar drejt qiellit...

Lutje pa zë dolën dje nga shpirtrat e familjarëve, mjekëve, pacientëve të spitalit, gazetarët, por edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që dinë se në sanatorium është një nënë e re që po lufton me AH1N1 në ditën e Krishtlindjeve.

Le të shpresojmë që lutjet tona do të dëgjohen dhe vajza do të dalë nga gjendja stacionare, do të përmirësohet, e do të sjellë në jetë dy fëmijët e saj.

E dashur shpresojmë që këtë sfidë ta fitosh, e këto Krishtlindje të të sjellin dhuratën më të rëndësishme për ty... Krisht të lutemi shpëtoje shtatzënën dhe dy fëmijët e saj binjakë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›