Kuvendi shqyrton sot dhjetë projektrezoluta

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kuvendi do të zhvillojë sot në orën 10:00, seancën plenare publike, ku në rendin e ditës është parashikuar shqyrtimi dhe miratimi i dhjetë projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura për vitin 2025.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve të seancave plenare të datave 30 qershor dhe 2 korrik 2026, si edhe me njoftimet.
Më pas deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025.
Në vijim, Kuvendi do të diskutojë dhe votojë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Institutit të Statistikave (INSTAT), Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Entit Rregullator të Energjisë (ERE) dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU), të gjitha për veprimtarinë e zhvilluar gjatë vitit 2025.
Për secilën prej projektrezolutave është parashikuar zhvillimi i debatit parlamentar, me një kohëzgjatje maksimale prej 120 minutash, e ndarë ndërmjet grupeve parlamentare sipas Rregullores së Kuvendit.
Pika e fundit e rendit të ditës i kushtohet diskutimeve për çështje të evidentuara nga zgjedhësit, për të cilat Rregullorja e Kuvendit parashikon një kohë maksimale prej katër orësh.
/gj.m/r.e/ /a.g/